"Sikur të isha i shtrënguar me e mbajtë Dranjan si shtazë shtëpiake, do t'i jepja vetëm dromcat e kafshatës sime". Këto fjali shkruhen në faqen e parë të ditarit të tij Martin Camaj, në vitet '80, për prozën poetike të tij "Dranja".
Ditari, bashkë me objekte të tjera personale të Camajt, ekspozohet 8 vite pas vdekjes së tij në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dhënies së Urdhrit "Nderi i Kombit" nga Presidenti i Republikës.
Këndi më tërheqës i ekspozitës ishte ai i objekteve personale që zonja Camaj ka sjellë me vete në Tiranë nga Arkivi i Familjes në Gjermani. Është një makinë shkrimi, një stilolaps me veshje ngjyrë argjendi, rruzarja me Krishtin e kryqëzuar dhe tri palë syze që ndryshojnë në madhësi e ngjyra. Të parat shquhen syzet e errëta me skelet të zi, tip të cilin Camaj është parë t'i mbajë në publik, nëpër konferenca po në takime me miqtë.
Makina e shkrimit "Princess 100", duket objekti më i vyer i këtij koleksioni. Erika Camaj tregon se me "Princeshën", Martini ka punuar dekada për veprën e tij letrare e studimore. Ishte me vlerë kjo makinë për të sepse "ishte e pajisur me shkronja të alfabetit ndërkombëtar fonetik".
Në vitrinat e sendeve personale janë ekspozuar libra nga biblioteka personale e Camajt, ato që lexuesi brenda kufijve të Shqipërisë i ka pak të njohura dhe që i takojnë veprave studimore të botuara në Itali dhe Gjermani. Kemi studimin e vitit 1993 "La parlata arbëreshe - di San Costantino Albanese in provincia di Potenza", shkruar nga Camaj, dhe tjetri, "Racconti Popolari", studim i drejtuar nga Ernest Koliqi dhe i përgatitur nga Camaj.
Nga letërkëmbimi i shkrimtarit shqiptar që jetoi gjithë jetën në ekzil, kemi vetëm tri letra dhe ato me zor deshifrohen.
Më e qarta është ajo e shkruar në vitet '90, ku Camaj i shkruan përkthyesit dhe mikut të tij Hans-Joachim Lunksch, në kohën kur vepra e tij po bëhej e njohur në Tiranë e Shkodër dhe kur sapo ishte krijuar "Lidhja e lirë e Intelektualëve të Shqipërisë". Anëtarët e lidhjes i bën një ftesë për bashkëpunim Camajt. Albanologu shprehet i shqetësuar për "konsumimin" e veprës së tij nëpër qarqet intelektuale të Tiranës.
"Veprat e mia letrare po hyjnë në Shkodër e në Tiranë në pjesën intelektuale dhe po "konsumohen" në mënyrë të ndryshme, reakcionet më komunikohen përmes letrave dhe tash edhe përmes shtypit. Disa interpretime të veprës sime më irritojnë, bile më mungojnë nervat t'i akceptoj: andaj edhe shqetësimi im për të cilin të fola në telefon", shkruan ai.
Po në këtë letër, ai i shkruan Lankschit, arsyen se përse nuk pranon të marrë pjesë në "Lidhjen e intelektualëve të lirë të Shqipërisë". Ja çfarë shkruan:
"Një ndër probleme të tyne ashtë botimi sidomos gjermanisht i autorëve shqiptarë të ndaluem, disa nga ata edhe tash të burgosun, si Kasëm Trebeshina, një rival i Kadaresë në vitet '60. U thashë se unë s'përzihem në grindje të mbrëndshme, kusht për mue ndamja e letërsisë nga politika dhe vlerësimi i vlerave të vërteta".
Këto ishin sende personale që Erika Camaj kishte sjellë nga Gjermania në Shqipëri. Të tjerat ishin fotografi familjare në shtëpinë në Lenggries dhe veprimtaria e Camajt në Universitetin e Mynihut.
Fotografitë e tjera rrëfejnë për lidhjen e shkrimtarit me me shqiptarët e Kosovës, arbëreshët e Italisë dhe shqiptarët e Diasporës së Amerikës, nëpër konferenca, takime dhe simpoziume shkencore. Nuk shihen fotografi të Camajt në vendlindje, në Temal, apo kohës së shkollës në kolegjin jezuit të Shkodrës. Erika Camaj e vizitoi e vetme vendin e tij të lindjes në vitet 1994-1996.
Ekspozita, e hapur dje në Qendrën e Studimeve Albanologjike, me rastin e dekorimit të Martin Camajt me titullin "Nderi i Kombit" qëndron e hapur deri më 10 nëntor. Pritej që pas ceremonisë së dekorimit, ekspozitën ta vizitonte edhe presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi, por kjo vizitë u anulua. Mendohet që ky prezantim të shtegtojë edhe në Shkodër, Elbasan, Vlorë, Prishtinë.
Pse "Nder i Kombit"
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekoron me urdhrin "Nderi i Kombit" (pas vdekjes), Martin Camajn, me motivacionin: "Personalitetit të mirënjohur që dha një kontribut të rëndësishëm në studimin e gjuhës dhe kulturës kombëtare dhe në njohjen e shkencave albanologjike në botë; shkrimtarit të shquar që krijoi nga veprat më të mira të letërsisë moderne shqipe". Në aktivitet ishte e pranishmja e shoqja e shkrimtarit, njerëz të letrave, albanologë, studiues.
Ky titull i jepet shkrimtarit me rastin e 85-vjetorit të lindjes, një përvjetor që u kujtua me një konferencë shkencore nga Qendra e Studimeve Albanologjike, u botua vepra e plotë letrare në 10 vëllime nga Dega e Albanologjisë në Universitetin e Mynihut dhe u hap kjo ekspozitë me objekte personale e fotografi e hapur dje në Qendrën e Studimeve Albanologjike, duke mbyllur itinerarin e aktiviteteve për Camajn.