Shfaqet ne Amerike koleksioni i vjedhur i Shekspirit

Shfaqet në Amerikë koleksioni i vjedhur i Shekspirit
Për një dekadë të tërë, Interpoli nuk ka pushuar një çast së kërkuari gjurmët e një prej thesareve më të mëdha të literaturës britanike, publikimi i parë (First Folio) i të gjitha veprave të Shekspirit. Vepra është shtypur pak kohë pas vdekjes së dramaturgut gjenial dhe vlen të paktën 30 milionë dollarë.

Deri në vitin 1998, kur u vodh, ishte pjesë e koleksionit të Universitetit Durham. U zhduk nga vitrina ku mbahej e ekspozuar bashkë me një dorëshkrim të hershëm të shkruar me dorë të Testamentit të Ri (përkthimi i parë në anglisht), si edhe fragmenti i një poeme të autorit Çauser.

Gjurmimet nuk dhanë asnjë fryt gjatë gjithë dekadës, deri në çastin kur një biznesmen me aktivitet të shtrirë në shumë vende të botës, hyri në një librari të njohur të Uashingtonit dhe pyeti pjesëtarët e stafit, nëse ishte origjinal. Sipas fjalëve të biznesmenit, mësohet se koleksionin prej 36 veprash e ka blerë në Kubë.

Një zëdhënës i policisë britanike sqaroi para pak ditësh, se burri ishte bindur nga punonjësit e librarisë ta linte aty librin, në mënyrë që t‘u nënshtrohej ekzaminimeve të detajuara nga ana e specialistëve, të cilët e lidhën menjëherë koleksionin me vjedhjen e vitit 1998 në Pallatin e Gjelbër, përpara katedrales së Durhamit.

Ndërkaq, në Kontenë e Durhamit, të enjten në mbrëmje policia u vu në lëvizje, duke arrestuar një njeri që dyshohej se kishte lidhje me koleksionin, pas të dhënave të ofruara nga FBI-ja dhe nga ambasada britanike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Fqinjët e përshkruan të arrestuarin, i njohur prej tyre si Rei Skot, si njeri me karakter "disi të çuditshëm". Jeton prej vitesh me të ëmën e moshuar dhe zotëron një "Ferrari", të cilin e nget shumë rrallë.

Mik Kenedi, i cili banon shumë pranë të arrestuarit, tregon se që nga çasti i dërgimit të Skotit në ambientet e sigurisë, policët kanë nxjerrë nga shtëpia e tij tetë arka me libra e fotografi. Tha gjithashtu se, "ishte personi i fundit tek i cili të shkon mendja se mund të bëjë diçka të tillë". Me sa dinë fqinjët, burri shet libra të vjetër në internet.

Tani Skoti po pyetet nga detektivët mbi biznesmenin që ka në dorë botimet origjinale, i cili kaloi gjithë Atlantikun dhe papritmas u shfaq në Uashington me një prej koleksioneve letrare më të vlefshme në botë.

Volumet e vjedhura janë përshkruar nga Universiteti Durham si "pjesë unike dhe e pazëvendësueshme e trashëgimisë së rajonit, e cila nuk mund të shitet tek askush". Universiteti e shfaqi shumë shpejt kënaqësinë e madhe që ndjeu me të marrë lajmin e daljes në skenë të koleksionit.

"Si edhe vetë Shekspiri, ky koleksion është thesar kombëtar, i cili na ofron një shembull të mrekullueshëm të trashëgimisë letrare britanike", tha Bill Brison, kancelari i universitetit dhe autor i një libri biografik mbi Shekspirin.

Zëvendëskancelari, profesori Kris Higins, tha: "Stafi dhe i gjithë komuniteti ndjenë se u kishte humbur diçka e madhe në çastin e vjedhjes së librave, kështu që mund ta merrni mend çfarë kënaqësie ndjeva në çastin kur më njoftuan se ‘First Folio‘ ka dalë në dritë".

"Universiteti Durham ruan shumë thesare historike të këtij lloji. Po planifikojmë që të gjithë këto vepra të vyera t‘i vëmë në dispozicion të stafit, të studentëve dhe të publikut që viziton ambientet tona, sigurisht nën regjim të lartë sigurie. Do të ishte e mrekullueshme që nëpër vitrinat tona të shfaqej përsëri koleksioni i parë i veprave shekspiriane", shtoi profesori.

"First Folio" është një prej 228 kopjeve, nga njëmijë të publikuara që ka mbijetuar në ditët tona. Që të gjitha vlerësohen jashtëzakonisht shumë. Vetëm dy prej tyre zotërohen nga subjekte private, gjë që deri para vitit 1998 vlerësohej si një rrugë shumë e mirë për të mundësuar mbetjen e tyre nëpër institucione e librari të njohura, pa lejuar që të shiteshin në tregun e lirë.

Detektivi Endi Redik, i cili drejton edhe procesin hetimor, tha se nuk dihej ende asgjë mbi fatin e shtatë veprave të tjera që u vodhën në vitin 1998 bashkë me koleksionin në fjalë - ku përfshihej edhe një publikim i parë origjinal i veprës Bioulf, si edhe një dorëshkrim mbi jetën e shenjtit anglosakson të quajtur Aelfrik.

Redik shtoi se koleksioni tashmë gjendej i tëri në duart e Librarisë Shekspiriane Folger të Uashingtonit dhe se shumë shpejt pritet të kthehet në vitrinat e Universitet Durham.

Profesori Higins tha me këtë rast: "Masat tona të sigurisë janë rishikuar me shumë seriozitet, që me rastin e vjedhjes së vitit 1998, dhe kemi bindjen se ‘First Folio‘ do gjendet nën siguri të plotë, me të mbërritur në universitet. Shpresojmë shumë që të bëjmë të mundur kthimin edhe të veprave të tjera që u vodhën bashkë me të një dekadë më parë".

Folio e Parë

"First Folio" është edicioni i parë i publikuar i veprës së plotë të Shekspirit. U publikua në vitin 1623, shtatë vjet pas vdekjes së dramaturgut. Folio përmban 36 drama, 18 prej të cilave, përfshi edhe Makbethin, nuk ishin shtypur kurrë më parë. Pa ekzistencën e këtij publikimi me shumë gjasa mjaft prej veprave të Shekspirit do të kishin humbur tërësisht, gjë që i ka bërë të cilësohen si "punët më të rëndësishme në gjuhën angleze". Veprat u grumbulluan nga miqtë e afërt të Shekspirit, aktorët Xhon Heming dhe Henri Kondell. U shtypën nga Isak Xhagard dhe Eduard Blunt.

U publikuan rreth 1 mijë kopje të veprës së plotë, por sot ka mbijetuar vetëm një e katërta e tyre. Me të dalë për herë të parë në treg, folio u shit për një sterlinë. Sot vlen jo më pak se 15 milionë sterlina.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama