Shqipëria ka 68 vite pa fituar ndaj Rumanisë. Rivali i kuqezinjve në Europian futet në grupin e skuadrave që Kombëtarja ka vuajtur historikisht.
Shifrat flasin qartë, teksa në 17 ndeshje të zhvilluara deri më tani, në 12 prej tyre ka fituar Rumania. Kuqezinjtë kanë arritur vetëm dy herë të thyejnë rumunët, ndërsa tri takime të tjera kanë përfunduar në barazim.
Triumfi i fundit i Shqipërisë daton më 02.05.1948, me shifrat 0-1 në Bukuresht, ku vendoste një gol i Pal Mirashit.
Nga ajo kohë e deri më tani janë luajtur edhe 14 ndeshje, por asnjëherë kuqezinjtë nuk kanë mundur të fitojnë.
Madje, Rumania është nga ato skuadra që në dy raste na ka shkaktuar humbje të turpshme, 6-0 dhe 6-1. Kjo e fundit është e freskët, pikërisht më 21.11.2007, në stadiumin e Bukureshtit, me kuqezinjtë që drejtoheshin nga Oto Bariç.
Pas përfundimit të ndeshjes, kroati dha dorëheqjen nga pankina kuqezi, madje hodhi edhe dyshime për sjelljen e lojtarëve.
Për herë të parë dy skuadrat kanë luajtur më 13.10.1946, teksa Shqipëria ka fituar 1-0 në Tiranë. Ndeshja e fundit me rumunët është ajo e dy viteve më parë.
Bëhet fjalë për miqësoren e luajtur më 31.05.2014 në Yverdon të Zvicrës, ku kuqezinjtë humbën 0-1 falë golit të Razvan Rat.
Tashmë pas 68 viteve pa fitore, Shqipëria ka shansin të bëjë historinë në një përballje ndaj skuadrës së Angel Jordaneskut.
Rastësia bëri që ekipet të sfidonin njëratjetrën në Europianin e Francës, pikërisht në pjesëmarrjen historike të kuqezinjve. Kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi do të përcaktojë skuadrën që pritet të renditet në vendin e tretë.
Për këtë pozicion Rumanisë i mjafton edhe një pikë, ndërsa Shqipërisë i duhet vetëm fitorja për të shpresuar te llogaritë që do të bëhen për katër të tretat më të mira.
Shanset - Nga grupi A, ku bën pjesë edhe Shqipëria, ka siguruar kualifikimin Franca, që në dy ndeshjet e para grumbulloi gjashtë pikë. Mirëpo, tashmë në lojë nuk është vetëm vendi i dytë, që mbahet përkohësisht nga Zvicra me katër pikë.
Në bazë të rregullores së Europianit, katër vendet e treta më të mira do të kualifikohen për më tej. Në këto kushte, shpresat e Shqipërisë për një kualifikim të mundshëm janë ende gjallë, por gjithnjë nëse mposht Rumaninë.
JORGIS MEMO