Edhe Ilir Meta shkoi në zonat e përmbytura të Fierit. I dëgjoi vetë banorët për hallet që kishin. Dhe për t’u treguar se qëndron pranë tyre ai iu hakërrye një drejtuesi lokal. Thërret Sekretarin e Përgjithshëm të Prefekturës dhe para publikut i thotë se nuk e ka marrë me vete “për kollaron” që mban dhe i kërkon llogari se përse nuk i ka siguruar një dyshek një banori të përmbytur. Meta vetë u shfaq pa kravatë në fshatin Ferras, ndryshe nga sa bëri kryeministri Rama në vizitën e parë që zhvilloi në Novoselë të Vlorës. Por të pranishmëve, më shumë se thjeshtësia e Metës, u bëri përshtypje komunikimi i tij me një zyrtar. Shikojeni vetë në videon e mëposhtme se si i drejtohet Kryetari i Kuvendit dhe kreu i LSI –së Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës, i cili, i gjendur nën sulmin numrit 2 të koalicionit qeveritar, nuk ka asnjë mundësi që t’i shpjegojë situatën, por vetëm të bëhet dekor i inskenimit inatçor të Metës.