Imazhet e veprave të tij skulpturore i marrin subjektet nga frutat, perimet, bota nënujore si: molla, shega, speci, hudhra, veza, peshku nga automobilat etj., por vëmendjen e tij si artist e ka fokusuar te njeriu, te figura njerëzore, te gjeneza e popullit tij, tek origjina e lashtë ilire, për të cilët ka krijuar dhe ekspozuar një cikël të veçantë. Ky është skulptori Ilirian Shima, i cili po prezanton në Galerinë Kombëtare të Arteve për ekspozitën “Farajon”. Artisti shqiptar prej 23 vjetësh banonte dhe krijonte në Greqi. Vepra e Ilirian Shimës të ofron silueta e volume interesante e shpesh befasuese. Delikatesa në mënyrën e trajtimit të mermerit, forma e mbyllur dhe gjetja e përmasave kanë krijuar vepra skulpturore mjeshtërore. Një rëndësi në realizimet e veprave të Shimës ka dhe përzgjedhja e ngjyrës edhe e materialit cilësor të mermerëve që ai përdor për gdhendje.
Shpesh të krijohet ideja se veprat e tij janë të modeluara me “plastelinë të butë”, magjia e kalimit të formave natyrshëm, por me mjaft mjeshtëri të befason dhe të mban gjatë para veprave të skulptorit për t’i admiruar. Vepra e Ilirian Shimës me titull “melody” (ekspozuar në Berlin dhe Athinë), tërhoqi vëmendjen e kritikës në vitin 2005, kjo vepër dhe ajo me titull: “Briharpa” e punuar gjatë këtij viti posaçërisht për këtë ekspozitë është një ndërthurje e veprës skulpturore me muzikën. “Briharpa” ka brenda saj një altoparlantë muzikor dhe së bashku me dy të tjerë “Melody”, vendosen në formë trekëndëshi. Kompozitori shqiptar Norbert Mazi, tashmë me banim në Kanada ka kompozuar posaçërisht një ninullë, e cila do të dëgjohet nga altoparlantët e instaluar në këtë vepër arti. Kjo vepër arti me dimensione të veçanta ka mundësinë e krijimit të një komunikimi më pranë publikut me formën e saj dhe me tingujt muzikorë që ajo përhap.
Një nga idetë e autorit Ilirian Shima është që në skulpturë në mënyrë sintetike- artistike të jepet ideja e krijimit të ilirit, si imazh dhe personazh nga është dhe vetë origjina e shqiptarit Ilirian Shima. Artisti Shima ka realizuar vepra kushtuar organeve riprodhuese njerëzore (mashkullore dhe femërore), duke sjellë kështu një thyerje tabuje në pasqyrimin e tyre në art. Ai beson se vazhdueshmëria e shqiptarit ka të bëjë me genin e tij, duke i besuar fuqisë së riprodhimit biologjik. Nga kjo filozofi ai ka realizuar disa vepra në bronx dhe materiale të forta në gur dhe mermer. Kryesisht gjuha artistike që ai përdor është lakonike dhe simbolike. Vepra e tij i kushtohet njeriut nëpërmjet një gjuhe shumë konvencionale plastike. Arti i tij është komunikues, por për një spektator elitar. Artisti Ilirian Shima adhuron formën, siluetën dhe botën e njeriut. I gjithë arti i tij sillet rreth këtij trekëndëshi. Në periudhën 23-vjeçare të krijimtarisë së Shimës në Athinë vërejmë se ai pasi njihet me artin klasik grek, me monumentet, qendrat historike, muzeumet e galeritë e artit modern. Ai zgjodhi rrugën e një krijimtarie të veçantë pa imazh njerëzor, pa heronj dhe mite. Ai me fantazinë e tij kërkoi vite e vite me radhë magjinë e formës në objektet e thjeshta, të përditshme jetësore. Ai mund të cilësohet si skulptori i erotikës.
Veprat e Ilirian Shimës janë kryesisht në dimensione modeste, por padyshim të ofrojnë emocione të fuqishme nga mënyra e këndvështrimit dhe zgjidhjeve kompozicionale. Ai është një skulptor modern në gjithë krijimtarinë e tij. Ekspozita e Shimës është e para në GKA dhe në Shqipëri. Artisti ka ekspozuar me sukses në galeritë e njohura të Athinës: ”Teny”, “Monohoro”, “Aenaon”, “Titanium”, “Vourkariani”, “Helexpo”etj. Skulptori Ilirian Shima u formua dhe diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, në degën e skulpturës së aplikuar. Në Shqipëri ai ekspozoi fare pak dhe ekspozitën e tij të parë vetjake e çeli në vitin 1991 në Athinë në Galerinë “Olga Georgandea”. Ai kthehet në Shqipëri pas 23 vitesh me një koleksion të zgjedhur prej 46 veprash duke filluar nga viti 1990-2014.