Shkaku kryesor i divorcit? Nuk te dua me!

Shkaku kryesor i divorcit? Nuk te dua me!
“Përjetë bashkë në të mirë e të keq” që të tërë e pohojnë para zyrës së gjendjes civile, vjen një moment kur del se nuk paska qenë thënë seriozisht. Përndryshe, çfarë kuptimi ka që në shtatë muaj në Gjykatën e Tiranës ka pasur 700 çifte të ndarë. Duket sikur të  divorcohesh tashmë është kthyer në modë. Madje më keq se modë, është kthyer në një proces të ngjashëm me, “po iki të blej bukën”. Çdo vit e më shumë rritet numri i personave të cilët drejtohen në dyert e gjykatës për t’i dhënë fund ligjërisht kurorës së tyre martesore. Paditë civile me objekt: “zgjidhje martesë”, që vijnë e regjistrohen pranë sekretarisë së organit gjykues janë gjithmonë më të shumta. Ata që ngrenë padinë në më të shumtën e rasteve janë meshkuj, por vitet e fundit është shtuar ndjeshëm edhe numri i femrave të cilat marrin guximin për ti dhënë “duart” bashkëshortit e kjo për një sërë arsyesh. Po ti hedhësh një sy këtyre çështjeve të gjitha fillojnë me; “Janë lidhur me njohjen dhe pëlqimin e tyre reciprok pasi kanë kaluar x vite martesë në çift kanë filluar grindjen dhe mosmarrëveshjet…”. Në statistikat e marrë nga ky organ vihet re se është rritur shumë mosha e personave që ndahen, që do të thotë, nuk divorcohen vetëm ata që kanë pak vite martesë, por edhe ata që kanë mbi 20 vjet dhe habia në të tilla raste është arsyeja që i ka çuar këta çifte në dyert e gjykatës; Mos përputhje karakteri. Pas më shumë se 20 vjetësh jetë bashkë kuptojnë se kanë mospërputhje…

Gazeta ka siguruar disa nga vendimet e divorceve dhe fabulat e tyre të ndarjes janë nga më të ndryshmet… duke filluar që nga besnikëria e deri kushtet ekonomike, emigrimi. Në njërën prej tyre lexohet se:

“Martesa e midis burrit dhe gruas është lidhur pas një periudhë njohjeje rreth një vjeçare. Fruti i martesës midis tyre është vajza, A. Sipas shpjegimeve të të vetë bashkëshortit i cili ka paraqitur edhe kërkesën për divorc, marrëdhëniet bashkëshortore kanë qenë relativisht të mira, kurse grindjet dhe acarimi i tyre kanë filluar në vitin 2008. Shkaqet e kësaj gjendjeje, sipas tij, ishin grindje të filluara pa ndonjë arsye thelbësore, apo pakënaqësia që ajo shfaqte për kushtet dhe mënyrën e jetesës. Gjithashtu sipas bashkëshortit, gruaja e tij ishte shumë impulsive dhe nevrike, çka ndikonte në humbjen e qetësisë së dëshiruar familjare. Si pasojë e kësaj gjendje debatet ndërmjet tyre u bënë edhe më të shpeshta dhe në këtë mënyrë ajo u largua nga banesa, duke braktisur bashkëshortin dhe vajzën e tyre. Në këto kushte kur bashkëjetesa është ndërprerë, për shkak të grindjeve dhe mosmarrëveshjeve të shumta, martesa e ka humbur funksionin dhe qëllimin e saj dhe ajo duhet të zgjidhet edhe nga ana ligjore”.  Këto janë shkaqet e njërës prej 700 padive në gjykatë. Ajo që të bie në sy është se gjykata para se ta kalojë çështjen për shqyrtim ka një seancë pajtimi, ku i kërkon çifteve të reflektojnë dhe të shohin mundësin e ribashkimit. Me gjithë këto përpjekje numri i çifteve që ka ndryshuar mendjen në seancat e pajtimit është zero.

Arsyet

Varfëria, tradhtia, emigrimi, janë disa nga arsyet që i çojnë njerëzit drejt divorcit pa e mbajtur deri në fundit premtimin që i kanë dhënë njeri-tjetrit për të ndarë jetën bashkë. Por ajo që është vënë re nga avokatet dhe gjyqtarët, kohët e fundit është shtuar një tjetër arsye që i çojnë çiftet në divorc… Ai ose Ajo nuk e duan më njëri-tjetrin. Mes tradhtisë, krizës ekonomike, dhunës fizike e psikologjike dhe emigracionit në zyrat e gjykatës dëgjohet gjithmonë e me shpesh fjalia: ‘nuk të dua më, kaq ishte…!’ Kur vejnë puna te emigrimi, ka sjellë pasoja të rënda sociale në familjet shqiptare. Tashmë, gjysma e kërkesave për divorc kryhet nga gratë që jetojnë vetëm për një periudhë të gjatë kohe. Rastet kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ata pa fëmijë, e deri tek ata bashkëshortë që kanë më tepër se pesë fëmijë. Çështjet e tradhtisë bashkëshortore, të cilat dikur ishin të vetmet që çonin çiftet shqiptare në divorc, tashmë zënë një përqindje të vogël. Sipas të dhënave statistikore të Gjykatës së Tiranës, shifrat rriten, kjo dhe për shkak të rritjes së popullsisë së kryeqytetit. Megjithatë, shifrat janë dyfishuar po t’i krahasohen me tri ose katër vite më parë.

Ai 62 vjeç, ajo 58 vjeç, pas 34 vjetësh martesë, divorcohen për mospërputhje karakteri

Janë lidhur në martesë në 9 maj të vitit 1977. Gjatë martesës kanë lindur dy fëmijë. Tashmë në moshë madhore. Pas 34 vjetësh martesë ka qenë gruaja ajo që i është drejtuar gjykatës për t’i dhënë fund jetesës së saj dy çerek shekulli me bashkëshortin. Sipas saj në vendimin e gjykatës shkruhet se; Martesa me bashkëshortin në fillim ka funksionuar normalisht, por prej disa kohesh, marrëdhënia martesore midis tyre është cënuar rëndë për shkak të sjelljes të paditurit. Nga pikëpamja faktike të dy bashkëshortët jetojnë të veçuar në të njëjtën banesë. Shkaku i cënimit të raportit martesor ka qenë mospërputhja e karaktereve midis bashkëshortëve e cila ka çuar në ndërprerjen e raportit të bashkëjetesës midis tyre. Rezultoi e provuar në gjykim se marrëdhënia martesore midis çiftit është lëkundur në atë shkallë sa vazhdimi i raportit juridik të martesës është bërë i pamundur pasi kjo martesë e ka humbur qëllimin për të cilin është lidhur për sa mungon një nga elementët e saj esencialë të saj, bashkëjetesa. Gjykata çmon të evidentojë faktin se, gjatë shqyrtimit të kësaj çështjeje, mbi kërkesën e bashkëshortit i cili pretendoi mundësinë e pajtimit me gruan, Gjykata e shtyu disa herë gjykimin për t’u dhënë mundësi në arritjen e pajtimit. Gjatë hetimit gjyqësor ishte gruaja ajo që insistonte në zgjidhjen e martesës por pa dhënë shpjegime për ato që ajo i konsideronte “arsye madhore për zgjidhjen  e kësaj martese”. Togat e zeza nuk mundën të bindnin për pajtim këtë çift dhe vendosi  shpalljen e menjëhershme të zgjidhjes së martesës në datën 10 mars 2011.

Ndahet nga burri se ikte nga shtëpia “pa leje” dhe luante bingo

Bashkëshortja deklaroi se i padituri ka frekuentuar rregullisht lojrat e fatit ku shpenzonte të gjitha të ardhurat e familjes. Gjithnjë sipas saj, bashkëshorti nuk ka qenë korrekt në marrëdhënien me të për shkak se largohej nga banesa pa bërë me dije se ku ndodhej. Fillimisht, sipas paditëses, ai kthehej vonë në familje por me kalimin e kohës filloi të mos kthehej për disa dite me radhë. Për këto shkaqe grindjet dhe mosmarreveshjet mes tyre kanë qenë të vazhdueshme deri në momentin e ndërprerjes së bashkëjetesës ligjore me largimin e të paditurit në vitin 2007 nga banesa bashkëshortore. Pas përpjekjeve disa mujore për rivendosjen e marrëdhënieve me bashkëshortin e saj, në fund te vitit 2007 është larguar nga banesa bashkëshortore edhe gruaja. Që nga ky moment është ndërprerë tërësisht edhe komunikimi mes tyre.

Shkaku i divorcit? Nuk të dua më!

Më shumë se të mos qenit besnik me partnerin, tani fjala që thuhet më shumë kur një çift ndahet është; Nuk ndjej më për ty, mbarojë dashuria. Me pak fjalë, “nuk e dua më” është në krye të listës së frazave më të shpeshta të përmendura si shkak për ndarjen apo shkurorëzimin e një çifti. Sipas një vëzhgim të gazetës nëse më parë përqindja më e madhe e ndarjeve ishin marrëdhëniet jashtëmartesore, gjendja ekonomike, emigracioni, tashmë në fjalorin e divorceve në Gjykatën e Tiranës është vendosur edhe fjalia; Nuk të dua më!.

700

Kërkesa për divorce kanë ardhur në shtatë muaj në Gjykatën e Tiranës. Çdo vit e më shumë rritet numri i çifteve që i japin fund martesës së tyre në dyert e organit gjykues. Sipas të dhënave në një ditë ndahen katër të martuar

80

Përqind e atyre çifteve që përplasen në dyert e gjykatës janë ose adoleshentë të sapomartuar, burra që kthehen nga emigrimi dhe bashkëshortet i kanë braktisur, apo ato çifte që përballen përditë me problemet ekonomike në familjet e tyre.

Britani

Facebook, shkak për divorcet

Facebook është duke u konsideruar fajtori kryesor për ndarjet në rritje të çifteve, pasi që tani tradhtitë po bëhen ‘online’. Ndarjet vijnë si pasojë e mundësisë së shtuar për palët që pasi takojnë njerëzit, të flirtojnë me ta. Nga ana tjetër, nëse përshembull mashkulli shikon fotot e ndonjë vajze, flet me të në ‘chat’ dhe krijon lidhje, atëherë për të dashurën e tij është më lehtë që ta zbulojë, pasi që për këtë shfrytëzohen profliet e rrejshme. Avokatët që aranzhojnë divorcet në Britani këshillojnë çiftet e prekura që të mos përdorin Facebook-un, në mënyrë që të shmangin kontaktet me njerëzit e rinj dhe me ish-të dashurit. “Bashkëshortët të cilët kanë pasur dyshime për martesat e tyre kanë spiunuar dhe kanë gjetur dëshmi për aferat, të cilat kanë çuar drejt ndarjeve”, ka thënë Emma Patel e institutit Hart Scales & Hodges Solicitors për “The Sun”. “Ne këshillojmë çiftet të heqin dorë nga faqet si Facebooku derisa të jetë zgjidhur divorci i tyre”, përfundoi ajo.

Itali

Kafshët shtëpiake shtojnë divorcet

Një nga shkaqet e numrit të lartë të divorceve në Itali janë edhe kafshët shtëpiake. Miqtë më të mirë të njeriut shpesh hërë kthehen edhe në armiq për një çift dhe në Itali janë identifikuar shumë raste të tilla si përshembull, ai në Milano ku inxhinieri zgjodhi ta ndante krevatin me qenin dhe jo me bashkëshorten, ndërsa kirurgu në Bergamo i’u kushtua aq shumë maces sa harroi bashkëshorten. Për të mos folur këtu për rastin e bashkëshortit nga Veneto të fiksuar pas gjarpërinjve dhe atë të bashkëshortit që pavaresisht alergjisë që gruaja e tij kishte nga macet, nuk arrinte të shkëputej nga felini. Brenda një viti, rreth 1 mijë çifte kanë kërkuar ndihmen e shoqatës së kafshëve dhe ambientit, prej të cilëve 207 kanë pranuar se shkak i ndarjes janë bërë kafshët. Milano qëndron në krye të listës me 247 divorce dhe më pas vijnë Roma, La Spezia, Brindisi, Alessandria, Brescia, Parma, Perugia dhe Ancona. “Gjeja që të bën më shumë përshtypje është se disa çifte u kushtojnë kafshëve po aq kujdes sa mund t’u kushtojnë një fëmije”, shprehet ambientalisti Gian Ettore Gas¬sani. Ky fenomen nuk u ka shpëtuar as shkrimtareve. Kështu, Jay McInerney ka publikuar një përmbledhje të titulluar “Në krevat me derrat”, ndërsa Stephen Bergman pyeste një javë më parë në një analizë në “Boston Globe”: A janë qenët shkak divorcesh?
 
Japoni

Të festosh divorcin!

Të festosh kur divorcohesh? Po, po. Megjithëse nuk është moment i lehtë në jetën e njeriut por ka ardhur që të ngrihet që të ngrihet një “dolli” për të. Kudo në botë prej mijëra vitesh riti i martesës, pra i lidhjes mes një mashkulli dhe një femre është ndër më të festuarit, më tradicionalët dhe më të zakonshmit. Por ka vende në të cilat tashmë po kthehet në rit edhe momenti i divorcit. Japonia është vendi “pionier” i një “festimi” të tillë. Në rastin e ceremonisë së divorcit nuk bëhet fjalë për shumë përgatitje paraprake, e për më tepër të gëzueshme, sepse në fund të fundit është duke u “celebruar” fundi i një lidhjeje dhe jo një lidhje të re. Në ceremoni të tilla çifti jo i lumtur dhe të afërm të tij zakonisht pinë çaj në një ceremoni që shumëkujt mund t’i duket sureale. E gjithë kjo për t’i dhënë lamtumirën lidhjes.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama