Kuvendi është mbledhur sot, ku në rendin e ditës janë vetëm dy projektligje për t’u votuar si dhe një interpelancë me ministren e Arsimit e kërkuar nga deputetët të LSI-së, Kejdi Mehmetaj. Ndërkohë, opozita vendosi sot për qëndrimin që do të mbajë për marrëdhëniet që do të ketë me Parlamentin. Grupi kuvendor demokrat është mbledhur nën drejtimin e kryetarit të PD-së dhe ka vendosur të mos bojkotojë punimet e Kuvendit, por do të ketë një marrëdhënie të kushtëzuar me të.
Ndërkohë, në nisje të seancës kreu i Kuvendit, Ilir Meta, lajmëroi deputetët se javën tjetër e viziton vendin tonë presidenti i Italisë Giorgio Napolitano. “Në datat 4 dhe 5 mars do të vizitojë vendin tonë presidenti i Italisë Giorgio Napolitano, i cili do të mbajë edhe një fjalë në sallën e seancave ditën e mërkurë në orën 11:30?, tha Meta. Gjithashtu në Kuvend u betua edhe deputeti i ri i LSI-së për qarkun e Durrësit Bujar Derveni.
Debate në Parlament për shkarkimin e Zana Xhukës
Opozita ka sulmuar qeverinë në lidhje me shkarkimin e ish-kryeinspektores të ILDKP-së, Zana Xhkua. Deputet demokratë kanë thënë se, kryeministri ka pushtuar institucionet e pavarura, duke shkelur në këtë mënyrë kushtetutshmërinë.
Gjatë fjalës ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar mazhorancën se, me veprimet që bën po dhunon çdo ditë standardet evropiane dhe demokratike. Duke, iu referuar shkarkimit të kryeinspektores së ILDKP-së Zana Xhuka, Berisha e cilësoi vendimin e Kuvendit si nazist. “Ne mblidhemi sot në një ditë më të rëndë në historinë e Parlamentit. Ne mblidhemi këtu pasi Parlamenti një javë më parë bëri një votim të tipit nazist duke shkarkuar kryeinspektoren e ILDKP-së. Javën e kaluar, shumica i mori pushtetin Presidentit të Republikës. Rama ka dhunuar një nga një nenet e Kushtetutës së Republikës. Kjo seancë po dëshmon fundin e këtij Parlamenti pasi po dhunohet rregullorja e Kuvendit, duke mos i lënë opozitës hapësirë për të folur. Maxhoranca me veprimet që bën po dhunon çdo ditë standardet evropiane dhe demokratike”, tha Berisha.
Deputeti i PD-së, Eduard Halimi, ka folur me shkarkimin e ish-kryeinspektores Zana Xhuka, duke thënë se qeveria po pushton institucionet e pavarura. Halimi kërkoi nga Kuvendi të anulojë shkarkimin e kryeinspektores së ILDKP-së Zana Xhuka. “Një javë më parë ky Kuvend u kthye në ‘gijotinë’ dhe shkarkoi kryeinspektoren e ILDKP-së, Zana Xhuka. Ajo u shkarkua se i kërkoi kryeministrit të japë llogari për pasurinë e tij. Ky Kuvend nuk mund të ketë tjetër axhendë, vetëm të kthejë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë”, tha Halimi.
Kryeparlamentari Ilir Meta kërkoi respektimin e rregullores dhe minutazhit për çdo deputet. “Jam unë tolerant dhe ju shkelni rregulloren. Antimitingun e keni me Bashën, jo me ne”,- iu drejtua Meta deputetëve të opozitës.
Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, kreu i grupit të PD-së Edi Paloka i bëri thirrje mazhorancës të tërhiqet nga vendimi për shkarkimin e Zana Xhukës nga drejtimi i ILDKP-së, për të kthyer, siç tha ai, Parlamentin në kushtetutshmëri. “Jemi këtu për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve që ju po i shkelni përditë me këmbë. Ktheni në këtë Parlament kushtetutshmërinë, ktheni mbrapsht të gjithë atë procedurë që keni ndjekur herën tjetër, një procedurë e turpshme. Bëni mirë të tërhiqeni shpejt, sepse do të jetë shumë vonë. Riktheni ligjin, sepse jemi përballë një situatë vërtet të rëndë. Kërkoni integrimin e Shqipërisë, po ç’integroni shtetin shqiptar”,- deklaroi Paloka.
Topalli akuza ndaj Ramës: “Zoti kryeministër mos fol pas shpinës time, bëhu njëherë burrë dhe dil fol. Është e turpshme. Kryeministri zgërdhihet, shan, i turret opozitës, një minimum edukate duhet ta tregosh përpara deputetëve dhe shqiptarëve. Ti je kryeministri më i pafytyrë që mund të ekzistojë, dil dhe fol përballë dhe mos belbëzo aty mbrapa duke fyer e duke kërcënuar. Mos fol pa leje, je kryeministri më qesharak që ky parlament ka parë ndonjëherë”.
Protesta para Parlamentit
Ndërkohë, në orën 10:00 u zhvillua edhe një protestë përpara Parlamentit nga punonjësit e shkarkuar nga administrata, të cilët kërkojnë rikthimin në punë. Më pankarta ku shkruhet “Na mashtruat”, “Ku ma ke konkursin”, “Deputet mos shkel ligjin”, protestuesit u kërkojnë deputetëve zbatimin e ligjit të nëpunësit civil dhe rikthimin e tyre në punë. Ish-punonjës të administratës pretendojnë se janë larguar padrejtësisht nga puna. Ata paralajmërojnë përshkallëzim të protestave, në rast se nuk do të ketë asnjë reagim për shqetësimin e tyre.
Ndërkohë, pak ditë më parë qeveria u hoqi shpresat të shkarkuarve nga puna në administratë për një rikthim, pas rrëzimit nga Gjykata Kushtetuese të aktit normativ për nëpunësin civil. Sipas ministres për Inovacionin dhe Administratën, Milena Harito, kjo gjë është e pamundur, pasi largimet nga puna këta 3 muaj nuk kanë shkelur asnjë ligj, po ashtu dhe emërimet e reja.
Gjykata Kushtetuese rrëzoi aktin që shtynte hyrjen në fuqi të ligjit të ri të administratës, por ende mbetet e paqartë se ç'do të bëhet me të ikurit. Zgjidhja për këta të fundit duket se do të vijë vetëm nga Gjykata Administrative, e cila u jep zgjidhje konflikteve ligjore mes punonjësve të administratës dhe shtetit