Shkarkimi i konsullit u firmos nga Rama

Shkarkimi i konsullit u firmos nga Rama

Zbulohet dokumenti për lirimin nga detyra të Dritan Mishtos nga konsullata në Nju Jork. S’ka motivacion. Lirimin nga detyra të konsullit të Përgjithshëm të Shqipërisë në Nju Jork e ka firmosur Kryeministri Edi Rama. Gazeta “Panorama” disponon urdhrin për lirimin nga detyra të Mishtos, të firmosur nga Kryeministri Rama ditën e parë që Kryeministri dhe ministri i Jashtëm nisën vizitat në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Urdhri mban Nr. 139 të datës 20 shtator 2013 dhe në të thuhet: Urdhër për lirim nga detyra: Në mbështetje të pikës 3 të nenit 102 të Kushtetutës dhe të pikës 5 të nenit 21 të ligjit Nr.9095 “Për shërbimin e jashtëm në Republikën e Shqipërisë”, urdhëroj: Zoti Dritan Mishto, konsull i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë në Nju Jork, të lirohet nga kjo detyrë. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë. Mësohet se shkarkimi i Mishtos ka qenë nga vendimet e para të shkarkimit të konsujve të Shqipërisë në botë, pjesë e shërbimit të jashtëm.

Ai është shprehur për “Panorama” se nuk i kanë komunikuar asnjë motivacion apo dobësi në punën e tij që do të justifikonte lirimin nga detyra, ndërsa e cilëson si hakmarrje personale. Rastësi ose jo, vendimi i shkarkimit të konsullit të Përgjithshëm në Nju Jork është bërë ditën kur Mishto ka nisur shoqërimin e Presidentit Nishani gjatë vizitës së tij disaditore në SHBA.

Mishto, me detyrën e konsullit, ka mbuluar të gjithë axhendën e vizitës dhe takimeve të Presidentit Nishani, i cili ishte fokusuar kryesisht në takimet dhe pritjet me diasporën e re dhe të vjetër shqiptare në SHBA. Me këtë vendim, edhe pse kishte përgatitur të gjithë axhendën e takimeve të Presidentit, Mishto ka qenë i shkarkuar nga ministri i Jashtëm dhe Kryeministri Rama, i cili në axhendën e tij kishte takime të nivelit politik dhe diplomatik në Nju Jork. Dritan Mishto, i cili në 2005 punoi si zëdhënës i kryeministrit Berisha, u emërua në vitin 2007 fillimisht drejtor për Europën dhe Azinë në Ministrinë e Jashtme dhe më pas diplomat në Ambasadën Shqiptare në Uashington DC.

Në vitin 2010, duket se ka qenë përplasja e parë e kryetarit të asaj kohe të opozitës dhe diplomatit shqiptar në Uashington. Në mars 2010, gjatë bojkotit parlamentar socialist, Edi Rama mbajti një fjalim në Institutin e Paqes në Uashington DC, në prani të zyrtarëve të lartë nga Kongresi, Pentagoni, Departamenti i Shtetit etj. Ndërsa Mishto ka paraqitur aty qëndrimin e qeverisë ndaj bojkotit dhe pretendimit të opozitës për votat dhe rezultatin. Gjatë ndërhyrjeve të tij, Rama u është shprehur pjesëmarrësve se Mishto ishte një kopje e shëmtuar e kryeministrit Berisha.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama