Dje u festua Dita Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore. Në raste të tilla lajmërohet hapja e muzeve dhe organizimi i nja dy guidave drejt monumenteve. Pikësynimi: afrimi i publikut dhe ndërgjegjësimi për ruajtjen e tyre. Në këtë mes do të hynin në lojë strategjitë afatgjata të trashëgimisë, qoftë për punën informuese, por edhe atë në terren, në pikat ku shkatërrimi kërcënon vazhdimisht. Por mjafton të marrim rastin e Korçës për të kuptuar imazhin që ka publiku i gjerë për mënyrën se si sistemi i trashëgimisë funksionon te ne. U shemb shtëpia e Themistokli Gërmenjit ku u ngrit flamuri i Krahinës Autonome të Korçës. Zhurmë e madhe, policia u vu në lëvizje, u tha se shembja ishte e qëllimshme, u tha se edhe do ta rindërtonin.
Deri më tani nuk ka asnjë fajtor dhe rindërtimi prite kur të bëhet. Drejtori i Institutit të Monumenteve, institucioni qendror i trashëgimisë, Apollon Baçe, për këtë rast doli me një deklaratë të tipit që banesa nuk ka ato vlera që i vishen. Qëndrime të tilla nuk janë të panjohura për të edhe në raste të mëparshme. Nuk kalojnë pak javë dhe muret e dy banesave të tjera, monumente të kategorisë së parë, shemben në zonën e pazarit të vjetër të qytetit. Dyshohet sërish për shembje të qëllimshme. Me siguri edhe në këtë rast nuk do të ketë një fajtor. Motoja është e qartë: shkatërro një ngrehinë (shumë janë kthyer të tilla nga mungesa e gjatë e ndërhyrjeve) dhe ngri një pallat. Në Korçë mund të ndiesh vetëm keqardhje dhe pafuqi për t’u dalë ndesh “të fortëve”. Shtëpinë e flamurit e kisha parë dhe fotografuar më parë, kur shkallët anësore i ishin prishur. Një vit më vonë pashë edhe ca pjesë të dëmtuara, ndërsa herën e fundit rastisa po atë ditë që u shemb e pashë një pirg gurësh, para të cilit njerëzit ndalonin hapat, dikush bënte edhe shenja që një gjë e tillë pritej dhe iknin. Po kështu me shkollën e parë të vajzave.
Nga ngrehina që po jepte shpirt, nuk pashë më as pirg gurësh, ishin pastruar. Pas 20 viteve tranzicion, ku një pjesë e mirë e arkitekturës së vjetër është zhdukur, çdo shembje është shumë më e dukshme se restaurimet, fondet që jepen për restaurime, të cilat nuk mungojnë. Në fakt, veç të tjerash është bërë e vështirë të marrësh edhe informacion. Instituti i Monumenteve të Kulturës është tashmë një institucion i mbyllur, ku nëse nuk flet drejtori, asnjë specialist nuk e ka tagrin. Të gjitha argumentet të çojnë drejt pohimit të sigurt se sistemi i trashëgimisë është në ngërç. Pse? Ish-drejtori i IMK-së, Lorenc Bejko, në një intervistë të shkurtër rendit disa arsye. Në fakt e bezdis ndjesia e të folurit çdo herë për një problem, për të cilin zgjidhja nuk duket në horizont.
Pse kemi një sistem trashëgime të zënë në ngërç?
Çështja e funksionimit apo mosfunksionimit të sistemit të trashëgimisë është shumë komplekse. Askush nuk e ka iluzionin se duhet të zgjidhet brenda një viti, por mua më ka shqetësuar fakti që këto 4-5 vitet e fundit nuk ka një strategji afatgjatë për zhvillimin e sistemit. Mungon në radhë të parë profesionalizmi. Të gjithë shpresonin që ky problem do të përmirësohej nga viti në vit, nga një drejtues te një titullar tjetër, por po ndodh e kundërta. Ka politizim të tejskajshëm, ndarje, parcelizim, si në çdo fushë tjetër të ekonomisë dhe administratës publike. Kështu ky problem nuk zgjidhet as me intervista dhe as me dëshirën e mirë të një njeriu, por me vullnet të qëndrueshëm politik. Kemi përshtypjen e një sistemi që nuk funksionon, që nuk është i aftë të luajë rolin e vet në mbrojtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë.
Ju ishit një nga ata që e kundërshtuan reformën ku Instituti i Monumenteve do të merrte të gjitha kompetencat. A e ka paralizuar kjo situatë gjendjen?
Roli i institucioneve brenda ingranazhit të sistemit të madh të trashëgimisë ka dhënë ndihmën e vet në gjendjen amorfe dhe mosnxitjen e veprimit. Është shqetësuese që këto 2-3 vitet e fundit, Instituti i Monumenteve të Kulturës, për mënyrën se si po funksionon, do të thotë një njeri i vetëm. Nga ana tjetër, kemi raste flagrante si në ish-shtëpinë e pionierit në Shkodër, ku drejtori i IMK-së, në kundërshtim flagrant me ligjin dhe jashtë kompetencave ligjore të tij, firmos projekte pa u miratuar në Këshillin Kombëtar të Restaurimit. Shkelet ligji dhe në një monument të shkatërruar u hapet rrugë ndërtimeve shumëkatëshe. Ai mesazh që u dha në Shkodër vazhdoi në Korçë. Në këtë rast, funksionimi me qëllim i gabuar i sistemit jep mesazhe të gabuara te shoqëria. Risia e vetme e IMK-së në këto vite, është që tani po bëhet institucion që heq nga lista monumentet për interesa rajonale, të dyshimta apo me vendimmarrje politike dhe në kundërshtim me funksionin themelor që ka.
Si do të jenë qendrat historike në të ardhmen?
Falë këtyre vendimeve që merr IMK-ja, ku prishen banesa të vjetra, për ndërtime të reja, do të jetë e vështirë që në krye të 10 vjetëve të ketë qendra historike. Korçës mund t’i thuash pa frikë Patos apo Ballsh, sepse nuk e ka më traditën historike. Nga ana tjetër, janë shumë shqetësuese ndërhyrjet restauruese që bëjnë institucionet e specializuara. Në shumicën e tyre janë të pastudiuara dhe në disa parametra shkencorë jashtëzakonisht të dyshimta. Qendra historike, si Gjirokastra e Berati që janë nën monitorimin e UNESCO-s, po transformohen falë këtyre ndërhyrjeve që bëhen brenda rregullave formale, ku IMK-ja miraton vendimin që të transformojë fasada, projektime urbane. Po shkaktohet një dëm i madh që akumulohet çdo vit e që do të çojë në transformim të qendrave historike. Gjithçka tashmë justifikohet me një fotografi të vjetër, shpeshherë edhe të manipuluar. Nga ana tjetër, Drejtoritë Rajonale të Monumenteve nuk i kanë kompetencat e duhura dhe profesionalizmin.
Ka shpresa që ky problem të zgjidhet?
Shpresa ime e vetme është furnizimi i këtyre institucioneve me të rinj që po përgatisim në degën e trashëgimisë kulturore, të cilët kanë formimin dhe dëshirën për t’u marrë me trashëgiminë, por duhen mbështetur. Pas dy-tre vitesh ata do të jenë gati të bëhen pjesë e procesit, nëse emërimet nuk do të vazhdojnë të jenë politike.