Fatkeqësisht, në Shqipëri nuk është bërë kurrë asnjë përpjekje sistematike për kërkimin dhe identifikimin e traumave individuale ose kolektive, që burojnë nga e kaluara, veçanërisht prej regjimit stalinist të Enver Hoxhës. Shqipëria mbetet edhe sot e kësaj dite një vend i papajtuar me të kaluarën e vet, duke penguar nën ngërthin e ankthit zhvillimin e natyrshëm të kujtimit ose harresës të së kaluarës, të cilat mbeten në mëshirën e fatit.
Si pasojë, përbindësha dhe hije nga e kaluara, shfaqen dhe rishfaqen në skenën e shoqërisë shqiptare në formë sjelljesh, retorikash, zakonesh të pandërgjegjësuara, por që shkaktojnë tensione të shumta, ndezje gjakrash, aforizma të padebatuara, botëkuptime monolitike dhe shumë, shumë stres. Duke marrë shkas nga trazirat e kohëve të fundit mbi kishën e Shën ?arisë së Pazarit në Përmet, do të tregoj sesi mospajtimi me të kaluarën ka çuar në shkatërrimin banal të një pjese të mirë të trashëgimisë kulturore në Shqipëri për shkak të bezdisë nga asocimi i saj me përvoja traumatike ose frikë të pandërgjegjësuar, pra ndjenja mospajtimi ndaj të kaluarës. Çështja e kishës së Përmetit është par excellence politike, para dhe përmbi vendimeve të gjyqësorit.
Në një studim të 2004-ës, kryer bashkë me arkitektrestauruesin Gentjan Stratobërdha, kemi treguar me dëshmi fotografike nga sondazhe të pjesshme dhe fotografi të vjetra se Pallati i Kulturës ka qenë një modifikim i pjesshëm i strukturës së kishës në fazën e fundit ndërtimore të saj. Për më tepër, kemi treguar sesi tipi i kishës, mjaft i përhapur në Ballkan pak më përpara dhe menjëherë pas çlirimit prej Perandorisë Osmane, përbënte arsye të fortë për ruajtjen e saj për nga numri shumë i vogël i kishave të këtij tipi që i shpëtuan marrëzisë komuniste antifetare. Ky studim nuk pati ndikim veçse në qarqe akademike dhe si pasojë, edhe pse vendi i kontestuar ka qenë edhe vazhdonte të jetonte si kishë, Bashkia e Përmetit e kontestoi atë vend të shenjtë dhe pas vendimeve të gjyqësorit, të kontraktojë polici private për ta zbrazur kishën nga objektet e saj me dhunë dhe mënyrë që ngjalli kujtimet e marrëzisë përdhosëse dhe antifetare të revolucionit kulturor të Enver Hoxhës. Theksoj edhe një here se vendi (godina) jetonte si kishë deri në fund, pra, edhe në qoftë se godina nuk i paraqiste më vlerat e saj arkitekturore të mëparshme, ishte e lidhur në përvojat dhe kujtimet e disa njerëzve si kishë (përvoja, kujtimi ose edhe përfytyrimi i një vendi janë të rëndësishme duke u përbërë pjesë e trashëgimisë së paprekshme kulturore). Por çfarë çoi në një veprim të këtillë, politikisht jo të urtë, në vitin 2013? Mospajtimi me të kaluarën, mungesa e kërkimit, identifikimit, trajtimit, diskutimit publik dhe të ndërgjegjësimit mbi ngjarjet traumatike nga e kaluara – tek e fundit mosmenaxhimi i kujtimit dhe i harresës të së kaluarës – bënë që sjellje, retorika dhe zakone të lidhura për disa njerëz me praktika të së kaluarës të përsëriten. S’kemi të bëjmë me një praktikë të re.
Shkatërrimi i Tiranës së vjetër
Nën fjalën e një tiranasi të moshuar se “Tirana u shkatërrua prej jabanxhinjsh” dikush mund të dallojë edhe ‘jabanxhinj’ brendapërbrenda Shqipërisë që erdhën në Tiranë, si p.sh., Ahmet Zogolli, i mëvonshmi mbreti Zog I, edhe të tjerë syresh të ardhur nga jashtë, si p.sh., arkitektët italianë të “Shoqërisë për Zhvillimin Ekonomik të Shqipërisë”. Qysh prej viteve 1920, arkitektë dhe inxhinierë italianë u ftuan në Shqipëri nga Zogu për të larguar “shpirtin e keq” oriental të qytetit dhe për t’i dhënë atij një imazh të evropianizuar. Shumë pak nga karakteri i saj i mëparshëm i mbeti Tiranës, ndërsa bombardimet dhe marrëzia antifetare i asgjësoi ato pothuajse krejtësisht. Vetëm 6-7 monumente të qytetit sot japin një ide si ka qenë qyteti para 1920-ës. Sa është diskutuar publikisht kjo masakër edhe çfarë ndikim ka pasur debati? Besoj se veç specialisteve të njohur në fushë, si Besnik Aliaj, Indrit Bleta, Nikelina Bineri etj., trauma e tiranasve të vjetër për Tiranën e shkatërruar prej ‘jabanxhinjve’ do të mbetet trauma e patrajtuar e tyre për sa kohë tema nuk merr përmasat që i takon.
Shkatërrimi i trashëgimisë kulturore prej regjimit komunist
Mbi këtë çështje është shkruar dhe diskutuar më shumë krahasuar me temën e mëparshme, kryesisht për shkak të prishjes së monumenteve fetare, diskutimit dhe pretendimeve në bazë të saj nga komunitete fetare në Shqipëri dhe nga studiues shqiptarë edhe të huaj. Megjithatë as kjo çështje nuk është edhe aq e hulumtuar ose e debatuar sa duhet. Sa për shembull, vëmë re me pikëllim shfarosjen e folklorit të vjetër shqiptar për fëmijët si ‘zakon prapanik’ dhe zëvendësimin e tij me këngë dhe përralla me përmbajtje socialiste.
Ç’është më tepër shqetësuese se kjo? Në vend që të hulumtohet thellësisht dhe urgjentisht çështja me qëllim gjetjen dhe mbledhjen e këngëve dhe përrallave folklorike (dhe jo popullore) shqiptare përmes kërkimit në botime të vjetra në Shqipëri dhe në diasporë (p.sh., ka një mori punimesh për përrallat e arvanitasve në Greqi), dhe intervistimit të të moshuarve që i mbajnë mend, në vitin 2011 shkrimtari i fëmijëve Pandeli Koçi (i njohur më tepër si Sazan Goliku) e ‘mbyll fushatën’ për rikoleksionimin e trashëgimisë folklorike të paprekshme fëmijërore me frazën: “Vetëm pas Luftës së Dytë Botërore letërsia për fëmijë në Republikën e Shqipërisë dhe në hapësirat shqiptare në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Luginë të Preshevës … do të zhvillohej në sasi e cilësi dhe, si pasojë, edhe kritika letrare e studimet e thelluara për të”, shkëputur nga “Ravgime nëpër kritikën e letërsisë sonë për fëmije”. Traumat e shkëputjes së dhunshme të popullit shqiptar nga folklori i vet fëminor nuk është mbyllur dhe ndoshta s’ka si të mbyllet derisa të rizbulohet kjo trashëgimi, ose të zëvendësohet tërësisht nga folklori i huaj ose vendas – të adoptuar prej monizmit.
Gruaja e një figure të shquar të demokracisë në Shqipëri, tani gjyshe, më tregonte me pikëllim se s’po gjente këngë fëmijësh të pandikuara nga regjimi i Enver Hoxhës. Vetë vjehrra ime po regjistron nënën e saj 92-vjeçare, e cila “di këngë dhe përralla prej vërteti”. A nuk është traumë që nënat ta kenë të pamundur t’u këndojnë nipërve dhe mbesave në gjuhën dhe përmbajtjen që u tingëllonte nënave shqiptare në shpirt para se regjimi totalitar i monizmit të depërtonte deri në djepin e foshnjave?
Shkatërrimi i trashëgimisë komuniste
Monumente nga koha e komunizmit ruhen deri më sot fal ose mbrojtjes nga shteti (p.sh., lapidari i Adem Rekës në portin e Durrësit), ose nga procesi i rikuptimbërjes së monumenteve komuniste, si p.sh., restaurimi i Kodrës së Rilindësve prej Bashkisë së Gjirokastrës para zgjedhjeve të 2011-ës, pas skandalit të përdhosjes së varreve të rilindësve, me qëllime të pastra politike dhe në kontekstin e rimëkëmbjes së nacionalizmit në vend. Edhe pas gjithë këtyre investimeve sot Kodra e Rilindësve mbetet e përdhosur nga grafiti i vendasve, tregues të mungesës së një kuptimi të ri të përbashkët për këtë monument dhe të faktit se Bashkia e Gjirokastrës investoi te monumenti, por nuk investoi te pajtimi i vendasve me të kaluarën duke menaxhuar kujtimin e këtij monumenti. Gjithë trashëgimia tjetër u shkatërrua ose u la në mëshirë të fatit, si çështja e rrëzimit të Piramidës, një nga ngjarjet e fundit.