Dhënia pa kriter e lejeve të ndërtimit tenton të krijojë vatra të tjera ndotjeje të ujërave të Adriatikut, ndërsa sezoni turistik nuk është larg. Alarmi jepet nga Sektori i Higjienës Komunale që gjatë inspektimeve ka konstatuar se komunat e Katundit të Ri dhe Ishmit, gjatë vitit të kaluar, kanë dhënë leje ndërtimi për shumë subjekte pa një studim paraprak. Lejet janë dhënë për ndërtime në zonën bregdetare të fshatit Rinia dhe Gjirit të Lalzit, ku mungon dhe infrastruktura inxhinierike. Në këtë pjesë të bukur të bregdetit të Durrësit mungon rrjeti i kanalizimeve të ujërave të përdorura, përfshirë ujërat e zeza, rrjeti i furnizimit me ujë të pijshëm dhe energjia elektrike. Ndërtimet e reja, në mungesë të kësaj infrastrukture kthehen në ndotëse të ujërave të Adriatikut dhe në këtë pjesë të tij, që deri më sot është shfrytëzuar për virgjërinë e natyrës dhe ujin e pastër. Inspektorati Sanitar Shtetëror në Durrës deklaron se ka ushtruar kontrolle të shpeshta në këto zona dhe ka lënë detyra e hartuar akt-kontrolle për përmirësimin e situatës, si dhe ka vënë në dijeni për të Ministrinë e Shëndetësisë, Prefekturën dhe Këshillin e Qarkut Durrës. Pavarësisht këtyre, ndërtimet vijojnë, pasi subjektet janë të siguruara nga leja që kanë marrë pranë këshillave të rregullimit të territorit në komunat përkatëse. E ndërkohë derdhja e ujërave të përdorur drejtpërdrejt në det pa iu bërë një përpunim paraprak vazhdon të mbetet problem përgjatë vijës bregdetare të Rrethit të Durrësit në drejtim të Kavajës, duke shtuar ndjeshëm ndotjen e ujërave detare. Inspektorët e Higjienës pranojnë se shumë njësi të shërbimit publik, si hotele, motele, bar-restorante etj., nuk janë të lidhur me rrjetin e kanalizimeve, por përdorin gropat septike, shumica e të cilave është parë se janë nën kapacitet, të dëmtuara dhe aspak hermetike. Problematike janë veçanërisht zonat bregdetare që shtrihen nga Plepat në Durrës deri te Shkëmbi i Kavajës.
Këtu është përqendruar një numër shumë i lartë objektesh që ofrojnë akomodim dhe shërbime të tjera për pushuesit. Një tjetër pikë e nxehtë është shëtitorja bregdetare në Durrës, ku ujërat e zeza vazhdojnë të derdhen pranë murit rrethues të portit detar. Inspektorati i Higjienës pranon se këto zona, si dhe kanali kryesor i derdhjeve të ujërave të përdorur, në hidrovorin e Porto Romanos, Hamallaj, derdhjet e Tarinit e lumit Erzen, kanë krijuar një zonë ndotjeje të rrezikshme për faunën, florën dhe turizmin e Durrësit. Mungesa e tualeteve gjatë sezonit turistik gjithashtu është një tjetër faktor ndotës. Investimet e munguara për infrastrukturën dhe disiplinimin e derdhjes së ujërave të ndotur në det përmes impiantit (një projekt i pambyllur ende në Vrrinë), si dhe ndërtimet pa kriter, me leje ose jo, dhe lejet e tjera që vazhdojnë të jepen për ndërtime në bregdet, kanë zbehur fort burimet që natyra me bujari i ka dhënë Durrësit dhe bregdetit të tij.
Vali Qyrfyçi
Nga : Gazeta Shqip