Shkëlzen Berisha reagoi dje pas deklaratave të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, në Parlament. Ai akuzoi ministrin e Brendshëm si personi përgjegjës për vrasjen e gjimnazistit një ditë më parë në Durrës, si dhe për thyerjen e burgut të sigurisë së lartë në Drenovë.
Sipas Shkëlzen Berishës, Tahiri duhet të jepte dorëheqjen. “Në kushte të tilla, ministri e ka parë të udhës t’u thotë njerëzve se fajin për këtë e ka Shkëlzeni”, theksohet në deklaratë. Ai e cilëson Tahirin si një hajdut me imunitet, që sfidon çdo ditë shtetin ligjor duke mos paguar detyrimin që rrjedh nga vendimi i gjykatës për të, e cila e ka dënuar me vendim të formës së prerë për të njëjtat shpifje që përsëriti sot në parlament.
“Ministrit burracak që e siguron veten me eskortë dhe badigardë, ndërkohë që nxënësit vriten ditën për diell, më duhet t’i kujtoj se ndoshta shpifjet e ndihmuan për të mashtruar njerëzit në 23 qershor, por ato nuk vlejnë për të parandaluar apo justifikuar vrasjet, grabitjet, thyerjet e burgjeve dhe ekzekutimet mafioze në mes të Tiranës. Nëse dështimin tënd kërkon medoemos ta fshehësh apo justifikosh pas atyre që kanë vrarë e plagosur dhe nuk u ka hyrë gjemb në këmbë, këtë do e gjeje të faktuar, pa pasur nevojë të shpifësh, tek fëmijët e Gramoz Ruçit, Arta Dades dhe kolegëve të tjerë në parlament”,- thekson Shkëlzen Berisha në deklaratën e tij.