Në fillim, diku në vitet ’90 ia kanë filluar shembjes së Murit shqiptar me një revistë kulturore: MM. Mbrëmë kanë qenë sërish bashkë intelektualë shqiptarë të Tiranës e Prishtinës, me të tjera perspektiva e të tjera motive. Remzi Lani e ka cekur këtë në fjalën e tij në promovimin e librit të kolegut dhe mikut Shkëlzen Maliqi. “Të gjithë e kanë njohur atë çka ka ndodhur në Kosovë, luftën e UÇK-së, përpjekjet e presidentit Rugova, por pakkush e njeh debatin apo thënë ndryshe luftën intelektuale që Shkëlzeni dhe intelektualë të tjerë kosovarë zhvilluan gjatë viteve ’60, ’70 e sot e kësaj dite. Shkëlzen Maliqi është ndër rreshtat e parë dhe kampion i këtij debati intelektual”, - u shpreh Lani duke përshëndetur paraqitjen e librit “Shkëlzen Maliqi, Shembja e Jugosllavisë, Kosova dhe rrëfime të tjera”, i cili tashmë bën pjesë në kolanën Scripta Manent të botimeve UET Press.
Miq, intelektualë, njerëz të medias dhe të botës akademike ishin mbledhur në hollin e Universitetit Europian të Tiranës për të dëgjuar nga vetë autori motivet që i dhanë jetë këtij libri, i cili për nga përmbajtja por edhe mënyra sesi u shkrua është i veçantë. Struktura e bisedave të kafeve, darkave, bashkëpunimeve, shpjegon çështjen e Kosovës në kuadrin e Jugosllavisë para dhe pas shkatërrimit të saj si çështje shumë e komplikuar, larg folklorizimit dhe patetizmit patriotik. “Unë kam botuar ndoshta 1000 artikuj apo më shumë dhe po aq ndoshta edhe intervista. Unë vetë nuk e kam parë shumë nevojën për të bërë një libër dhe krejt merita e kësaj është e Batonit”, - u shpreh filozofi dhe gazetari Shkëlzen Maliqi, duke vijuar se ishte këmbëngulja dhe dëshira e mikut dhe kolegut të tij Baton Haxhiu, që bënë që intervista e tyre e gjatë, e cila pasurohej herë pas here me pyetje të reja, të vinte në formën e një libri të plotë.
“Dy autorët e librit, Shkëlzen Maliqi dhe Baton Haxhiu janë dy autorë që vijnë nga Kosova, janë dy autorë, të cilët janë prezent në shtypin shqiptar, nga më të integruarit mes Shqipërisë dhe Kosovës, por mbi të gjitha janë dy miq dhe dy intelektualë të cilët, debati publik, çështja e Kosovës, refleksioni mbi të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj dhe të shqiptarëve në përgjithësi i ka shqetësuar prej kohësh”, - u shpreh Henri Çili. Maliqi rrëfen në këtë bisedë me mikun dhe kolegun Haxhiu, jetën e tij që nga vitet ‘60 si student në Beograd, deri në zhvillimet e vona në Kosovë.
Ky rrëfim nuk është thjesht një biografi e tij, është një analizë e hollë e ngjarjeve të rëndësishme nëpër të cilat kaloi Kosova, veçanërisht pas qeverisjes së Titos, ndër ato vite kur nacionalizmi serb nisi të ravijëzohej nëpër Jugosllavi. “Shkëlzen Maliqi ka bërë akte të forta intelektuale në jetën tij: nga debati me nacionalistët serbë në shtypin e Beogradit e deri tek qëndrimet e tij në fund të viteve ‘80 e në vazhdim për Kosovën. Të gjitha këto i japin atij statusin e dikujt që mirëvendoset në rebusin mes universalizmit dhe kozmopolitizmit tipik për intelektualin dhe patriotizmit të tij si shqiptar. Shumëkush tjetër e ka humbur një prej këtyre betejave: Është bërë patriot duke humbur intelektualin apo intelektual duke humbur atdheun?” thotë Henri Çili në parathënien e librit.
“Për të bindur Shkëlzenin për të rrëfyer është rrëfim më vete. Për arsye se e pengonte ajo që quhet modestia e tij për jetën e tij. Sesi e ka përjetuar Jugosllavinë, sesi e ka përjetuar Kosovën dhe për faktin se ka qenë një prej aktorëve kryesorë të gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë pas viteve ’81. Ajo që do u mbetet në mendje atyre që e lexojnë librin, nuk është as lufta e UÇK-së, nuk është as ajo që quhet rezistenca paqësore në vitet ’90, është dialogu, beteja intelektuale që Shkëlzen Maliqi dhe një pjesë e intelektualëve e kanë pasur me intelektualët jugosllavë”, - tha autori i librit, Baton Haxhiu.
Verbatim Shkëlzen Maliqi
Është mirë të shpjegohen ca gjëra për brezin e ri
Unë kam botuar ndoshta 1000 artikuj apo më shumë dhe po aq ndoshta edhe intervista. Unë vetë nuk e kam parë shumë nevojën për të bërë një libër dhe krejt merita e kësaj është e Batonit. Ai ndoshta ka pesë a gjashtë vjet që insistonte dhe prej katër vitesh ne patëm filluar pjesën e parë të kësaj interviste dhe çdo dy tre muaj ai vinte me pyetje të reja dhe duke pasur edhe angazhime të tjera ishte shumë e vështirë të gjeja kohën t’i kryeja ato biseda, transkripte dhe redaktime. Sot desha të thosha se ato gjëra që janë në libër e ndoshta edhe më shtershëm edhe ma në detaje i kam shkruar gjatë kohës, është një kronikë shumë e gjatë nga vitet ’80 deri më sot dhe vazhdoj të shkruaj. Por tani që u krye, ky projekt ka nisur të më pëlqejnë edhe mua, por vlen ta theksoj se këtë meritë e ka Batoni, sepse ai mendonte se kjo histori mund të përmblidhej, se është një rast i mirë që të shpjegohen disa gjëra, sidomos për brezin e ri, por nuk jam i sigurt sa lexues do të ketë, se është një lloj shkrimi pak specifik, biografik, me shumë analiza kontekstuale, me disa anekdota, është vërtet interesante për lexuesit këtu edhe në Kosovë. Falenderoj Universitetin Europian të Tiranës, Henri Çilin, i cili e ka bërë një botim të bukur dhe interesant. Jam i nderuar që jam në kolanën e disa autorëve të njohur, që janë botuar nga UET Press.
Baton Haxhiu
Libër për rezistencën intelektuale në Kosovë
Kush është Shkëlzen Maliqi? Ju e njihni, ndoshta një pjesë përmes komenteve, apo përpjekjeve për të sqaruar shembjen e Jugosllavisë, luftën dhe paqen në Kosovë dhe përpjekjet e tij për t’i shpjeguar ato përmes shkrimeve të herëpashershme. Për të bindur Shkëlzenin për të rrëfyer është rrëfim më vete. Për arsye se e pengonte ajo që quhet modestia e tij për jetën e tij. Sesi e ka përjetuar Jugosllavinë, sesi e ka përjetuar Kosovën dhe për faktin se ka qenë një prej aktorëve kryesorë të gjithë asaj që ka ndodhur në Kosovë pas viteve ’81. Ajo që do ju mbetet në mendje, atyre që e lexojnë librin, nuk është as lufta e UÇK-së, nuk është as ajo që quhet rezistenca paqësore në vitet ’90. Është dialogu, mos të them, beteja intelektuale që Shkëlzen Maliqi dhe një pjesë e intelektualëve e ka pasur me intelektualët jugosllavë. Pjesa tjetër që e dallon Shkëlzenin është se ai është njeri i hapur, njeriu i cili, ose filozofi i cili e ka bërë betejën e brendshme të asaj që quhet hipokrizi intelektuale në Kosovë. Ku meritat, ose meritokracia intelektuale ka qenë një rrëfim tjetër, për të cilin Shkëlzeni ka merita të jashtëzakonshme e që në një mënyrë apo tjetër e dekonstruktoi dhe e bëri që ata, të cilët ishin mit dikur në Kosovë të duken ndryshe për të qenë njerëz ma të thjeshtë. Ajo që do të gjeni në libër, do të gjeni shembjen e një shteti të madh që është Jugosllavia, përmes personazhit dhe jetës së Shkëlzen Maliqit, detajet të cilat nuk do i gjeni askund tjetër. Detaje të jetës së tij, si në kohën, kur për herë të parë e ka kuptuar se çfarë është Republika e Kosovës dhe për herë të parë e ka kuptuar se konteksti jugosllav realisht është diçka më shumë. Dhe ajo që i them lexuesve, është se ky është rrëfimi më i mirë që kam dëgjuar dhe nuk kam dashtur që ta mbaj vetëm për vete, por ta bind Shkëlzenin që t’ua rrëfejë edhe të tjerëve. Do të gjeni në libër është rrëfimi më i mirë i Shkëlzen Maliqit për ish-Jugosllavinë, është rrëfimi më i mirë që kam lexuar deri më tash për shembjen e këtij shteti. Urime Shkëlzenit dhe me endje besoj do lexohet libri mbi atë se si ka përfunduar një shtet dhe një perandori e cila ka qenë në konflikt me shqiptarët.