Konferenca e fundit si futbollist. Ajo e lamtumirës. Bledi Shkëmbi u paraqit para gazetarëve në një rrëfim emocionues. Kapiteni rekordmen, njeriu që udhëhoqi Skënderbeun te një epokë e artë, rrëfehet për karrierën e tij.
Viti i fundit te bardhekuqtë, me ulje-ngritjet, me problemet dhe profesionalizmin që e karakterizon. Në prag të datëlindjes së 37-të, ai tregon se si dhe kur e mori vendimin për të varur këpucët në gozhdë, planin për të ardhmen, ofertën e refuzuar në janar nga Partizani, vetëm për ta mbyllur ashtu si i ka hije: kampion në qytetin e tij...
Shkëmbi, a ishte titulli i gjashtë më i vështiri për ju?
Titulli është shumë i bukur kur fitohet në fund, por edhe shumë i vuajtur, pasi të bën me zemër. Mendoj se është i bukur po aq sa titujt e tjerë, sepse asnjëherë nuk i ndaj.
Një titull kampion është titull kampion. Kujt ia dedikoni këtë titull? Këtë vit kam arsye shumë të forta për t'ia dedikuar titullin kampion familjes sime dhe miqve të mi, pasi është i fundit si lojtar dhe normalisht që këtë titull e meriton familja ime.
Bledi, pas ndeshjes me Flamurtarin, ju njoftuat lamtumirën nga futbolli. Në fakt, ka edhe prej atyre që ende nuk e besojnë. E keni mbyllur vërtet me futbollin e luajtur?
Po, është e vërtetë. E kam mbyllur me keqardhje, por e kam menduar shumë gjatë. Gjithashtu, e mbyll me shumë gëzim dhe krenari për atë që kam arritur të bëj.
Si arritët deri në marrjen e këtij vendimi?
T'ju them të vërtetën, e kam menduar që vjet, që nëse këtë vit do të dilja kampion, do ta lija futbollin e luajtur. Pata një moment reflektimi dhe ishte një moment ku disa ekipe të tjera u interesuan për mua, të cilat gjej rastin t'i falënderoj për besimin. Por, duke më vënë në Korçë atë emrin "legjendë", dua ta mbyll si legjendë.
Ishit shumë pranë largimit në janar, por më pas ndryshuat mendim. Çfarë ndodhi?
Është e vërtetë që isha shumë pranë largimit, madje kisha mbyllur gjithçka. Por, kur jam menduar mirë, nuk e ndieja që ta bëja një zgjidhje tjetër. Doja ta mbyllja pikërisht aty ku u rrita dhe kam fituar kaq shumë trofe. Doja ta mbyllja si kampion me Skënderbeun.
Tani që e keni mbyllur me futbollin, mund të na zbuloni se ku do të jetë destinacioni juaj?
Mendoj se tani këto gjëra nuk kanë shumë rëndësi, por mund të them se një interesim goxha të madh e ka pasur klubi i Partizanit, të cilin gjej rastin ta falënderoj. Më bëri me dije se dyert i kam të hapura në çdolloj momenti dhe sigurisht që ishte vlerësim për mua.
Mes jush dhe Skënderbeut ndodhi diçka në muajt e fundit, duke u ftohur marrëdhëniet me drejtuesit. Cili ka qenë problemi?
Mendoj se sot (dje) është ditë feste dhe nuk më takon mua ta prish këtë festë apo të filloj të bëj polemika. Nuk është e hijshme që të pyesim dhe të përgjigjemi për polemika. Mendoj se të dyja palët kanë menduar për të mirën e Skënderbeut dhe e rëndësishme është që Skënderbeu doli kampion.
Ardjan Takaj ka thënë që në pjesën e dytë të sezonit, me largimin e Berishës dhe Olainkës, nevojiteshin lojtarë të shpejtë, prandaj edhe ulja e Shkëmbit në stol ishte diçka taktike. Ju keni koment?
Unë s'e di, por mendoj se futbolli nuk është i shpejtë se vrapon më shumë, por se mendon më shpejt. Nuk kam çfarë të them. Këto janë zgjedhje të klubit dhe unë i kam respektuar deri në sekondën e fundit.
Keni biseduar me Josën për këtë lënie në stol?
Asnjëherë nuk kam biseduar. Me trajnerin Mirel Josa kam biseduar vetëm në momentin kur i bëra me dije se kisha vendosur të lija sportin. Për asgjë tjetër nuk kemi biseduar asnjëherë. Si ka reaguar Josa kur ka marrë vesh që do linit futbollin? Ka qenë një reagim normal. U duk qartë që i erdhi keq dhe kaq. Ndërsa lamtumira me ekipin ka qenë më e veçantë.
Pse?
Sepse kur ua kam thënë atyre, pasi kanë gati dy javë që e dinë, janë ndier shumë të emocionuar.
Sot keni ngritur trofeun e gjashtë. E kishit menduar momentin e lamtumirës?
Patjetër që e kisha menduar, e kisha përgatitur dhe e përsëris e mendova gjatë dhe vendosa me keqardhje, por me shumë krenari për gjithçka kam bërë. Jam i bindur se kam bërë maksimumin, sidomos jashtë fushe. Kam bërë shumë gjëra që njerëzit nuk i dinë.
Sa vite futboll ka luajtur Shkëmbi?
Si profesionist kam 20 vite futbolli.
Mund të quhen 20 vite të arta për ju?
Mendoj se të 20 janë të arta. Me ulje dhe ngritje, por janë të arta. Momentet më të mira për mua kanë qenë kur kam rënë dhe jam ringritur, ka pasur shumë herë ku shumë njerëz, që u duket sikur marrin vesh nga sporti, kanë thënë se Bledi ka mbaruar. Por, Bledi ua ka dhënë gjithmonë përgjigjen.
Kujt ia dedikoni këtë karrierë kaq të gjatë sportive?
Familjes i dedikoj shumë gjëra, por karrierën e gjatë sportive ia dedikoj babait.
Shkëmbi e mbyll me Josën trajner, e ka filluar me Gëzdarin...
Po, e kam filluar me profesor Mond Gëzdarin, i cili më ka hedhur në fushë në moshën 15-vjeçare në mos gaboj kundër Teutës, që atëherë ishte një ekip shumë i fortë.
Jeni bërë pishman për diçka në futboll?
Jo, për asgjë. Mendoj që në futboll dhe në jetë kam pasur gjithçka që kam dashur. Falënderoj Zotin që jam shumë me fat që isha lojtari i parë që u afrua te Skënderbeu i madh dhe vazhdoj të them që është një fat i madh për mua. Falënderoj ish-presidentin Agim Zeqo, që ishte ai iniciatori i këtij ekipi të madh dhe duke kaluar tek Ardjan Takaj, presidenti që vazhdoi me këtë Skënderbe, duke e menaxhuar dhe e fuqizuar gjatë gjithë rrugëtimit. Por, patjetër që kam një falënderim të madh për të gjithë bashkëlojtarët e mi gjatë këtyre gjashtë viteve.
Çfarë do t'i thoshte Korçës Shkëmbi në këtë moment?
Faleminderit për çdo mbështetje që më kanë dhënë dhe nuk e fsheh që ndihem krenar për gjithçka që i kam dhënë këtij qyteti dhe për gjithçka që ky qytet më ka dhënë si birin e vet.
Tani më cilësoheni dhe si ikonë, pasi gjashtë tituj si kapiten nuk i ndodh çdokujt në jetë?
Këtë gjë ma ka thënë edhe ish-presidenti Zeqo dhe presidenti Takaj para disa ditëve, kur u bëra të ditur largimin nga futbolli. Më kanë thënë që ti akoma nuk e ke të qartë se çfarë ke bërë, por kur të largohesh pak, atëherë do ta kuptosh se çfarë ke arritur të bësh. Për momentin, më duket sikur kam bërë detyrën.
Nesër është e shtunë, çfarë do të bëjë Bledi Shkëmbi?
Ato që bëj përditë në ditët e pushimit. Po filloj një biznes familjar dhe do të merrem me atë.
Takaj ka bërë me dije se Shkëmbi është pjesë e Skënderbeut edhe në vazhdim...Ju është dhënë ndonjë ofertë nga klubi?
Mendoj se duhet të festojmë dhe të qetësohemi dhe, më pas, shohim. Mua më vjen mirë që e ka thënë presidenti Takaj, patjetër që do të jem gjithmonë pjesë e Skënderbeut. Unë jam familje korçare, i lindur dhe i rritur këtu. Di çdo gur të çdo fushe rreth e qark stadiumit dhe normal që do të ngelem gjithmonë i Skënderbeut. Unë kam lindur i Skënderbeut dhe do të vdes i Skënderbeut, pavarësisht se do të jem në klub apo jo. Momentalisht nuk kam marrë asnjë ofertë, por edhe nuk e kam pritur asnjë ofertë pasi është tepër shpejt. Ashtu si unë që në çdo moment kam menduar se e mira e Skënderbeut është të dalë kampion, ashtu ka qenë për çdo tjetër në klub.
Cila është pasuria juaj më e madhe?
Familja patjetër. Sepse të gjitha të tjerat më duken shumë më pak të rëndësishme sesa familja.
Do ta shikojmë Shkëmbin me tutat e trajnerit?
Kam kohë që e mendoj dhe besoj se do të bëhem një trajner i zoti. Kam filluar të studioj për këtë, por edhe të mësoj nga gabimet që bëjnë trajnerët në një ndeshje që t'i kem si mësim, në mënyrë që të mos i bëj unë në të ardhmen.
Në dy ndeshjet e fundit keni qenë afër Josës në stol, një shans për të mësuar më shumë?
Jo, nuk mund ta quaj kështu, kanë qenë ndeshje të veçanta dhe të vështira ku kemi biseduar për ndeshjen. Por nuk kam filluar kaq shpejt me punën e ndihmësit.
Trajneri i ardhshëm i Skënderbeut?
Është shumë shpejt, por patjetër që e ëndërroj.
Nëse do të ktheheshim në kohë e kishit menduar se do ta mbyllnit me gjashtë tituj të fituar njëri pas tjetrit?
Jo, asnjëherë! Që do ta mbyllja dhe me kaq tituj dhe me këtë mënyrë kaq të bukur nuk e kisha menduar asnjëherë dhe as e kisha ëndërruar. Shiriti i kapitenit ju ka mbetur si tatuazh në krah.
Tani që u larguat nga futbolli, kujt do ia linit nëse do të ishte në dorën tuaj?
Për sa i përket shiritit, kënaqësia më e madhe që ndiej kudo, sidomos në dhomat e zhveshjes, është fakti që emrin ma kanë harruar shokët dhe Korça duke më thirrur vetëm kapiten, por më shumë përshtypje më bën në dhomat e zhveshjes ky fakt. Mendoj se tani kapiteni është Shehi dhe jam i bindur se është po aq i bindur dhe po aq i zoti sa unë, pasi të dy bashkë kemi qenë udhëtarë drejt kësaj rruge të ndritur.
Së fundi, një urim për ekipin e Skënderbeut, tashmë si ish-kapiteni legjendar?
Të vazhdojë me kualifikimet në Europë sikundër bëmë vjet dhe të vijojë me trofe kaq të rëndësishëm, pasi i shkojnë për shtat këtij ekipi.
LLAZI SARO