Humbja kundër Tërbunit ka qenë një rrufe në qiell të hapur për Skënderbeun duke tronditur thellë klubin bardhekuq që lufton për titullin kampion. Megjithëse në një gjendje jo perfekte psikologjike, ku është përfshirë klubi pas humbjes me vendin e fundit, ka qenë kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, ai që ka marrë përsipër të qetësojë kampionët në fuqi duke u munduar të japë nga eksperienca e tij qetësinë e nevojshme për të kaluar këtë moment delikat.
Në një intervistë të dhënë për "Panorama Sport", Shkëmbi thekson se ekipi duhet të ringrihet dhe do të ringrihet nga kjo gjendje, pasi ka qenë edhe herë të tjera në të tilla situata dhe se grupi i bashkuar që ka Skënderbeu favorizon një gjë të tillë.
Kapiten, humbja kundër Tërbunit ishte e rëndë. Si është gjendja e ekipit një ditë më pas?
Normalisht që kur humb, asnjëherë nuk është diçka e mirë. Gjithmonë humbja djeg, por kjo kundër Tërbunit djeg akoma më shumë, pasi humbëm në shtëpinë tonë përballë vendit të fundit dhe normalisht nuk është diçka që pritej. Është një humbje që rëndon, por duhet të jemi të qetë për t'u kthyer sa më shpejt në rezultate pozitive.
Çfarë i mungoi ekipit në një takim të tillë të interpretuar keq?
Nuk më takon mua të bëj analizën e ekipit, por mund të them se skuadra u shokua shumë nga dy golat e parë të Tërbunit dhe u përpoqëm që të kthenim rezultatin, por nuk ia dolëm mbanë. Nga ana tjetër, gjetëm përballë një ekip mjaft të konsoliduar në fushë që u mundua me çdo kusht të na mbyllte hapësirat dhe të na godiste sa herë të kishte mundësi.
Sa e vështirëson kjo humbje luftën për titull?
Normalisht që jo vetëm humbja, por edhe barazimi ishte një hap fals i yni. Tashmë ne humbëm një ndeshje që nuk duhet të gabonim dhe po i japim mundësi kundërshtarit që të na afrohet në renditje. Normalisht diferenca për momentin qëndron 5 pikë, por mund të shkojë edhe dy në varësi të ndeshjes të Partizanit.
Nëse Partizani fiton me këtë humbje, vështirësohet titulli?
Për mendimin tim, nuk duhet pse të flasim për titull të pamundur. Ne kemi qenë ata që kemi arritur të fitojmë titullin edhe kur kemi qenë 4-5 pikë pas vendit të parë dhe nuk e kuptoj pse duhet të druhemi tani që jemi ne që komandojmë. Duhet të jemi të përqendruar dhe të sigurt te forca jonë. Normalisht nuk ka ndodhur asgjë. Diferencën e kemi ne dhe jemi ne që komandojmë sërish kampionatin.
Tri javë, tri humbje përfshi edhe atë të Kupës. Kjo është periudha më e keqe e Skënderbeut?
Po, është e vërtetë që kemi humbur dy takime në kampionat dhe një në Kupë, teksa janë humbje që normalisht nuk të bëjnë mirë. Por futbolli i ka të tilla situata. Mund të them se ishim në ditë jo të mira dhe përgjithësisht periudha ka qenë e tillë për ne. Por besoj se nuk është diçka aq dramatike. Duhet të ringrihemi dhe të tregojmë forcën tonë.
Pas humbjeve, ana psikologjike është ajo që rëndohet më shumë...
Sigurisht, humbjet gjithmonë të bëjnë keq në anën psikologjike, sidomos kur vijnë njëra pas tjetrës. Por ne jemi të bashkuar si grup dhe kemi mundësi që ta kalojmë këtë situatë. Ju siguroj që nuk ka përçarje. Grupi është atje dhe normalisht nuk kemi asnjë problem që mund të na pengojë ta kalojmë këtë situatë. Jam i bindur se do të dimë të reagojmë shumë shpejt.
Reagimi pritet që në ndeshjen e radhës në transfertën e vështirë në Tiranë?
Sigurisht, bëhet fjalë për një ndeshje të vështirë, por ne kemi treguar se gjithmonë dimë të reagojmë në të tilla takime. Kundër Tiranës, duhet të vijë menjëherë kthesa jonë dhe jam i bindur që ekipi do të jetë në gjendje mjaft të mirë për të reaguar ashtu si duhet.
Së fundmi, besoni ende se titulli do të jetë pronë e juaja edhe pas këtij gabimi?
Unë nuk besoj, por jam i bindur që titulli do të qëndrojë në Korçë. Jemi ekipi më i mirë i kampionatit dhe këtë e tregon vazhdimësia. Kemi kualitetet e duhura, eksperiencën dhe gjithçka të nevojshme për të qenë sërish kampionë. Do të dimë t'ia dalim mbanë, por e përsëris, titulli mbetet në Korçë.