Kapiteni i Skënderbeut, Bledi Shkëmbi, mund të rikthehet titullar në një ndeshje kyçe si ajo kundër Tiranës. Ndryshimi që pati loja e korçarëve pas futjes së fantazistit në pjesën e dytë ndaj Tërbunit, po bind gjithnjë e më tepër stafin teknik për të përfshirë në formacion kapitenin. Vetë trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa, i kontaktuar nga "Panorama Sport", ka folur rreth gjendjes së kapitenit. Megjithatë, sërish trajneri ka dribluar kur është pyetur nëse Shkëmbi do ta nisë nga minuta e parë ndaj Tiranës apo nga stoli.
"Jam unë ai që vendos për të tilla gjëra, por formacionin do ta zbuloj vetëm para ndeshjes me Tiranën. Aty do të shikoni se kush do të luajë titullar dhe kush do ta nisë nga stoli. Shkëmbi është një lojtar që unë e vlerësoj shumë dhe e hodha në fushë kundër Tërbunit së bashku me Salihin, pasi i di vlerat e tij. Bledi ka aftësinë që të ndryshojë një takim, pasi ka shpërndarje të saktë të topit. Gjithashtu ka aftësi për të tërhequr dhe motivuar ekipin", është shprehur dje Josa për kapitenin.
"Nuk jemi në krizë" Skënderbeu është duke përgatitur një takim që do të jetë mjaft përcaktues për titullin, teksa diferenca e kampionëve nga Partizani tashmë është vetëm dy pikë. Normalisht, në një sfidë të tillë, e rëndësishme është që ekipi të jetë i kthjellët dhe për Josën, bardhekuqtë po rriten psikologjikisht nga dita në ditë, duke e rimarrë kështu veten pas humbjes shokuese kundër Tërbunit.
"Ekipi ka filluar të reagojë dhe këtë unë po e shoh në stërvitje. Në kampionat kemi humbur dy ndeshjet e radhës dhe normalisht nuk është diçka e mirë, por e rëndësishme tashmë është rikthimi te rezultatet pozitive.
Kriza?
Vërtet vijmë pas humbjeve radhazi, por nuk mund të them se Skënderbeu kaloi krizë në këto ndeshje. Skuadra ka filluar të reflektojë dhe po mundohet të reagojë mirë. Lojtarët në këto momente nuk duhet të ngarkohen me presione, pasi kjo mund të na dëmtojë. Dua që ekipi ta kthejë presionin në motivim. Vetëm në këtë mënyrë do të rikthehemi te fitorja", ka thënë kreu i pankinës korçare. Josa vlerëson në maksimum Tiranën, por përsërit se skuadra e tij do të futet në stadiumin "Selman Stërmasi" me synimin e vetëm për të fituar.
"Përballjet ndaj Tiranës janë kryesisht delikate. Këto ndeshje duhet t'i interpretosh në mënyrën më të mirë. Ne do të kërkojmë të reagojmë sa më mirë, duke dalë me tri pikë. Shpresoj t'ia arrijmë, duke u kthyer aty ku dëshirojmë", përfundoi trajneri i Skënderbeut, i cili, sipas të gjitha gjasave, do të rinovojë kontratën edhe për një sezon me klubin korçar, nëse shpallet kampion për sezonin 2015-2016.
Përgatiti: Llazi Saro