Shkencetaret kundrojne nje supernove ne fazen finale

Shkencëtarët kundrojnë një supernovë në fazën finale
Alicia Soderberg, një astrologe u Universitetit Princeton, i cili prej kohësh e përdor satelitin teleskop në fjalë për të studiuar mbetjet në zhdukje të një eksplozioni të mëparshëm supernova, i mori rezultatet e papritura të observimit përmes postës elektronike, teksa merrte pjesë në një konferencë në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke nuhatur se bëhej fjalë për një ngjarje të jashtëzakonshme, menjëherë e bëri publik lajmin për të gjithë opinionin shkencor botëror.

Gjatë orëve dhe ditëve që pasuan, teleskopët më të mëdhenj të tokës, bashkë me teleskopët hapësinorë "Hubble Space" dhe "Chandra X-ray Observatory", patën rastin të vërenin se si ylli u përfshi nga ai lloj shpërthimi kataklizmik, që njihet si supernova. Shpërthimi ishte aq i fuqishëm sa ndriçoi tërë galaksinë ku bën pjesë ylli, ashtu edhe si shkencëtarët në Tokë, të cilët nuk kishin pasur kurrë rast të vërenin një yll teksa shpërthen.

"Arritëm të regjistrojmë gjithçka", tha Soderberg gjatë një interviste. "Mund të them me plotë gojën se fitova lotarinë e astronomisë. Një yll shpërtheu tamam përpara syve të mi".

Bashkë me 42 kolegë të tjerë nga e gjithë bota e rrëfeu dje këtë ngjarje me përmasa përrallore në revistën e njohur shkencore "Nature" të enjten, ndërkohë që një ditë më parë kishte pranuar një konferencë shtypi telefonike.

Observimet, thonë shkencëtarët, hapin një dritare të re drejt njohjes së procesit të vdekjes së yjeve të mëdhenj. Njëherësh u ofrojnë astronomëve të dhëna të reja për rrugët që duhen ndjekur për t‘i vërejtur këto ngjarje, si edhe për t‘i kapur, ndërsa janë në fazat më aktive.

Pjesa më e madhe e supernovave, shpjegon Soderberg, janë zbuluar dhe klasifikuar në bazë të dritës që emetojnë, por diçka e tillë nuk ndodh deri në çasti kur kalon një muaj nga eksplozioni, duke u bërë aq i ndritshëm sa të vërehet në distanca intergalaktike.

Shpërthimet e vërteta, vazhdoi, ndodhin shumë më herët kur një valë tronditëse me pikënisje nga nukli tejet aktiv godet sipërfaqen e jashtme të yllit, duke prodhuar atë që njihet si drita shpërthyese, e cila zgjat vetëm për pak minuta.

"Proceset fizike të shpërthimit gjenden të koduara pikërisht te drita shpërthyese", komentoi Soderberg, duke shtuar se ishte një fat i pazakontë që teleskopi "Swift" shihte pikërisht në atë drejtim në çastin e duhur. Tani astronomët dinë se rrezet X që çlirohen bashkë me dritën shpërthyese mund të shërbejnë si paralajmërim për atë që vjen më pas. "Supernova 2008D ishte ylli i parë që u zbulua falë emetimeve të rrezeve X nga sipërfaqja e vet", tha Robert Kirshner, ekspert supernovash në Qendrën Harvard-Smithsonian të Astrofizikës, duke iu referuar supernovës me emrin zyrtar, "por në rast se krijojmë satelitë të tipit rreze X, sigurisht nuk do jetë supernova e fundit që do kemi rast të shohim".

"Vërtet ishte diçka e mrekullueshme", shtoi. Soderberg shpjegoi se rrezet X qenë aq të freskëta, saqë ajo dhe bashkëpunëtorët e tjerë nuk e mësuan se qenë para fillimit të një supernove deri një apo pas dy ditësh, kur teleskopët tokësorë vërejtën fluksin e madh të dritës.

"Në këtë kuptim ishte një supernovë foshnjë", tha Soderberg. "Bëhej fjalë për diçka krejtësisht të re. Fillimisht nuk qemë në gjendje të kuptonim përse bëhej fjalë".

Shkencëtarët sqaruan se supernova në fjalë ishte e llojit të njohur si "Type Ibc", ndër eksplozionet më të rralla dhe më të ndritshme të shkaktuara nga shkatërrimi i bërthamës së yjeve gjigantë. Një tjetër lloj shpërthimi, i njohur si "Type Ia supernovas", besohet se vjen si rezultat i shkatërrimit të yjeve me përmasa shumë më të vogla dhe janë të parapëlqyerit e kozmosogëve, të cilët i shfrytëzojnë për të vërejtur shtrirjen e universit dhe efektet e energjisë së errët.

Sipas shkencëtares, ylli që vdiq në janarin e këtij viti mund të jetë 20 herë më i madh se Dielli, madje edhe më i madh akoma. Me shumë gjasa bëhej fjalë për një lloj ylli të quajtur Wolf-Rayet. Bëhet fjalë për yje me temperatura shumë të larta sipërfaqësore që mund të arrijnë 28 mijë (apo më shumë) gradë Celsius dhe shpesh, falë shpërthimeve, hedhin në hapësirë sasira gjigante gazesh në formën e erërave të forta. Soderberg i përshkroi këto lloj yjesh si "tepër të dhunshëm e të mëdhenj".

Duke qenë se "kaldaja" e tyre termonukleare qëndron në qendër për shkak të gravitetit vetjak, sa më të mëdhenj të jenë, aq më të rinj vdesin. Jeta e një ylli dhjetë apo njëzet herë më i madh se Dielli zgjat vetëm pak miliona vjet. "Këto lloj yjesh jetojnë me ritme të shpejta dhe vdesin të rinj".

Shumë nga elementet e domosdoshme për krijimin e jetës dhe gjithçkaje përreth saj, si karboni, oksigjeni, hekuri e floriri, prodhon brenda të tilla kaldaja nukleare gjatë fazave finale të shpërthimeve, gjë që i bën të udhëtojnë nëpër hapësirë për t‘i ritrupëzuar në yje, planetë e krijesa të reja.

"Kushdo mban zbukurime floriri me vete", tha Kirshner, "duhet të dijë se i ka falë shpërthimeve supernova".

Ose, siç shkroi dikur një poet i njohur: "Jemi pluhur yjesh".

Marre nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama