Shqipëria dhe Kosova e vitit 1910 në koleksionin privat të gazetarit gjerman Ernst Jäckh, ruhen në bibliotekën e Universitetit të Kolumbisë
Ato duhet të jenë nënë e bijë. Bija mban në dorë furkën teksa përpiqet të tjerrë lesh, një punë karakteristike kjo për gratë në fshatrat e Shqipërisë dhe vështrimin e ka nga i panjohuri që po e fotografon. Ndërsa nëna ka vënë dorën në mes dhe ka të njëjtin vështrim. Kjo foto bardhezi daton në vitin 1910 dhe është gjetur gati një shekull më pas në koleksionin e gazetarit gjerman Ernst Jäckh, nga albanologu Robert Elsie. Fotoja është realizuar nga miku i tij në udhëtimin drejt Shqipërisë dhe Kosovës, Paul Traeger. Por një njohës i mirë i traditave shqiptare e kupton me një vështrim prejardhjen e tyre. Një tjetër foto të çon në Shkodrën e 1910-s, ku dy burra tërheqin qerre të mbushur me dru. Fotoja e realizuar nga Ernst Jäckh është gjetur në fondin “Dorëshkrime të rralla në Universitetin e Kolumbisë”. Gjeneral Shefket Torgut Pasha shfaqet teksa ecën në rrugët e Shkodrës përkrah Vezirit të Madh, Hilmi Pasha.
I pasionuar pas kuajve, gjeneral Pasha pozon me kalin e tij të preferuar. Nuk mungojnë në foto as françeskanët, të bërë bashkë, duke pozuar bri liqenit të qytetit. Të veshura me veshjet më të mira, gratë e qytetit janë të gjitha bashkë duke u lutur për mbarësi për familjet në meshë. Janë një mori fotosh të realizua në Shkodër, dhe Mirditë nga gazetari gjerman Ernst Jäckh, të cilat na japin si në një tablo jetën në Veriun e Shqipërisë në ato kohë të pushtimit otoman. Ernst Jäckh (1875-1959) ishte gazetar, publicist dhe shkencëtar gjerman, i cili lindi në Urah (Urach) të Gjermanisë Jugperëndimore. Qëndrimi në Turqi në periudhën 1908-1909, gjatë dhe pak kohë pas revolucionit xhonturk, i bëri shumë përshtypje dhe Jäckh u bë mbështetës i fortë i Turqisë dhe i marrëdhënieve gjermano-turke. Në verë të vitit 1910 ishte në Kosovë dhe në Shqipëri, i ftuar nga shtabi i përgjithshëm i ushtrisë turke ku mbështeti trupat turke në luftë kundër kryengritësve shqiptarë. Gjatë ekspeditës ushtarake shkoi në Ferizaj, Fushë-Kosovë, Prizren dhe Shkodër.
Nga Shkodra u kthye me forcat ndëshkimore nën komandën e Shefket Torgut Pashës nëpërmjet Mirditës dhe Gostivarit për në Shkup. Me forcat ushtarake turke ishte edhe gjatë luftës italo-turke (1911-1912). Në vitin 1912, Jäckh themeloi shoqatën gjermano-turke dhe në vitin 1914 ishte ligjërues i historisë turke në Universitetin e Berlinit. Pas Luftës së Parë Botërore përkrahu demokracinë liberale parlamentare në Gjermani, si dhe anëtarësimin e Gjermanisë në Lidhjen e Kombeve. Në vitin 1920, bashkëthemeloi Universitetin Gjerman për Politikë (Deutschen Hochschule für Politik) në Berlin. Me ardhjen në pushtet të nazistëve në vitin 1933, Jäckh iku në Londër ku punoi për New Commonwealth Institute dhe në vitin 1940 u emërua profesor në Universitetin e Kolumbisë në Nju Jork, ku dhe vdiq. Arkivi i tij, duke përfshirë fotografitë e Shqipërisë, ndodhet në bibliotekën e Universitetit e Kolumbisë. Ndër botimet e Ernst e Jäckh është libri Im türkischen Kriegslager durch Albanien: Bekenntnisse zur deutsch-türkischen Freundschaft (Nëpër Shqipëri me ushtrinë turke: dëshmi e miqësisë gjermano-turke), Hajlbron 1911.