Qyteti i Shkodrës i cili shtrihet në brigjet e liqenit me të njëjtin emër dhe poshtë kodrës së Kështjellës së Rozafës është sot një ndër qytetet me kulturën dhe historinë më të spikatur në veriun e Shqipërisë. Në një rreze prej pak kilometrash mund të vizitohen zona me një bukuri natyrore dhe vlera të rralla historikë. Ky qytet tashmë përveç se njihet për trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë që ka, njihet edhe si një ndër qytetet ku përdorimi i biçikletave është kthyer në një traditë tashmë e trashëguar në dekada. Nga studimet e deritanishme rezulton biçikleta e parë në kë qytet ka ardhur në vitin 1907 nga konsulli i nderit i Suedisë në Shkodër, që supozohet të jeta edhe biçikleta e parë e hyrë në Shqipëri.
Por ku buron kjo traditë dhe cilat janë arsyet pse qytetarët shkodranë i përdorën në masë biçikletat. Anadolu Agency ka marrë opinionet e disa qytetarëve shkodranë, të cilët shprehen se përdorimi edhe në ditët e sotme lidhet me disa faktorë, si fakti që është një traditë e trashëguar, lehtësitë që krijon lëvizja me ta, apo edhe për qëllime të aktivitetit fizik.
Xhelik Gjonaj është njëri nga qytetarët e Shkodrës i cili përdor vazhdimisht biçikletën për aktivitetin e tij ditor në qytetin ku banon. Ai tregon se përdorimi i biçikletave në Shkodër është në masë nga qytetarët dhe një traditë e trashëguar ndër vite. “Edhe në kohën e komunizmit kur mungonin automjetet për njerëzit e zakonshëm përdorimi i biçikletave lehtësonte shumë punën dhe aktivitetin e përditshëm. Ky mjet është shumë praktik për të ecur në qytetin tonë, qoftë edhe për aktivitet fizik, apo edhe për qëllime të tjera. Duhet të kishte pasur rrugë posaçërisht për të lëvizur me biçikletat në qytet”, shprehet Gjonaj.
Ndërkohë përdorimi i biçikletave në këtë qytet verior të Shqipërisë nuk njeh gjini, pasi edhe femrat janë të pasionuara pas kësaj tradite. Pedonalen e qytetit, por edhe rrugë të tjera në çdo ditë të javës i sheh të mbushura me biçikleta, ku drejtohen edhe nga gratë.
Blerindora Dibra është njëra prej tyre, e cila jeton në Shkodër. “Unë jetoj prej vitesh në Shkodër dhe tashmë biçikleta na është kthyer në një mjet të domosdoshëm për aktivitetin tonë të përditshëm. Jam shumë e pasionuar pas saj dhe mund të them që përdorimi i saj më bën të ndihem edhe mirë fizikisht”- tregon për AA Blerindora. Ajo iu bën thirrje femrave jo vetëm në qytetin e Shkodrës, por edhe në qytete të tjera që ta përdorin sa më shumë biçikletën, edhe si një mundësi për të patur një fizik të shëndetshëm.
Gjon Hila është një tjetër qytetar shkodran që pohon se biçikleta është mjeti që i identifikon më së shumti ata në Shqipëri dhe që kanë krijuar një traditë në përdorimin e saj. Ai tregon se gjatë sistemit komunist në Shkodër ka patur në përdorim më shumë biçikleta sesa makina dhe kjo traditë e përdorimit të tyre vazhdoi edhe gjatë viteve të tranzicionit.
Nisur nga kjo traditë institucionet vendore në Shkodër, sidomos bashkia e këtij qyteti i kanë kushtuar një vëmendje aplikimit të trendit të mobilitetit urban. Sipas ideuesve të këtij konceptii mobiliteti urban trajton lëvizjen e qëndrueshme urbane të qytetit, ku prioriteti i jepet ecjes, pedalimit, transportit urban dhe në fund përdorimit të makinave. Gjithashtu koncepti i lëvizshmërisë urbane nxit lëvizjen aktive dhe të shëndetshme, si ecjen në këmbë dhe lëvizjen me biçikleta, për të rritur sigurinë dhe për të minimizuar aksidentet rrugore. Bashkia Shkodër është përfshirë në mënyrë aktive në promovimin dhe mbrojtjen e kësaj kulture dhe tradite.