Arbnor Fejzullahu ka qenë në qendër të merkatos ditët e fundit te skuadra e Partizanit. Për mbrojtësin e krahut të djathtë është folur shumë se ka pasur oferta nga jashtë vendit, por ai duket se ka zgjedhur Skënderbeun. Lojtari ende nuk ka dalë në stërvitje me korçarët, pasi ka një kontratë deri në fund të muajit me të kuqtë, megjithatë ai ndodhet në resortin "Tropikal" në Durrës ku janë të grumbulluar kampionët.
Nga ana tjetër, klubi i kuq e ka përfshirë lojtarin në listën e futbollistëve që do të luajnë në ndeshjet e Ligës së Europës, duke pretenduar se ka një kontratë të vlefshme. Burime të besueshme pranë klubit kryeqytetas kanë bërë me dije se Fejzullahu ka marrë një gjobë për shkak se nuk është bashkuar me pjesën tjetër të skuadrës në fazën përgatitore që po kryhet aktualisht në Itali.
Lojtari ka zgjedhur të bëjë pushime dhe më pas të bashkohet me korçarët ku gjen edhe ish-trajnerin e tij, Andrea Agostineli. Por, një gjë e tillë nuk u ka pëlqyer aspak drejtuesve të Partizanit, që kanë vendosur të dënojnë futbollistin me 10 mijë e 500 euro gjobë për këtë veprim të tij. Nuk dihet nëse lojtari do ta paguajë këtë shumë, duke qenë se ai nuk ka në plane të rikthehet sërish te Partizani edhe pse këta të fundit kanë këmbëngulur për një gjë të tillë.
Fitimet
Përzgjedhja e Skënderbeut, si skuadra e radhës ku do të vazhdojë karrierën e tij, ka pasur edhe një përfitim të majmë financiar për futbollistin. Burime të besueshme pranë klubit korçar kanë bërë me dije se ai do të përfitojë një shumë prej 70 mijë eurosh në sezon, e cila gati dyfishi i asaj që merrte te skuadra e kuqe. Por, do të mbetet për t'u parë se kur do të jetë koha që lojtari do të zbresë në fushë me Skënderbeun, pasi duhet që më parë të zgjidhë kontratën me Partizanin.
Kleçka
Arbnor Fejzullahu ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur me Partizanin deri të fund të sezonit 2016-2017, pra edhe kampionatin e ardhshëm. Por, kontrata e tij ka qenë me opsion rinovimi, pra 1+1. Në vitin e dytë, klubi mund t'ia rinovonte mbrojtësit kontratën duke e lajmëruar një muaj përpara për një veprim të tillë dhe duke i rritur pagën 20 për qind të saj aktuale, siç është e shkruar në marrëveshjen që ai ka arritur me presidencën.
Por, mësohet se nga zyrtarët e kuq ka pasur një neglizhim në lajmërimin e lojtarit për rinovimin e kontratës së tij, çka i jep Fejzullahut të drejtën që të largohet dhe të dalë futbollist i lirë. Edhe pse në klubin e kuq një gjë e tillë nuk pranohet, mësohet se kjo është kleçka me të cilën lojtari do të argumentojë veprimin e tij në Dhomën e Zgjidhjes së Konflikteve në FSHF, ku edhe do të kërkojë largimin nga të kuqtë.
Natyrisht që lojtari dhe klubi korçar nuk kanë ndër mend që të dorëzohen edhe në rast se DHKZ vendos që lojtari të rikthehet te Skënderbeu, atëherë kontrata e tij do të shkojë për zgjidhje në UEFA. Për këtë arsye, drejtuesit e Skënderbeut i kanë bërë me dije trajnerit Agostineli se lojtari nuk do të jetë gati për ndeshjet e para të Champions League.
Armand Halili