Në mjaft raste janë tërhequr dokumentet e automjeteve si mënyrë presioni për të garantuar pagesa abuzive
Shifra
88 efektivë - Janë larguar nga Qarkullimi Rrugor. Rezultojnë me shkelje të rënda detyre dhe me akte abuzive me dokumentacionin 11 oficerë dhe 77 policë të rolit bazë. Ata janë vënë në dispozicion të Drejtorisë së Personelit të Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë
28 raste - Janë konstatuar me probleme nga komisioni i kundërvajtjeve. Mungonin lejet e drejtimit të shtetasve që ishin brenda afatit të bllokimit. Ata janë gjobitur sërish, gjatë kohës që lejet e drejtimit duhet të ishin të bllokuara
5 drejtues - Të Komisariatit të Qarkullimit Rrugor janë proceduar penalisht dhe ndaj tyre janë referuar materialet në prokurori për “shpërdorim detyre” dhe korrupsion pasiv”. Nuk morën masa ndaj punonjësve për mënyrën e plotësimit të procesverbaleve
Një reformë e thellë ka prekur Qarkullimin Rrugor të Tiranës, ku janë lëvizur rreth 80 për qind e të gjithë efektivit të këtij komisariati. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, 88 oficerë dhe efektivë të rolit bazë, janë larguar nga qarkullimi rrugor dhe janë vënë në dispozicion të Policisë së Tiranës. Ndërkohë, ndaj katër oficerëve të rolit drejtues dhe një zbatuesi, filloi procedimi penal për “shpërdorim detyre” dhe “korrupsionit pasiv”. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare nga Ministria e Brendshme, sipas së cilëve, efektivët që do të zënë vendin e të larguarve janë marrë nga radhët e disa komisariateve të policisë në Tiranë, të cilët janë kryesisht efektivë të rinj dhe me formë fizike të mirë.
“Shkrihet” qarkullimi rrugor
Ministri i ri i Brendshëm ka filluar reformën e paralajmëruar në Policinë e Tiranës. Të parët që janë larguar nga detyra kanë qenë efektivët e Qarkullimit Rrugor. Gjithsecili ka parë që këta punonjës policie, kohët e fundit, kanë dalë janë formës fizike, ku pamja e parë lë shumë për të dëshiruar. Këta janë kontingjenti i policisë që merret drejtpërsëdrejti me qytetarët, ndërsa lëvizin thuajse në të gjitha pikat kyçe të Tiranës. Ndaj tyre ka pasur shumë pakënaqësi nga qytetarët, të cilët janë ankuar edhe për performancën e dobët. Ndërkohë, një tjetër problem ishte se këta punonjës policie dyshohet se janë të korruptuar dhe vendosin gjoba selektive. Madje, probleme ka pasur edhe te komisioni i apelimit të gjobave, të cilët vononin procedurat vetëm e vetëm që të merrnin ryshfet. “Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Drejtoria e Përgjithshme e Inspektimit dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm kanë kryer një hetim të gjerë lidhur me zbatimin e ligjshmërisë dhe procedurave të standardeve gjatë kryerjes së detyrës. Nga hetimi kanë rezultuar shkelje të rënda në ushtrimin e detyrave funksionale dhe akte abuzive me dokumentacionin nga ana e 11 oficerëve dhe 77 policëve të rolit bazë, të cilat janë larguar nga Komisariati i Qarkullimit Rrugor Tiranë dhe janë vënë në dispozicion të Drejtorisë së Personelit të Drejtorisë së Policisë Qarkut Tiranë”, pohojnë burimet zyrtare nga Ministria e Brendshme.
Shkeljet e konstatuara
Mësohet se drejtuesit dhe efektivët e qarkullimit rrugor kanë kryer disa shkelje, që janë konstatuar edhe nga SHKB-ja. “Në 28 raste të vendimeve të Komisionit të Shqyrtimit të Kundërvajtjeve Administrative mungonin lejet e drejtimit të shtetasve, të cilat ishin brenda afatit të bllokimit. Nga verifikimet është konstatuar se në disa raste disa kundërvajtës janë gjobitur përsëri për shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor, gjatë kohës që lejet e drejtimit të këtyre shtetasve duhet të ishin të bllokuara me vendim komisioni”, pohon ministria. Sipas tyre, probleme ka pasur edhe te procesverbalet e konstatimit të gjobave. “Rezultuan mangësi në mënyrën e plotësimit të procesverbaleve të konstatimit të shkeljeve (gjobave). Konkretisht, në mjaft raste janë tërhequr dokumentet e automjeteve si mënyrë presioni për të garantuar pagesa abuzive në kundërshtim me Kodin Rrugor. Nga punonjësit e rolit drejtues gjatë kësaj periudhe nuk është marrë asnjë masë administrative ndaj shkeljeve të punonjësve të Qarkullimit Rrugor, për mënyrën e plotësimit të procesverbaleve të konstatimit të shkeljeve, e cila konsiderohet shkelje e rëndë disiplinore”, vijon njoftimi i Ministrisë së Brendshme.
Procedimet penale
Ministria e Brendshme, krahas masave administrative, po përgatit dokumentacionin që për katër oficerë të rolit drejtues dhe një oficer të rolit zbatues, të fillojë procedimi penal. Mësohet se këta punonjës policie janë gjetur me shkelje të rënda, madje edhe penale. “Përveç masave administrative, për 4 oficerë të rolit nivelit drejtues dhe 1 oficer të rolit zbatues janë referuar materialet në prokurori për veprat penale të ‘Shpërdorimit të detyrës’ dhe ‘Korrupsionit pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike’”, pohoi Ministria e Brendshme. s.ç