Shkrimi i bukur? Ta mesosh nuk ka me kuptim

Shkrimi i bukur? Ta mesosh nuk ka me kuptim
Lamtumirë shkrimit të bukur, që çdo ditë e më shumë duket se i ka ditët e numëruara. Në epokën dixhitale, kur fëmijët fillojnë gjithmonë e më shumë të shkruajnë në kompjuterin e prindërve dhe përdorin tastierën elektronike shumë më shpesh se lapsin apo stilolapsin, nuk ka më kuptim t’i torturosh me ushtrime të vështira, rregulla torturuese dhe modele jofleksible për të bërë shkrim të bukur. Për fat të keq, sot të rinjtë nuk dinë të shkruajnë më mirë me shkrim dore.

 Me përfundimin e shkollës fillore, ata “e braktisin” stilolapsin dhe jo vetëm sepse fillojnë të përdorin kompjuterin, por edhe sepse bukurshkrimi ka kohë që është hequr si lëndë mësimore. Por një fëmijë që mëson të shkruajë në mënyrë të rregullt dhe të lexueshme, do të dijë që edhe në kompjuter të shkruajë në këtë mënyrë, por e kundërta nuk mund të ndodhë. Një studim është realizuar kohët e fundit te detyrat e shtëpisë së studentëve të kolegjit të Edimburgut në Britaninë e Madhe. Ky studim ka arritur në konkluzionin se rreth 80 për qind e studentëve dinë të shkruajnë vetëm me gabime ortografike dhe vetë mësuesit e pranojnë se nuk i lodhin më nxënësit e tyre që të shkruajnë me shkrim dore, sepse “ekziston kompjuteri, i cili e lehtëson punën”. Propozimi për heqjen e pjesshme apo të përgjithshme të kaligrafisë si disiplinë shkollore, sidomos në fillore, po bëhet gjithmonë e më shumë realitet në Gjermani.

Shkencëtarë dhe pedagogë, gjithmonë e më të shumtë në numër, po kërkojnë braktisjen e rregullave të ashpra të vendosura që nga klasa e parë fillore, ku në orët shtesë duhet të mësosh në klasë si të shkruash në mënyrë perfekte çdo shkronjë nga fillimi deri në fund të alfabetit, me të madhe apo me të vogël qoftë. Të hiqet kaligrafia nga disiplinat shkollore? Mendja të shkon menjëherë tek e kaluara, në fëmijërinë tonë. Sa shumë jemi lodhur për të shkruar një /a/, një /c/ apo një /o/ ashtu siç duhej. Të gjithë i kujtojmë notat e këqija për shkak të një germe /f/ apo /g/ që ndonjëherë na dilte nga rreshtat dhe nuk ishte ashtu si duhej të ishte. Po /m/ dhe /n/, aq shumë të ngjashme me njëra-tjetrën, sa herë na e kanë nxirë jetën kur i ngatërronim.

Le të mos harrojmë pastaj germën /o/ që duhet të ishte e rrumbullakosur deri në perfeksion. Edhe në Gjermani deri pak kohë më parë rregullat ishin shumë të ashpra: kaligrafia ishte një lëndë e rëndësishme, që vlerësohej me notë në fund të vitit. Ekzistojnë tre sisteme shkrimi analoge në të gjithë Europën: ai më tradicionali i quajtur “shkrimi tradicional latin”, i frymëzuar nga shkronjat e budistëve, para se Gutenbergu të shpikte shtypin; sistemi modern që është thjeshtëzuar pas luftës dhe ai mes modernes dhe tradicionales, i shkollave gjermano-perëndimore. Tani nuk ka më kuptim thonë shumë pedagogë dhe shkencëtarë.

 Iniciativës së tyre gazeta “Frankfurter Allgemeine” i ka kushtuar një faqe të plotë. Pyetja më e rëndësishme që shtrohet sipas ekspertëve është: Përse përdoruesit e ardhshëm të kompjuterit, e-mail-it, SMS-ve dhe internetit duhet të djersiten dhe lodhen për të mësuar në perfeksion kaligrafinë? Sot fëmijët dhe të rriturit shkruajnë çdo ditë SMS me celularë apo e-mail -e dhe gjithçka tjetër me tastierën e kompjuterit që kanë në shtëpi. Shkruajmë me dorë vetëm në pak raste në vit, tregon profesori Georg Rueschemeyer.

 E ka fjalën për kartolinat që shkruajmë kur jemi me pushime, ndonjë urim të veçantë, apo për të shkruar artikujt që nuk duhet të harrojmë të blejmë në listën e shpenzimeve. Edhe kush merr pjesë në ndonjë konkurs, e bën online, duke shkruar përmes tastierës. Edhe institucionet, qofshin këto shtetërore apo jo, nuk të kërkojnë më ndonjë shkresë të shkruar bukur me shkrim dore. Po ashtu, te noteri, testamentet nuk shkruhen më me dorë. E vetmja disiplinë ku mbretëron kaligrafia është ajo e provimeve të studentëve në gjimnaze dhe universitete. Ende nuk dihet se për sa kohë do të jetojë edhe në këtë aspekt, megjithatë diçka është e sigurt. As aty nuk ka rëndësi shkrimi i bukur, por thjesht i kuptueshëm. Me pak fjalë, kaligrafisë duhet t’i themi lamtumirë.

 “Është një stres më vete për fëmijët”, thoshte pak kohë më parë shoqata e shkollave fillore gjermane. Kush nuk lodhet shumë me rregullat e kaligrafisë dhe shkruan me dorë sipas një sërë rregullash të thjeshta, mëson të shkruajë më shpejt dhe më mirë. Por sipas shkencëtares Sibylle Hursler, e vetmja gjë që nuk duhet harruar ka të bëjë me faktin se kaligrafia luan një rol të dorës së parë në stimulimin e aktivitetit motor të fëmijëve. Vetëm kështu truri i tyre i njomë mund të zhvillojë një njohje më të thellë të fjalëve, frazave, koncepteve. Gjëja më e mirë, sipas Sigrun Ritcher, një tjetër eksperte gjermane, është të kombinosh kaligrafinë me mësimin në shkolla të shkrimit në kompjuter.

Kështu kapaciteti motor, intuitiv dhe intelektual do të ruajë në kujtesë modelet e së kaluarës dhe do të përshtatet më mirë me botën dixhitale ku jetojmë. Dihet që kompjuteri nuk mund ta zëvendësojë dot shkrimin me dorë apo bukurshkrimin, madje ndikon në përkeqësimin e tij. Nëse një fëmijë mëson të përdorë edhe kompjuterin edhe shkrimin në fletore, do të jetë më e lehtë për atë që të mos të harrojë kaligrafinë e bukur. Kur flitet për shkrimin me dorë, të vjen ndërmend ish-kryeministri Tony Blair: ai ishte nga të vetmit që i hidhte fillimisht në letër mendimet, si dhe deklaratat e ndryshme, dhe më pas ia dorëzonte zëdhënësit për shkrimin në kompjuter.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama