Shpeshherë është e vështirë të vendosësh se çfarë do të lexosh gjatë verës. Një libër historik, një libër shkencor, humoristik apo një libër rozë? Por, çfarë na sugjerojnë njerëzit e letrave shqipe dhe si i argumentojnë ata propozimet e tyre. Studiuesi i letërsisë Behar Gjoka mendon se: “Koncepti për librat rozë dhe koha e përshtatshme për tu lexuar në verë, tashmë është shndërruar në një pranëvënie që nuk çudit askënd, së paku ata që rreken me librat serioz”. Librat rozë i quan ndryshe edhe libra të lehtë, që lexohen vetëm njëherë. Ai shprehet se është bërë rregull i pashkruar edhe sugjerimi. “Në daljet e para me pushime jashtë shtetit, nga fillimi i viteve ’90, vura re se të huajt, gjermanët, francezët, anglezët, holandezët etj., në krye të 4-5 ditëve bënin sikur harronin libra të ndryshëm. Dikur, me një ngurrim të fshehur i pyeta, dhe përgjigjja ishte e befasishme, janë libra që lexohen vetëm njëherë, sepse janë të lehtë. Kjo rrethanë më bëri që të reflektoja dhe ta shihja më ndryshe realitetin e librit rozë. Tani librin e gjejmë edhe në Ipad, që e ka konkurruar librin klasik, në letër. Më në fund edhe në letërsinë shqipe, ka një përpjekje për të patur edhe libra të tillë, pa harruar përkthimin, që mundëson komunikimin me vlerat bashkëkohore”, shprehet studiuesi i letërsisë Behar Gjoka. Ndërsa për periudhën e verës, sipas tij, zakonisht sugjerohen libra të lehtë, por edhe në varësi të interesave dhe shijeve personale. “Së pari, hidhet një sy në librat e blerë, për të veçuar librat që nuk janë lexuar, flas për ata që ende vijojnë që të blejnë libra, përndryshe konsumohet ca kohë në bibliotekën më të afërt. Dhe, zakonisht merren libra jashtë profesionit, pra letrarë të të gjithë gjinive, por edhe të fushave, libra historikë, psikologjikë, filozofikë, aventuresk, e sidomos rozë, sepse është thjesht një lexim për kënaqësi rastësore”.
Ndërsa, meraku i tij qëndron te leximi i letërsisë shqipe, që ai e shikon si pasqyrën më të pastër shpirtërore. “Duhet synuar një ekuilibër në këtë pikë, mendoj se prirja për të lexuar vetëm autorët e huaj, e cila është në të drejtën e secilit, pothuajse kemi lënë në harresë letërsinë shqipe, pasqyrën shpirtërore më të afërt, të cilës i përkasim. Nëse nuk e lexojmë do të shkëpusim marrëdhënien me të, pastaj do të bindemi se nuk kemi më nevojë, por këtu do të sillja në vëmendje porosinë e Konicës, një gjuhë lëvrohet me vepra të përkthyera dhe ëndërrore, pra origjinale”. Listën e konsideron si më të vështirë, por ai guxon të rreket: “Lista e dëshirave të mia”, roman nga Gregoire Dekacourt, krijon një ndjesi paqëtimi, përmes lojës pa shkak. “Vajza e zhdukur”, roman nga Gillian Flymn, një ndodhi intriguese, e cila rrëfehet bukur. “Rebeka”, roman nga Daphure Du Marier, për skalitjen e personazheve. “Historia e Bukurisë” të Umberto Ecos, si një libër i jashtëzakonshëm me natyrë enciklopedike. “Murgjitë bazilianë të Italisë në Sh- qipëri”, të autorit Nilo Borgia, për shkak të përkthimit mjeshtëror të Mimoza Hysës. “Mjegullat e Tiranës”, roman nga Ismail Kadare, për një peng të hershëm ku paralajmërohet Kadare që do të vinte në letërsinë shqipe. “Vetëdëshmi të Ismail Kadaresë për letërsinë”, studim nga Anton Nikë Berisha. “ Kukullat nuk kanë atdhe”, roman nga Flutura Açka, për shtrimin e pyetjes, A është ky Atdheu që meritojmë? “Psherëtima e gjethes”, poezi nga Anila Kruti, një libër ku ndeshim një poetikë të brishtë ligjërimore. “Shansi i dytë”, roman nga autori Erjus Mezini, një libër i shkruar ndryshe, që përthekson shenjat postmoderne të letrave shqipe. Deri tani nuk ka asnjë studim se çfarë lexojnë shqiptarët. Asnjë institucion i librit nuk është në gjendje t’i japë këto të dhëna që po t’i kishim, do të ishin mjaft ndihmuese për sugjerime apo politika leximi. Pra, nëse do të arrinim në një përfundim duke marrë për bazë sugjerimet gjatë stinës së verës mund të afrohemi më te fëmijëria apo bota nga e cila largohemi pa vetëdije çdo ditë të vitit.
Zllami: Lexoj libra që më mësojnë diçka
Shkrimtarja Brunilda Zllami librat nuk i konsideron me ngjyra, por i ndan në libra që lenë një shije të mirë, që të mësojnë diçka, apo që kanë stil të bukur. “Pikësëpari unë nuk jam mësuar që librat t’i konsideroj me ngjyra. Unë i ndaj në libra që më lënë një shije të mirë, që më mësojnë diçka, që kanë stil të bukur, që kanë jetë. Po, këta libra janë të bukur për t'u lexuar në çdo stinë. Kuptohet që ka letërsi që kërkon impenjim dhe përqendrim gjatë leximit, që të vë në mendime dhe i kërkon mendjes tënde të filozofojë. Kjo është letërsi që është e vështirë të arrihet dhe të kuptohet në çadrat e plazhit mes zhurmave e zërave që s'pushojnë. Është letërsi që mund të përjetohet pasditeve të vona në qetësinë që të fal perëndimi i diellit. Sidoqoftë, duke parë sesa pak kohë kemi për t'iu dedikuar një pasioni siç është letërsia, mendoj se çdonjëri prej nesh duhet të bëjë listën e librave që do donte patjetër t'i lexonte këtë vit dhe të shfrytëzojë qetësinë që i ofron koha e pushimeve.
Të gjitha shijet janë të drejta
“Të gjitha shijet janë të drejta”, thotë një shprehje. Personalisht këtë vit kam vendosur që të lexoj letërsinë e Jose Saramago-s, shkrimtarit portugez. Më intrigon si autor, më pëlqen mënyra se si ai shkruan, pavarësisht fjalive të gjata që përdor. Është një filozofi jetësore ajo që rrjedh në librat e tij, një filozofi e cila duhet kërkuar fjalë pas fjale. Kur lexon librat e tij ndihesh thjesht njeri”. Një tjetër alternativë interesante për të është Fabio Volo. Një mashkull që shkruan për metropolin, dashurinë, vetminë, rrugëtimin e një jete që s'është e lehtë dhe kërkimin e identitetit që shpesh humbet në shpejtësinë dhe stresin me të cilin jetojmë. Sipas saj, edhe Sveva Casati Modinjani është një shkrimtare që më ka pëlqyer gjithnjë. Filmi i bazuar në romanin e saj "Përgjithmonë Xhulia" ka qenë shtysa ime për të shkruar, ndaj e kam ndjekur gjithnjë me endje. Më pëlqen krahasimi i brezave, shtrirja në kohë të ndryshme e romaneve të saj, ëmbëlsia dhe gjallëria e përshkrimeve, detajet njerëzore që të duket se i shikon me ngjyra të ndezura dhe të kalojnë para teje”. Selman Ruzhdie është një autor tjetër që Zllami ka vendosur ta lexojë këtë verë. “Secili prej nesh ka shijet, dëshirat dhe planet e tij për librat e verës. Këto janë vetëm ato që kam në plan unë të lexoj dhe nuk janë sugjerime, sepse nuk dua të ndërhyj aspak në shijet e lexuesit. Besoj që gjithsecili ka të përgatitur listën e tij për këtë verë. Për mendimin tim nuk ka shumë rëndësi se sa të "mëdhenj" janë librat që do lexojnë. Mjafton që lexuesi të jetë i lidhur me librin dhe të zgjedhë atë që mendon se do i sjellë kënaqësi, që do e pasurojë në vlera, që do e shëtisë në një botë që është brenda dhe jashtë realitetit njëkohësisht”.
Sherifaj: Shijet e lexuesve janë tejet të larmishme
Për librat e verës Vasilika Sherifaj tregon përvojën e saj.
A i rekomandon ajo librat rozë për verë?
“Sa i takon përvojës sime personale rekomandoj tituj rozë, kur vetë lexuesi është i interesuar për to. Me lexuesit elitarë kam një tjetër marrëdhënie, meqenëse vetë lexoj gjithësisht çdo gjë, që nga letërsia rozë e deri te filozofia, duke mos harruar trillerin, historinë edhe librat për fëmijë i lexoj me endje. Aaaaa, sa kohë paskeni ju, lind pyetja që i lexoni të gjitha: por ti e kupton, që më shumë lexoj unë sesa blerësit e mi, sepse interesi për librin ka rënë dukshëm”, shprehet Vasilika Sherfaj.
Cilët janë blerësit në librarinë e zonjës Sherifaj?
Për të kuptuar trendin e kësaj vere, do të thosha se janë të lloj-llojshëm. Ka gra, të cilat lexojnë më së shumti rozë, ka fëmijë, ka të tjerë që lexojnë filozofi, histori etj. Për vete këtë kohë kam lexuar libra psikologjikë dhe i kam shijuar, kam lexuar edhe një seri trillerësh, por në italisht. Për lexuesit ajo thotë se, nuk mund të bëjë një listë librash, sepse “frikësohet” që shijet e saj personale mund të ndryshojnë nga ato të lexuesve, të cilat janë tejet të larmishme. Por doemos një libër i mirë sipas Sherfaj janë: “Të mendosh shpejt, të mendosh ngadalë”, fitues i çmimit Nobel 2002, “Muzeu i pafajësisë” Orhan Pamuk, “Gjuetari balonave” Khaled Hosseini, “Shtëpi e shpirtrave” nga Isabel Alende, “Mëso të jetosh” Seneka, “Ecce Homo: Si bëhet njeriu ai që është” Fridrich Niçe, “Pavarësia” Ilir Ikonomi. Së fundmi, është ribotuar “Panairi i Kotësive” i Uilliam Thekerit që për mua është libër i munguar në kohë nëpër librari, për fëmijë do të thosha “Princi i vogël” nga Exupery dhe “Princi i lumtur” nga Oscar Wilde.
Brikena Smajli
Studiuesja Brikena Smajli shprehet se, nuk ka një qasje ndaj librave rozë, as ndaj “bestsellerëve”. “Personalisht nuk kam një qasje ndaj librave rozë, madje as ndaj të ashtuquajturve “bestseller”. Për shumë arsye që kanë të bëjnë me profesionin, por edhe me pasionin ndaj librit dhe leximit, është kultivuar një lloj përkorjeje kundrejt leximit, sa nuk e teproj kur them se zgjedh me shumë kujdes. Leximin e librave rozë (për ata që zgjedhin të tillët) vetëm mund ta arsyetoj si lexim të lehtë dhe për pushime, si për të vrarë kohën shpengueshëm dhe pa kokëçarje”. Por, a mendon Smajli se leximi i librave rozë është më i lehtë dhe i përshtatshëm për kohë pushimesh? “Unë do të thoja “jo”.
Leximi i një vepre të mirë artistike për shumë arsye që kanë të bëjnë me vetë artin është më çlodhës edhe më ripërtëritës se një roman i lehtë rozë, me intrigat dhe tjerrjen romanore. Po kështu është i rëndësishëm edhe një libër historik, një libër sociologjik apo edhe psikologjik... Këto të fundit, duke qenë funksionalë në problematikat që shtjellojnë e shpjegojnë, janë cilësisht më ripërtëritës, për shkak të shënuesve konkretë të ngjarjeve dhe vërtetësisë që ato bartin. Mendja nuk parapëlqen të gënjehet pambarimisht, aq më tepër ajo lodhet me tjerrjen e pafryt dhe paqasje reale të telenovelave, ose të romaneve rozë”, shprehet studiuesja Brikena Smajli. Librat që Brikena Smajli i rekomandon lexuesit gjatë verës janë: “Tregoju për betejat, mbretërit dhe elefantët”, të Matias Enard, “Rrno vetëm për me tregue” At Zef Pellumbi, “Mesdheu” Fernand Braudel, “Ikje nga trilli i perëndive” Amik Kasaruho, “Kukullat nuk kanë atdhe” Flutura Açka, “Mërkuna e zezë” Agron Tufa “Legjenda e vetmisë” Ridvan Dibra.