Shkrimtaret e oborrit

Shkrimtaret e oborrit
“Historia e kulturës vërteton se të gjitha pushtetet kanë pasur dëshirë dhe kanë bërë përpjekje që shkrimtarët dhe intelektualët t’i kenë për vete. Kështu, Aleksandri i Madh që kishte një konsideratë ndaj intelektualëve, se kishte qenë nxënës i Aristotelit, kur takohet me Diolegjin filozof, e pyeti se ç’dëshironte prej tij, Diogjeni vetëm iu përgjigj në mënyrë figurative “mos ma zër diellin”.

Në Mesjetë në kishë dhe më vonë në oborret mbretërore mbahen shkrimtarë për madhërimin e mbretërve dhe pushtetarëve të ndryshëm. Por do përmendur një të vërtetë historike, se shumë shkrimtarë e shfrytëzuan “oborrin”, pra pushtetin për të krijuar vepra jashtë porosive. Le të kujtojmë me këtë rast Gëten, që jetoi e veproi kryesisht në Vajmar, pastaj piktorin Francisko Goja, i cili si piktor i parë i oborrit spanjoll në fillim të shekullit të kaluar, që porositë i bënte për të mbrojtur artin e vet, krijoi vepra me vlerë të pakalueshme.

Kjo mund të shërbejë për një teori, se shkrimtarët që në oborr hynë për hir të oborrit apo thënë me terminologji më moderne, ata që shkruajnë për hir të pushtetit, mbeten shkrimtarë të oborrit, si faktografi e jo si letërsi, e shkrimtarët që janë shkrimtarë, ata edhe në oborr bëhen shkrimtarë. Pos shembullit të Aleksandrit të madh në Antikë, që ndaj filozofëve grekë u soll me tolerancë nga historia moderne, kemi shembullin e Napoleonit, i cili ndërsa po pushtonte Gjermaninë në pushtimet e tij, për në Lindje të Europës kishte urdhëruar që shtëpia e kompozitorit Jozef Hajdini të mos bombardohej dhe kishte caktuar një roje.

Ai madje ishte përkulur para tij. Rast i rrallë. Në historinë e kulturës shqiptare, shkrimtarët tanë nuk patën mundësi të jenë brenda oborrit, meqë deri vonë nuk e patën oborrin e vet, megjithatë do përmendur rasti i Gjergj Fishtës, i cili gjendej me formim në oborrin kishtar, ai arriti të krijojë vepra me vlerë të rëndësishme që nuk përkojnë shumë me oborrin që i takonte, apo Naim Frashëri, i cili, edhe pse i përkiste sektit të bektashinjve, me veprën e vet u bë poet kombëtar në kohën e Rilindjes Kombëtare, sepse vepra e tij kishte etikë edhe estetikë”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama