Romanin e parë e shkroi qysh atëherë. Sot është 80 vjeç dhe numëron rreth 60 vepra. Pasi ka shëtitur gati gjysmën e botës, Fernandez erdhi më në fund edhe në Shqipëri. Brigjet shqiptare i shihte që përtej, nga Italia, por i duhej një shkak të vinte. Dhe nuk mund të kishte më mirë se një promovim libri dhe një stinë koncertore si “Klasik”.
Romancieri dhe akademiku Dominiqur Fernandez, fitues i çmimeve të mëdha letrare si “Medicis”, apo “Goncourt”, ndodhet në Tiranë, për të prezantuar një nga librat e tij më të suksesshëm, “Porporino ose misteret e Napolit”. Në një intervistë për “Shekullin”, Fernandez tregon për jetën e tij, të shkruarit, të atin kolaboracionist me nazistët, përpjekjen në mbrojtje të të drejtave të homoseksualëve.
Prej disa orësh ndodheni në Shqipëri, ç’dinit për këtë vend përpara se të vinit këtu?
Nuk dija asgjë për Shqipërinë, por doja shumë të vija. Kam shkuar shpesh në Italinë e Jugut, në Pulia, Siçili, Napoli dhe i shikoja brigjet shqiptare prej andej, por prisja një rast për të ardhur. Tashmë jam shumë i kënaqur që jam këtu, sepse më kujton pikërisht Italinë e Jugut, mikpritjen, ngrohtësinë njerëzore, atmosferën…
Jeni një njohës i madh i gjuhës dhe kulturës italiane, si ka mundësi kjo dashuri tek një francez?
Italinë e zbulova kur isha 20 vjeç. “Colpo di fulmine”, dashuri me shikim të parë. E desha menjëherë këtë vend. Dhe e dua më shumë se Franca. Zotëron artin e të jetuarit. Kështu që vendosa të mësoj italishten, pastaj e bëra dhe profesion. Kam jetuar gjysmën e jetës në Itali, kam pasur një shtëpi në Siçili. Jam me originë meksikane, im atë është meksikan, por më pëlqen Italia e jugut. Ka edhe diçka spanjolle atje, ndoshta është një lloj lidhjeje e largët.
Ju edhe ngjarjen e romanit që promovoni në Tiranë i vendosni në Napolin e ‘700-ës…
Vitet ‘700 përbëjnë periudhën më të lavdishme në kulturën italiane, sidomos në muzikë. Italia është vendi i operës dhe zbulova që këngëtarët më të zotë atëherë i kastronin, për të krijuar zërin e bardhë, të lartë e që bëheshin yje të mëdhenj. Më tërhoqi ideja të zbuloja se çfarë ndoshte me këta njerëz, pasi dokumentet janë zhdukur të gjitha. Librin e kam shkruar qysh përpara 34 vjetësh dhe tani vjen në Shqipëri. Jam shumë i kënaqur, meqë është kaq afër Italisë. Libri ka dalë shumë mirë (si objekt), do të më pëlqente ta lexoja në shqip, por gjuha është vërtet e vështirë.
Jo vetëm për këtë libër, por edhe të tjerë, keni marrë shumë çmime, sa të rëndësishme janë për një shkrimtar këto lloj vlerësimesh?
Këto çmime të bëjnë të shesësh libra. Për shembull “Goncourt” bën që libri të shitet në 300 mijë kopje, kështu që mund të blesh një apartament (qesh). Por të jep edhe emër, të jep një statut dhe të krijon mundësia për të udhëtuar.
Jeni i apasionuar pas udhëtimeve, çfarë merrni me vete nga vendet që vizitoni?
Unë udhëtoj gjysmën e vitit. Kam bërë shumë libra udhëtimi, rreth 20 syresh, për Bolivinë, Sirinë, Brazilin, që më pëlqen për bukurinë, sensualitetin, Indinë, Rusinë që e dua sepse është një vend me kulturë të gjerë. Në Moskë ka shumë teatro, 6 teatro opere. Sa të mundem udhëtoj. Jam njeri shumë kurioz prej natyre dhe kam mundësira të zbuloj, të takoj njerëz të rinj. Kam miq në të gjithë botën. Është shumë e rëndësishme për të kuptuar gjëra, për të krahasuar. Udhëtimi letrar është një zhanër që është lëvruar më së shumti në Francë. Francezët, që nga klasikët tek modernët, gjithnjë kanë udhëtuar e shkruar. Është një traditë tashmë. Por unë nuk ndihem krejt francez. Është gjuha ime, kam lindur atje, por kam pak nga të gjitha.
Ka ndonjë vend që nuk ju pëlqen?
Nuk më pëlqen Anglia.. Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk më interesojnë. Sapo jam kthyer nga Çikago, një qytet shumë i bukur, por ku jeta është e bazuar mbi konsumizmin, kultura ka pak rëndësi. Nuk më pëlqen Greqia, dhe nuk e di pse. Kam studjuar greqishten e vjetër, kam shkuar shpesh, por grekët nuk më pëlqejnë. Austria gjithashtu, Gjermania, disi…
Na tregoni pak për laboratorin tuaj krijues. Çfarë ju frymëzon, kur shkruani…?
Kam shkruar 60 libra dhe çdo ditë shkruaj nga ora 7 e mëngjesit deri në mbrëmje dhe të dielën edhe më shumë. Edhe gjatë udhëtimeve shkruaj. Në hotel, në avion, në tren. Kam nevojë të shkruaj. Nëse nuk shkruaj një ditë ndihem keq. Është si një drogë pak a shumë. Nuk bëhet asgjë pa disiplinë. Sa për frymëzimin është e vështirë të përshkruhet. Romani lind, pastaj ka nevojë të shkruhet.
Kur e ndjetë për herë të parë këtë nevojë?
Librin e parë e kam shkruar që 11 vjeç. Një libër me indianë, që quhej “Sy prej zjarri”. Një libër prej fëmijësh, por që do të thotë se nevoja për të shkruar më ka lindur që herët.
Në këtë pikë keni marrë shumë nga babai juaj, ai ka qenë shkrimtar gjithashtu?
Im atë ka qenë një shkrimtar dhe kritik i njohur. Ka shkruar romane, por më së shumti ka qenë një kritik me peshë në jetën letrare mes dy luftërash.
Po ai është akuzuar gjithashtu si bashkëpunëtor me nazistët, ju ka dëmtuar ky fakt?
Ai vdiq në ’44-ën para se të arrestohej. Isha shumë i vogël. Në ‘45-ën unë isha fëmija i një kolaboracionisti dhe kjo ishte një peshë e rëndë për t’u mbajtur nga një i ri. Kam shkruar një libër prej 800 faqesh për të, që do ta publikoj në janar në Paris. Tentoj të kuptoj shndërrimin e tij. Socialist në rini, pastaj komunist, më tej fashist, pastaj kolaboracionist. Është paksa i mistershëm ky lloj zhvillimi.
Rreth 30 vjet më parë, ju deklaruat hapur homoseksualizmin tuaj, sa jua ka ndryshuar jetën ky fakt?
Jam homoseksual i deklaruar, prej vitit 1978. Kam shkruar një libër që pati shumë sukses aso kohe. Gjithashtu jam militar i çështjes homoseksuale dhe kjo ka ushqyer krijimtarinë time. Aso kohe ishe i margjinalizuar, as mund të flisje e as të jetoje hapur. Kam vuajtur shumë prej kësaj, ndërsa tani them se kemi “fituar”. Nuk ka më probleme të tilla në Francë, madje edhe politikanë të njohur, si kryebashkiaku i Parisit është një homoseksual i deklaruar. Është një revolucion social i jashtëzakonshëm. Ka ndryshuar jetën e shumë njerëzve. Tani çifte homoseksuale kanë të njëjtat të drejta si çiftet e tjera.
Keni një ëndërr në sirtar?
Të vazhdoj të shkruaj. Edhe teksa fle ëndërroj sikur shkruaj. Gjej fraza, që nuk i gjeja dot gjatë ditës. Të shkruarit nuk më mërzitet asnjëherë.
Çfarë ju gëzon më shumë?
Puna dhe dashuria. Jam gjithnjë i dashuruar dhe shkruaj vazhdimisht. Janë dy gjëra të domosdoshme. Dhe jam i lumtur.
Çfarë ju bën të qani?
Budallallëku i njerëzve, dhuna, njerëzit që po shkatërrojnë botën.
Kush është thesari juaj?
Njeriu që dua, sigurisht.
Si do ta përkufizonit dashurinë?
Kur do dikë, je i domosdoshëm për të dhe anasjelltas. Është diçka që të mban në jetë, të jep energji, por që nuk është asnjëherë e sigurtë. Është e ankthshme të duash prej frikës se mos mbaron.
Ku besoni?
Nuk besoj në fe. Besoj vetëm në punën dhe në dashurinë. Sikur bota të besonte në to, do të ishte më e mirë. E rëndësishme është të bësh një profesion që di ta bësh mirë, por edhe që e do. Vetëm kështu mund të ecet përpara.
Si do ta përkufizonit letërsinë?
Letërsia është thelbësore. Janë shkrimtarët ata që ndryshojnë botën. Që nga Homeri, tek francezët Volter, Russo, që kanë bërë revolucionin, më pas Hygo, Zola, të cilët janë pozicionuar politikisht. Roli i Solzhenicinit në Rusi ka qenë shumë i rëndësishëm në rënien e komunizmi.
Ç’duhet për t’u bërë shkrimtar?
Duhet një lloj talenti, të kesh gjëra për të thënë, por edhe disiplinë. Duhet të jesh antikomformist. (Në fakt konformistët nuk shkruajnë).
Ç’bëni kur lexoni një libër të dobët?
I hedh. Nuk i mbaroj dhe i hedh.
Kush është kritiku juaj më i mirë?
Nuk i besoj kritikëve dhe nuk i lexoj. Librat e mi ua jap njerëzve të besuar, të moshave të ndryshme, një të riu, apo një të moshuari dhe mbledh mendime.
Pse nuk u besoni kritikëve?
Në Francë nuk janë të besueshëm. Tashmë unë jam i njohur në Francë dhe kritikët gjykojnë në bazë të imazhit që kanë krijuar për mua. Janë xhelozë, apo presin diçka prej meje… Mungon leximi objektiv.
Meqë edhe në librin tuaj flitet shumë për muzikën, ç’është ajo për ju?
E dua shumë. Dëgjoj shumë muzikë, shkoj në opera, në koncerte.. Por nuk dëgjoj muzikë kur shkruaj. Muzika është një preokupim më vete.
Gazeta: Shekulli