Për tri ditë me radhë, Liqeni i Batllavës do të jetë vendtakim i shkrimtarëve dhe njerëzve të tjerë të kulturës. Kjo pasi që sot (e mërkurë) fillon Festivali i Letërsisë në Orllan (FLO), i cili do të mbahet deri më 22 qershor. Shkrimtarë të shumtë si Ramiz Kelmendi, Ali Podrimja, Bardhyl Londo, Zarghuna Kargar, Primo Shllaku, Adem Gashi, Halil Matoshi, Moikom Zeqo, Naime Beqiraj, Sali Bashota, Edin Suljic, Ag Apolloni, Donika Dabishevci etj. do të jenë të pranishëm në këtë festival, që këtë vit shënon edicionin e dytë të tij.
“Për tri ditë me radhë, nga 20 deri më 22 qershor, autorë vendas e ndërkombëtarë do të ndajnë krijimet e tyre me adhuruesit e kulturës në një mjedis piktoresk por të pashfrytëzuar për tubime të këtij lloji”, u shpreh Ragip Luta, njëri prej organizatorëve të festivalit, në konferencën për media që u mbajt të martën në kafe-librarinë Dit' e Nat'.
Duke treguar për aktivitetet që do të mbahen gjatë këtyre tri ditëve, Luta tregoi se publiku do të ketë rastin të dëgjojë disa incizime të regjistruara nga Edith Durham dhe për këtë ai e falënderoi Bibliotekën Britanike, që ka lejuar përdorimin e këtyre incizimeve, që janë nga më të hershmet të gjuhës shqipe.
“Festivali i ofron një rast të rrallë publikut që për herë të parë të dëgjojë incizime audio të cilat i ka regjistruar udhëpërshkruesja Edith Durham gjatë udhëtimeve të saj në Ballkan në vitin 1905”, tha Luta. Këngët e incizuara nga Edith Durham do të këndohen të ripunuara nga mexosopranoja Besa Berberi në hapjen e festivalit në ora 19:00 në restorantin Mileniumi i Ri në Orllan, ndërsa për dijetaren angleze, e cila nga shqiptarët është konsideruar edhe si ‘Mbretëreshë e malësorëve’, do të mbahet edhe një sesion special, në të cilin do të flasin Elizabeth Gowing dhe Moikom Zeqo.
Në këtë edicion të këtij festivali do të bëhet edhe inaugurimi i Çmimit të Festivalit për të nxitur krijimtarinë letrare në vend.
Ndërkaq, adhuruesit e muzikës do të kenë rast të dëgjojnë live këngëtarë dhe grupe si Public Service Broadcasting dhe Mark Nelson nga Britania e Madhe, Reyna Lauren nga Shtetet e Bashkuara, dhe në 'Natën e Gjurmëve' një listë impresive të cilës i prijnë Bloody Foreigners me mysafir special Genc Salihun, Petrit Çarkaxhiu (Jericho), Shpat Deda dhe Pink Metal.
Për këtë, Faik Luta, bashkorganizator i festivalit, theksoi se e shohin festivalin si gërshetim të zhanreve të artit e të kulturës.
“Jemi munduar ta zgjerojmë dhe ta thellojmë konceptin. Në forma të ndryshme, e sjellim kulturën në natyrë. Muzika është pjesë e rëndësishme e festivalit, sidomos në këto dy net që e pasojnë hapjen”, tha Luta.
Të dy organizatorët e festivalit kanë jetuar për një kohë të gjatë në Britaninë e Madhe dhe thanë se janë munduar të sjellin përvojën e fituar atje nëpër festivale të tilla, duke përmendur festivale të ngjashme në Britani të Madhe, siç është Hay-on-Wye, i cili vitet e fundit tubon deri 80 mijë pjesëmarrës nga mbarë bota.
Ndërsa, lidhur me vendin e organizimit, ata thanë që përpos që Orllani është vendlindja e tyre, arsye tjetër është edhe peizazhi dhe mjedisi i mirë që mbretëron në Liqenin e Batllavës.
Organizatorët kanë menduar edhe për ata që kanë dëshirë të shkojnë nga Prishtina në Orllan për të marrë pjesë në këtë festival. Ata thanë se për të interesuarit do të ketë autobusë të organizuar që nisen nga libraria Dit' e Nat' në ora 18:00.