Shkrimtarja per femije, Shpresa Vreto tregon se si per 12 vjet radhazi ka mbajtur hapur nje biblioteke per lexuesin e vogel. Ne nje interviste ne Diten Nderkombetare te Librit per Femije, ajo flet per hapat e pare qe ka bere se bashku me 15 kolege te tjere, shkrimtare per femije, bibliotekare, librashites, piktore, kritike etj, per te krijuar revistat 'Sirena e Vogel' dhe “Bota ime”. Ndër të tjera Vreto flet edhe për situatën ku gjendet sot letërsia për fëmijë, për rëndësinë e madhe që kanë librat, për këtë brez që po rritet etj. “Kanë qenë fillimet e para të demokracisë. Unë kam shkuar në një librari që shiste libra, gazeta dhe revista në qendër dhe kur pashë se përkrah një reviste për fëmijë, ishte një tjetër pornografike, vendosa që të krijoj diçka që të ndikojë në edukimin e fëmijëve”. Pas miratimit të idesë, fillimisht doli në treg gazeta “Sirena e vogël”. “Në këtë gazetë ne publikonim artikujt letrarë për fëmijë. Nëpërmjet tyre donim që të jepnim mesazhin se e vetmja mënyrë për të ndryshuar bota, ishte që të lexoheshin sa më shumë libra”. Qëllimi ishte që ky mesazh të mos ngelte vetëm brenda shkollave të Tiranës, por që të shkohej edhe më tej. Për këtë zonjës Vreto, i ka qëndruar përherë pranë bashkëshorti, i ndjeri Vasil Vreto.
Ai ka qenë shoku më i mirë për Vreton, mbështetësi i saj më i madh, në punë e kudo tjetër. “Kemi qenë deri në Adriatik, në një nga fshatrat më të thellë të Tiranës, për të shitur gazetën. Mbanim çantën mbi shpinë dhe trokisnim në çdo derë shkolle, që ishte e interesuar për këto gazeta. Fillimisht një gazetë kushtonte 6 lekë, por ne e shisnim edhe me 4 lekë. Për ne, rëndësi kishte që këta fëmijë të lexonin sa më tepër materiale për moshën e tyre”. Këto kanë qenë fillimet e para. Më pas me ndihmën e UNICEF-it, ndërtuan bibliotekën e përrallave për fëmijë te Pallati i Kulturës, aty ku ka qenë asokohe Qendra Kombëtare Kulturore për Fëmijë, në disa shkolla në Tiranë çuan libra që vinin nga fondacionet e huaja, apo edhe nga shkrimtarë për fëmijë. Çdo vit ne merrnim pjesë në Panairin e Kongresit të IBBY-t, ndërtuam një bibliotekë me fonde të hapura, me libra për fëmijë e të rinj. Në vitin 2002 është organizuar për herë të parë në Shqipëri, takimi i Parë Ballkanik i autorëve për fëmijë, në të cilin shkrimtarët nga Maqedonia, Rumania, Mali i Zi. Bullgaria etj, promovonin botimet dhe tregonin përvojat e tyre mbi librin për fëmijë. Në vitin 2007 Shqipëria u vlerësua nga IBBY me çmimin e parë “Evropa Juglindore. Qendra e letërsisë dhe e edukimit për fëmijë”. Shpresa Vreto tregon se në fondin e bibliotekës që ajo ka drejtuar prej 12 vjetësh, kanë qenë rreth 4500 libra. Fëmijët përpos leximit aty kishin edhe mundësi të tjera për t’u argëtuar. Por nga viti 2012, deri më sot, zonja Vreto nuk është marr më me drejtimin e kësaj biblioteke për fëmijë. Tashmë atë e drejton tjetër kush. Këtë shqetësim asokohe e ka ngritur në Drejtorinë e Librit në MTKRS, nga ku iu premtua se do të bëhej e pamundura që biblioteka të rikthehej në gjendjen e mëparshme, por mesa duket zëri i saj nuk u dëgjua dhe aq seriozisht. Tashmë instancat kanë ndryshuar.
Përpjekjet e zonjës Shpresa për bibliotekën duhet t’i kenë harruar edhe ata persona që premtuan, por që vazhdojnë të punojnë ende aty. Normalisht ata s’mund të flasin për përpjekje të mbetura në letër. Por e rëndësishme për Vreton është që fëmijët të kenë kontakt me libra, me revista apo edhe me gazeta, që u japin njohuri shtesë për botën e tyre të pafajshme. Letërsia për fëmijë fillimisht nuk vlerësohej sa duhej, ndoshta për këtë edhe shkrimtarët shpeshherë detyroheshin që librat e tyre t’i shisnin librari më librari. “Sot duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë që ka libri për fëmijë. Letërsia për fëmijë ka më shumë rëndësi sesa ajo për të rritur në Shqipëri. Por ne nuk na është dhënë asnjëherë dorë nga Ministria e Arsimit që të zhvillonim me tej idetë tona”. Sipas Vretos, ky brez ka nevojë për një mendim të pjekur, që t’i lindë një ide, apo që të motivohet për të realizuar gjëra të bukura, por kjo bëhet vetëm nëpërmjet një kulture të mirëfilltë, përmes librit.
2 Prill, Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë
Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë festohet në të gjithë botën sot (2 prill). Festohet në këtë datë në 2 prill është ditëlindja e shkrimtarit të shquar danez për fëmijë Hans Kristian Andersen. Mesazhi për këtë vit vjen nga Irlanda. Për herë të parë u zhvillua në vitin 1967. Jella Lepmann është shkrimtarja që në vitin 1953 i dha jetë IBBY-it, organizata më e madhe të librit për fëmijë. Është shkruar nga Siobhan Parkinson autore e librit për fëmijë, “Letër fëmijëve të botës”. Ndër të tjera ajo shkruan : “Vazhdoni të lexoni. Thelbi i edukimit vjen përmes leximit”. Juria e IBYY-it sivjet ka nderuar me çmimin “Andersen” shkrimtaren, Nahoko Uehashi, për librat e serisë “Roja e shpirtit Moribito”.
Bio
Shkrimtare dhe skenariste
Shpresa Vreto është autore e disa librave për fëmijë. Ajo ka bërë disa skenarë për filmat artistikë dhe për filmat e animuar. Në vitin 1978 ka shkruar skenarin e filmit vizatimor “Mirela”. Në vitin 1981 së bashku me Xhanfizé Kekon kanë realizuar skenarin e filmit “Kur xhirohej një film”. Pas pesë vjetësh vjen e vetme si autore në realizimin e filmit “ Fillim i vështirë”.
Me Petrit Rukën ka bashkëpunuar në filmin “Një djalë dhe një vajzë” në vitin 1990. Disa nga librat që ka shkruar Vreto janë: “Shokë Shkolle”, “Vit i paharruar” etj. Pas viteve 1990 ka ideuar “Sirena e vogël” dhe “Bota ime”. Gjithashtu ka drejtuar një bibliotekë për fëmijë, për 12 vjet rresht.