Po bëhen tre shekuj kur u botua në Romë, më 1716 gramatika e parë e gjuhës shqipe në italisht me titull “Vërejtje gramatikore në gjuhën shqipe dhe drejtshkrimin e saj”, shkruar nga Francesko da Leçe, ndërsa 125 vjet më parë Sami Frashëri botoi të parën gramatikë në gjuhën shqipe me titull “Shkronjëtore e gjuhës shqipe” (1886). Sigurisht që edhe para Samiut u hartuan gramatika rreth shqipes, disa u botuan, disa mbetën në dorëshkrim, disa me përmasa më të mëdha, disa me përmasa më të vogla, që për prof. J. Kastratin ishin afro 30 të tilla, gjë që tregonte se historia e gramatologjisë shqiptare kishte një traditë të mirë para Sami Frashërit. Pra, autori ynë nuk dimë sa i ka njohur këto krijime, por e rëndësishme është se ai nuk e shkeli për herë të parë këtë fushë.
Ç’përfaqëson gramatika e Sami Frashërit? Është një botim që paraqet mjaft interes nga pikëpamja shkencore, prandaj shumë gjuhëtarë shqiptarë kanë bërë vlerësimet e tyre rreth kësaj vepre ose duke e krahasuar me një botim të mëparshëm, me gramatikën në greqisht të K. Kristoforidhit të vitit 1882. Për prof. Selman Rizën K. Kristoforidhi dhe S. Frashëri si gramatikanë të gjuhës shqipe janë komplementarë të njëri-tjetrit: Konstandin Kristoforidhi, themelues i albanistikës vendase është vetëm në drejtimin e saj filologjik tradicional, kurse në drejtimin e saj të kundërt d.m.th. linguist modern, themelues i albanistikës vendase është Sami Frashëri. Por vlerësime për këtë botim ka pasur edhe nga gjuhëtarë të tjerë. Me këtë gramatikë Sami Frashëri është konsideruar një nga themeluesit e gramatologjisë në gjuhën amtare që hodhi bazat e saj (Jup Kastrati), një gur themeli në gjuhësinë shqiptare (Fatmir Agalliu).
Botimi i një vepre të tillë ishte një shprehje e ndërgjegjësimit të patriotëve shqiptarë për t’i shërbyer atdheut të vet edhe në fushën e arsimit dhe të kulturës, që nga viti në vit po shfaqte ngritje, ndonëse ndjekjet, persekutimet dhe reprezaljet nga pushtuesi nuk kishin mbarim. Çdo patriot, në atë kohë, kërkonte të lëshonte ndonjë rreze drite për kulturën shqiptare dhe për zhvillimin e arsimit kombëtar. Janë disa qendra ku grumbulloheshin shqiptarët në atë kohë, si: Stambolli apo Bukureshti, Aleksandria apo Sofja dhe që ndikuan fuqishëm në ndërgjegjësimin e shqiptarëve për çështjen kombëtare.
Problemi që i shqetësonte atdhetarët e kohës, fillimisht, qe mungesa e një alfabeti të vetëm për të gjithë shqiptarët. Gjysma e dytë e shekullit XIX shënoi fillimin e një periudhe të ngjeshur të veprimtarive, konsultave, mbledhjeve për të zgjidhur këtë problem për kulturën shqiptare që ishte një pengesë serioze për lëvizjen tonë kombëtare. Sami Frashëri, ky enciklopedist dhe dijetar i përmasave të mëdha për kohën, që me ardhjen e tij në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, e ngriti me forcë ruajtjen, lëvrimin e zhvillimin e gjuhës shqipe, duke e konsideruar domosdoshmëri për vetë qenien e kombit tonë. “Kombet mbahen nga gjuhët, shkruante Samiu, një komb që humb gjuhën e vet është i humbur’ dhe i harruarë.”
Të gjitha orvatjet që u bënë nga viti 1867-1879 çuan në ngritjen e një komisioni për hartimin e alfabetit të përbashkët të shqipes i cili, pas shumë diskutimesh dhe kundërshtish, në pranverën e vitit 1879 miratoi atë sistem shkrimor që njihet si alfabeti i Stambollit dhe që luajti një rol të rëndësishëm për një periudhë të caktuar, me botime në të mirë të çështjes sonë kombëtare, por që nuk arriti të bëhej alfabeti kombëtar i shqipes.
Botimi i kësaj vepre nga Sami Frashëri po plotësonte disa nga idealet e rilindësve tanë, që përveç zgjidhjes së alfabetit, duhej hartuar gramatika dhe fjalori.
Kjo gramatikë u botua në Bukuresht të Rumanisë, më 1886 nga shoqëria “Dija” dhe kishte 141 faqe. Kjo vepër nuk është lënë në harresë nga studiuesit tanë, të cilët kanë analizuar në detaje dhe evidentuar vlerat e saj, si nga Sh. Demiraj, S. Riza, J. Kastrati, F. Agalliu etj.
Gramatika e Samiut dhe vepra e Naimit “Bagëti e bujqësi”, që qarkulloi në atë vit, ishin një manifest për lëvizjen tonë kombëtare si në fushën letrare ashtu edhe gjuhësore. Samiu i tregonte opinionit të kohës te vepra “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhetë” se populli shqiptar është “m’ i vjetri komp i Evropësë edhe m’i fiçmi, më trimi; flasimë më të vjetrënë e më të mirenë gjuhë të farës ariane”, se gjuha shqipe i ka të gjitha vlerat për të qenë një gjuhë kulture ku sinjalet e para i dhanë autorët e vjetër e në veçanti Pjetër Bogdani. Në këto rrethana, gramatikën e Samiut duhet ta vlerësojmë si në aspektin e vlerave shkencore, ashtu edhe për sa u përket edhe vlerave patriotike.
Vlerat e saj qëndrojnë në disa rrafshe:
E para, është gramatikë e parë e shkruar dhe e botuar në gjuhën shqipe, me një nivel mjaft të ngritur shkencor për dijet e asaj kohe. Formulimet dhe përkufizimet, që janë shumë të goditura, studiuesit e Samiut i kanë quajtur përcaktime lapidare,
E dyta, Samiu në këtë gramatikë i kushtoi një vëmendje terminologjisë gjuhësore. Duke përdorur kalkun, neologjizmat, gjallërimin e fjalëve të vjetra që i vuri në shërbim të gjuhësisë shqiptare, qarkulloi mbi 100 terma gjuhësorë. Edhe për këtë mund ta konsiderojmë një ndër themeluesit e terminologjisë gjuhësore shqipe, që, disa i qëndruan kohës dhe arritën deri më sot, disa jo. Edhe termin gramatikë, Samiu e përktheu me termin shkronjëtore. Duhet theksuar se për disa terma gjuhësorë janë bërë përcaktime të padrejta për burimin e tyre, pasi kanë munguar studimet e thelluara në këtë fushë ose duke mos njohur disa vepra e dorëshkrime. Një punë të veçantë në këtë rrafsh kanë bërë disa autorë, si: L. Dodbiba, që analizoi termat gjuhësorë të hartuara nga S. Frashëri, M. Domi në shkrimin “Gramatika e Jani Vretos e vitit 1866 dhe kontributi i tij në përpunimin e terminologjisë gjuhësore të Rilindjes” shtoi edhe pak terma, duke specifikuar se cilat janë të Samiut dhe cilat janë të Jani Vretos, J. Kastrati, bëri plotësime dhe saktësime të disa termave gjuhësorë, mbështetur te botimi i shoqërisë “Bashkimi” “Oroe përmii abetare shqyp” e fillimit të shekullit XX, ndërsa T.Osmani publikoi “Laimet e Komisis Letrare Shqipe në Shkodër”, nr.2, e panjohur deri në atë kohë ku përfshiheshin në atë organ në paragrafin “Skaje gramatikore” 134 njësi, të cilat jo të gjitha janë terma gjuhësorë. Vlera e tyre është e rëndësishme, pasi disa termave u saktësohet autorësia e vërtetë e tyre.
E treta, kjo gramatikë që nuk është një manual, pasi ka më shumë karakter teorik se praktik, nuk ka ushtrime, megjithatë do të shërbente si tekst mësimor për shkollat shqipe dhe do të përdorej një vit më vonë, më 1887 në Mësonjëtoren Shqipe të Korçës.
E katërta, kjo vepër do të shërbente në përhapjen e alfabetit të Stambollit, në ato shkolla dhe në atë shtyp ku përdorej gjuha shqipe.
E pesta, Shkronjëtorja së bashku edhe me krijime të tjera të Samiut apo Naimit do të ishin vepra me vlerë për arsimin tonë kombëtar dhe për shkollën shqipe.
E gjashta, Gramatika është shkruar në dialektin e Jugut, ndonëse nuk ka anashkaluar disa dukuri të gegërishtes. Sipas F. Agalliut “gramatika e Sami Frashërit është shkruar mbi bazën e dialektit jugor, por duke u ngritur mbi veçoritë dialektore…dhe ka marrë trajtën e një manuali gramatikor të konesë letrare gjithëjugore.”.
Cila është struktura e veprës?
Gramatika e Samiut përfshin: parathënie, e cila i shërben si paraprijëse e kësaj gramatike ku jep të dhëna të shkurtra me karakter fonetik, pastaj të ndara në 10 krerë përshkruan dhjetë pjesë të ligjëratës, të ndara sipas Samiut. E mbyll veprën, duke shënuar sipas rendit alfabetik 116 terma gjuhësorë të përdorur në këtë gramatikë me gjegjëset në frëngjisht dhe greqisht.
Ndonëse tepër shkurt të dhënat me karakter fonetik, rreth dy faqe kanë vlerë për të parë edhe njohuritë e kohës për këtë disiplinë gjuhësore, si: Ç’është gramatika, fjala, rrokja. Për këtë të fundit shënon se fjalët mund jenë njërrokëshe, dyrrokëshe, trerrokëshe dhe shumërrokëshe. Pastaj trajton tepër shkurt se ç’është shkronja. Shënon se gjuha shqipe ka 36 shkronja dhe i radhit sipas alfabetit.
Theksojmë se me alfabetin e Stambollit u zgjidh përfundimisht raporti tingull-shkronjë, duke përcaktuar drejt se shqipja kishte 36 fonema që duhet të pasqyrohej me 36 grafema. Ata autori i ndan në të zëshme - zanoret dhe në të përzëshme - bashkëtingëlloret. Me interes është ndarja e bashkëtingëlloreve sipas vendit të formimit, si dhe termat e përdorura, të cilat, disa prej tyre, me ndryshime të vogla kanë arritur deri më sot, si Buzëtore (=buzore), dhëmbëtore (=dhëmbore), grykësore (=grykore), gjellëtore (=qiellzore) dhe fishkëllore (= fishkëllore). Këto i konsideron të përzëshmet dhe vazhdon me ndarjen e bashkëtingëlloreve në të ngurrëta(=të zëshme), të çkrifëta (=të shurdhëta), të trasha(= të prapme), të holla (= të përparme). Jep shkurt të dhëna për theksin në shqip, për disa nga shenjat e pikësimit që ai i quan pikatë. E mbyll këtë parathënie me pjesët e ligjëratës që ai i quan farët e fjalës, të cilat sipas Samiut janë dhjetë: emri, nyja, miemri (=mbiemri), përemri, folja, pjesëtorja (=pjesorja), mifolja (ndajfolja), parja (parafjala), lidhja (=lidhëza) dhe thirrja (pasthirrma).
* * *
Shkronjëtore e Sami Frashërit, megjithëse ka kaluar më shumë se një shekull nga botimi i saj, përsëri ka interes në disa segmente të saj. Sigurisht që kjo gramatikë sot nuk mund të përbëjë një model, por për atë kohë po. Një pjesë e terminologjisë së përdorur, që siç e theksuam, e ndeshim edhe në studimet tona gjuhësore. Autori është i saktë dhe i qartë edhe në formulimet dhe interpretimet që u bën pjesëve të ndryshme të ligjëratës. Ne vërejmë sensin e veçantë dhe të hollë gjuhësor të Samiut, i cili ka arritur në disa raste të zbulojë disa veçori të shqipes, si dhe prirjen që mund të ketë ndonjë formë gramatikore.
Një përshkrim të hollësishëm dhe shumë të gjerë u ka bërë foljeve, pastaj emrit dhe përemrit. Nuk po ndalemi në këtë shkrim të analizojmë një nga një çështjet e trajtuara, pasi ato janë vështruar nga autorët që janë marrë ekskluzivisht me këtë vepër, por do të shënojmë disa nga ato veçori që mund të paraqesin interes për lexuesin, por pa hyrë në detaje.
Tek emri, Samiu dallon emrat e përgjithshëm dhe të përveçëm dhe përshkruan me hollësi kategoritë gramatikore të gjinisë, numrit, rasës, shquarsisë dhe pashquarsisë. Në sistemin e rasave të shqipes autori pranon 6 rasa, duke përfshirë edhe vendoren e vjetër ( në mëngjest), por jo thirroren. Rrjedhorja për Samiun është vetëm në të pashquarën. Emrit i njeh 16 lakime, mbështetur te mbaresat e rasës emërore të pashquar, në ndonjë rast edhe në gjinoren e shquar. Por tri lakimet e fundit i përkasin numrit shumës, kështu që numri i lakimeve zbret. Nuk ka ndonjë argument të bindshëm për një ndarje të tillë, gjë që nuk pati jehonë tek autorët e gramatikave të mëpastajme. Formimit të emrave i ka dhënë shumë pak vend, duke mos analizuar disa mënyra fjalëformimi. Kështu kompozimi, një nga mënyrat më prodhimtare, pas prapashtesimit në gjuhën shqipe, nuk është analizuar nga Samiu.
Me interes janë edhe përshkrimi i nyjave, i mbiemrave, përemravet, që kanë pasur një ndikim te pasardhësit që kanë shkruar gramatika etj.
Vendin më të gjerë ia kushtuar foljes, që i ndan, sipas Rizës, në këto çështje: 1. Zhvillime teorike 2. Paradigma globale të foljeve ndihmëse: pasurë, qenë 3. Paradigma vetëm mbaresore të foljeve të rregullta 4. Paradigma njëherazi tematike dhe mbaresore të foljeve të rregullta 5. paradigma globale të foljeve të parregullta të vëna varg sipas rendit abecor.
Do të ndalemi vetëm në ndonjë problem të foljeve. Samiu jep të dhëna për kategoritë e foljes: vetën, numrin, mënyrën, kohën, foljet kalimtare dhe jokalimtare. Me interes është se foljet kalimtare, sipas autorit të gramatikës, mund të përfshihen në diateza, ide që e ndeshim sot edhe në disa gramatika të gjuhës shqipe. Dallon 7 mënyra: dëftoren, lidhoren, dëshiroren dhe urdhëroren. Përfshin në mënyra edhe format e pashtjelluara: paskajoren, (si të tillë merr atë që ne e konsiderojmë pjesore) pjesoren dhe përcjelloren. Mënyrën habitore dhe kushtore i përfshin në mënyrën dëftore, duke i konsideruar si kohë të kësaj mënyre. Pranon 16 kohë të foljeve: tetë të thjeshta dhe tetë të përbëra. Nuk ka ndonjë argument pse pranon kaq shumë kohë të foljeve. E mbyll këtë kapitull, duke shënuar, sipas konceptit të tij, 54 folje të parregullta si listë, kur disa prej tyre nuk janë të tilla.
Pjesët e pandryshueshme të ligjëratës i ka trajtuar shumë shkurt. Kështu pas përkufizimit, sipas funksionit i ndan në gjashtë grupe: Ndajfolje vendi, kohe, sasie, mënyre, pohore dhe mohimi, duke shënuar vetëm disa prej tyre sipas grupeve dhe asgjë më shumë. Tërheq vëmendjen se edhe emrat në rasën kallëzore ditën dhe natën, si dhe disa emra të shoqëruar me parafjalë i merr si ndajfolje: për herë, në mëngjest, me të nesërmet.
Si gjithnjë edhe për parafjalët në fillim jep përkufizimin dhe pastaj rreshton rreth 30 parafjalë pa ndonjë kriter të caktuar. Samiu sqaron kur disa fjalë si: pranë, tej, pas merren si ndajfolje dhe kur si parafjalë. Edhe këtë pjesë të ligjëratës nuk e vazhdon me tej me ndarjet sipas prejardhjes, strukturës morfologjike dhe kriterit sintaksor.
Edhe për lidhëzat ndjek të njëjtin kriter. Jep përkufizimin dhe rreshton mbi 20 të tilla, disa prej të cilave nuk janë lidhëza. Sqaron se e, a, edhe, në, që kur merren lidhëza dhe kur merren si pjesë të tjera të ligjëratë. Edhe lidhëzat nuk i klasifikon sipas prejardhjes, strukturës morfologjike dhe sipas funksionit sintaksor. Për pasthirrmat, përveç përkufizimit dhe rreshtimit të afro 30 të tilla, nuk bën asnjë lloj sqarimi
* * *
Shkronjëtorja e Sami Frashërit mbetet jo vetëm si gramatika e parë e shqipes në shqip, por edhe për disa nga vlerat e saj, të cilat e përfshijnë autorin me dinjitet në historinë e gramatologjisë shqipe.