Shkurti i gjate i provimeve

Shkurti i gjate i provimeve
Në këtë botë, siç thuhet në shprehjen e njohur, duket se asgjë nuk është e sigurt, përveç taksave dhe vdekjes. Por këtyre, sa kohë jemi studentë, duhet t’i shtojmë edhe sezonin e provimeve. E nisëm pak rëndë, por sajtet e universiteteve dhe gazetave të studentëve në të gjithë botën, nuk bëjnë gjë tjetër veçse i bëjnë jehonë stresit të këtij sezoni. Sezon ngricash dhe provimesh.

Që ka ardhur në një pjesë të mirë të kontinentit. Dhe te ne. Në shumicën e universiteteve të vendit, sezoni ka nisur tashmë. Edhe aty ku ende nuk ka ardhur, e presin këto ditë…me stres e ankth. Dhe prandaj shkurti nuk është aspak muaj i shkurtër nëpër universitete kur në të bien datat e provimeve. Sipas vitit, degës dhe universitetit ndryshon dhe gjatësia e sezonit, ditët nga një provim në tjetrin, numri i provimeve, por një gjë është e sigurt provimeve nuk i shpëton dot, për fare. Sikur të mos mjaftonte gjithë stresi që ato sjellin, detyrimet që duhen përmbushur para se të hysh në provim, shtohet edhe moti i ftohtë i këtyre ditëve që e bën këtë periudhë një nga më depresivet.

Sezoni gri i dimrit

Në të vërtetë, dimri ka nisur ndikimin e tij që para se ta ndihmonin provimet. “Gjëja më e vështirë është të dal nga krevati në mëngjes, sidomos kur jashtë është vrenjtur dhe bie shi”, thotë Eliani, student i vitit të dytë për Informatikë duke i dhënë zë refrenit të pothuaj gjithë studentëve këtë periudhë të vitit, e cila përmban edhe ditët më depresive të vitit. Sipas disa përllogaritjeve, studiuesit shpallën të hënën e tretë të janarit, ditën më depresive.

Por të tjerë, thanë se për studentët i gjithë sezoni i provimeve është i tillë. Sepse disa nga faktorët që e rrisnin rezultatin depresiv në përllogaritjet në fjalë, ekzistojnë gjatë gjithë këtij sezoni. Një nga këto është ndikimi i motit, i cili shkakton atë që quhet çrregullimi emocional sezonal (Seasonal Affective Disorder: akronimi SAD në anglisht i përputhet edhe kuptimit, i trishtuar, që kjo fjalë ka në vetvete), një formë depresioni e shkaktuar nga moti. Sigurisht në vendet e ftohta, me mjegull e shi, prek shumë njerëz, por as nëpër qytetet tona nuk mungojnë ditë të tilla. Megjithatë shpesh depresioni nuk vjen nga ndonjë shkak specifik dhe ata që ndihen poshtë me moralin, nuk e kanë idenë pse ndihen kështu.

Në website-in Students Against Depression thuhet se problemet ekonomike janë faktori parësor i rritjes së depresionit në universitete. Në Shqipëri, jo për gjendjen më të mirë ekonomike, por për faktin se zakonisht me këtë pjesë merren më shumë prindërit se vetë studentët, ky ndoshta nuk është një faktor parësor. Megjithatë, ata që duhet të punojnë dhe të paguajnë vetë tarifat e shkollës, me siguri e kanë ndjerë edhe më shumë se të tjerët të ftohtit e këtyre ditëve.

Nga ana tjetër, shkurti, është mbyllja zyrtare e “muajit të mjaltit” në universitetet. Kur keni lënë shtëpinë e ngrohtë në janar me siguri nuk ka qenë njëlloj si në tetor, kur ditët ishin me diell dhe kampuset dhe Tirana kishin shumë për t’iu ofruar: fillimi i shkollës, takimi me miqtë, rifillimi i jetës studentore, pastaj festat dhe pushimet e fundvitit, ëmbëlsirat mbi tavolinë dhe dhuratat poshtë pemës, party-t…. “Të kthehesh nga shtëpia e ngrohtë, plot me gjëra të mira për të ngrënë, ku rrije me orë të tëra para televizorit me idenë se do ulesh e do studiosh deri sa të dalin sytë vendit nuk është shumë e këndshme”, thotë Klaudia nga Elbasani. Tani, pra, nuk ka më me çfarë të hutohesh, përpara është ai, sezoni i provimeve. Që për gjithë studentët e vitit të parë, është dhe përvoja e parë e këtij lloji.

Hera e parë ose shansi i fundit

Si çdo herë e parë, edhe provimet e para universitare kanë një farë frike që qëndron pas tyre. Sezoni, mënyra e vlerësimit, nota që vendoset pothuajse një herë e mirë, provimi që është një i vetëm e që përfshinë kapituj të tërë nga lënda, këto të gjitha provohen për herë të parë nga një student i vitit të parë këtë sezon dhe nuk mund të mos ia bëjnë më të vështirë këtë periudhë. “Unë kam marrë nota të mira në gjimnaz, por tani nuk e kam idenë se si vlerësojnë pedagogët dhe po i pres me ankth provimet dhe rezultatet”, thotë Eda, studente e Gjuhëve të Huaja.

Por ndërkohë që për vitparistat kjo është përballja e parë me sezonin dhe prandaj ai duket pak i frikshëm, për ata të viteve të treta, ky sezon është një nga mundësitë e fundit për të rritur mesataren, që do iu duhet aq shumë vjeshtën tjetër kur presin të nisin masterat shkencorë apo profesionalë. “Më duhet patjetër të mësojë shumë e të dal mirë këtë sezon. Nëse gjërat venë siç i kam menduar, do e kem më të lehtë të vazhdoj masterin shkencor”, thotë Shpati, student i Shkencave Sociale. Kjo, sipas psikologëve, e ngarkon gjendjen mendore të studentëve, të cilët kanë nisur të ndiejnë që tani peshën e diplomës. Disa të tjerë japin tani një provim që i ka ndjekur pothuaj gjatë gjithë periudhës së studimeve dhe për ta edhe sikur këto ditë dimri të kenë pak diell, ai do duket vetëm pasi të marrin notën pozitive të provimit persekutues. Para atij çastit dimri do jetë i ftohtë. Si sallat bosh të universiteteve kur nis sezoni dhe dhomat e godinave të konviktit.

Boshatisja e ndërtesave dhe mbushja e tavolinës së studimit

Ditët e sezonit të dimrit nuk e boshatisin Qytet Studentin dhe konviktet e tjera me të njëjtin intensitet si pushimet verore, megjithatë fillimi i sezonit ndihet. Duke qenë se është ftohtë, por edhe se kur studion ke më shumë nevojë për kushte e një tavolinë të shtruar mirë, shumica e studentëve largohen nëpër shtëpira.

Po të ngjitesh në QS këto ditë e kupton se dhe këtë sezon, kështu kanë zgjedhur shumica. Rrugët dhe baret nuk janë aq plot dhe godinat janë të qeta, aty hyjnë e dalin vetëm studentët që kanë një punë që i mban në Tiranë, ose ata pak që do e kalojnë sezonin këtu.

“Shumica e studentëve ikin në shtëpi për sezon. Edhe shoqet e mia të dhomës kanë ikur. Mua më duhet të qëndroj sepse punoj”, thotë Ada, studente vitit të dytë të masterit shkencor, sezoni për të cilën ka nisur që në 8 shkurt e do vazhdojë deri në fillim të muajit tjetër. Të tjerët vijnë e ikin. Sa për studentët e Tiranës, edhe ata nuk janë aq të rregullt nëpër kafet e pasdites, dikush i ka zhvendosur takimet me shoqërinë paradite, kur të paktën ka pak diell, sepse pasditeve errësohet shpejt dhe temperaturat ulen po me shpejtësi.

Godinat e fakulteteve dhe universiteteve gjithashtu bien në heshtje edhe pse çdo ditë mund të ketë provime, por fakti që në shkollë janë vetëm një pjesë e gjithë studentëve, bën që dhe zhurma e gjallëria të jetë e përpjesëtuar. Dhe një mjedis i tillë as nuk i fton studentët të vijnë rrotull pasi mbarojnë provimin, siç ndodh kur mbaronin leksionet e duhet të prisnin për një seminar apo orë tjetër mësimi. Ata përgjithësisht largohen menjëherë nga universitetet, të cilat e tregojnë gjithashtu me mungesën e lëvizjes së të rinjve, faktin se sezoni ka nisur.

Shkurti që zgjatet e zgjatet…

Ka disa studentë që kanë vetëm tre provime, disa të tjerë kanë shtatë për shembull apo dhe më shumë. Megjithatë, me ndonjë ditë më pak apo më shumë, universitetet përgjithësisht një muaj të tërë janë në “gjendje të jashtëzakonshme sezoni”.

Studentët në marrëveshje me pedagogët vendosin datat e provimeve, duke i renditur sipas interesit të tyre dhe duke i lënë më shumë ditë provimeve më të vështira. Megjithatë jo gjithmonë është në dorë të tyre. “Ne na kanë lënë provim pas sezonit, në 10-11 mars, thotë një studente e Fakultetit Filologjik, sepse pedagogu duhet të largohet dhe, edhe pse e ka shënuar datën në shkurt, ne provimin do e japim në mars”.

Që do të thotë që gjendja e jashtëzakonshme e aktivizuar në trurin e studentëve do vazhdojë më gjatë. Kush e ka kaluar qoftë dhe një herë, stresin e sezonit, e di çlirimin që vjen pasi ai mbaron, por “kur ai zgjatet e zgjatet, je gjithë kohës si në siklet”. Dhe sikur të mos mjaftonte, vështirësia nuk qëndron vetëm te testi, por dhe te rrethanat, të cilat tani në dimër bëhen edhe më të ashpra. “Jam zgjuar në orën gjashtë të shtunën sepse e kishim provimin në orën 8, por kur shkuam në shkollë na thanë se do e zhvillonim në orën 1 në drekë.

Kemi qëndruar përjashta në të ftohtë, sepse edhe kafenetë ishin mbyllur dhe nuk e di si kemi hyrë në provim pastaj”, tregon Ledina, studente e Teknologjisë Ushqimore në Universitetin Bujqësor të Tiranës, për provimin e parë të sezonit të saj, kur e presin edhe gjashtë provime të tjera për këtë vit të dytë të fakultetit. Dhe të tilla vonesa apo të papritura nuk mungojnë as nëpër universitetet e tjera.

Këshilla për të mbijetuar

Megjithatë, ky nuk është as sezoni i parë e as i fundit në historinë e universiteteve. Ky është një nga ata që do kalojë si gjithë të tjerët. Kështu që mos u dorëzoni. Nëse vërtet jeni të ngarkuar emocionalisht por dhe mendërisht bëni mirë të flisni me dikë, një person më të rritur, të njohur, prind që e ka kaluar këtë dhe di të japë ndonjë këshillë me vend. Disa studiues këshillojnë disa metoda për të luftuar depresionin fillestar që shkaktohet edhe nga moti dhe e bën edhe më të ndjeshëm trishtimin që sjell sezoni i provimeve.

Trajtohu me dritë. Trajtimi me dritë është një nga këshillat që ata japin sepse stimulon një ndryshim në elementët kimik të trupit që ndikojnë gjendjen tonë të brendshme: melatoninë dhe serotoninë. Kështu që ndizni dritat!!

Ushqim dhe gjumë. Një tjetër këshillë e përhershme është dhe ushqyerja e mirë, e cila do ju ndihmojë të jeni më rezultativ dhe si pasojë të ndiheni më mirë. Ndjesia që dhe pasi ke studiuar nuk arrin të zbërthesh dilemat dhe ndesh në bllokim truri, nuk iu jep dorë në ecurinë e sezonit.

Prandaj ushqim të mirë dhe gjumë të qetë. Mbilodhja pengon të mësoni e të jeni rezultativë. Sidomos një natë para provimit, përpiquni të flini!

Organizim. Sigurisht që t’ia dilni mbanë duhet të tregoheni të organizuar, të ndani përpjesëtimisht materialin me ditët që keni në dispozicion për ta përsëritur.

Gjeni metodën. Mos eksperimentoni metodat që të tjerët thonë se funksionojnë, por ju nuk i ndieni se bëjnë për ju. Nëse keni tashmë stilin tuaj të studimit që ka dhënë rezultat, sezoni nuk është koha për ta zëvendësuar me një të panjohur!

Ruani qetësinë. Kur të jeni në provim përpiquni të relaksoheni, lexojini me kujdes pyetjet dhe mos u panikoni.

Mos dilni shpejt nga salla. Dhe mos kini mendjen të dilni sa më shpejt nga klasa! Me fletën përpara mund t’ju kujtohet diçka e ta shtoni, po të keni dalë, është e pamundur.

Mos kapërceni pyetjet. Llogarite kohën në mënyrë të tillë që asnjë pyetje të mos ngelet pa lexuar. Në rast se nuk i lexon të gjitha, i bie që do i lësh pa përgjigjur disa që ndoshta do të jepnin gjithë pikët e mundshme!

Komente dhe këshilla nga Facebook

Aldo: Po çfarë t’i bëjmë sezonit? E presim me padurim J.

Andrea:  Shumë të vështira provimet.

Redi: 1) Studio shumë dhe përpiqu të jesh fare i ftohtë në momentin që të vjen teza e provimit mbi tryezë, në mënyrë që të kesh mundësinë të mos gjendesh nën trysni emotive të forta, dhe argumentet e përgjigjet të jenë të kthjellëta,  të qarta dhe racionale.

2) Mos e kthe kokën as majtas as djathtas, as para as mbrapa, as diagonalisht. Përqendrohu maksimalisht vetëm tek pyetjet e tezes tënde.

3) Përpiqu të zerosh dhe te errësosh gjithçka që ndodhet përreth teje për një orë e gjysmë.

4) Pas provimit, mos diskuto më asgjë që ka lidhje me provimin, qofte të  ri shohësh leksionet, qoftë edhe ta bisedosh provimin me shoqërinë. Përveçse shton ankthin, panikun dhe stresin, asnjë vlere tjetër nuk ka.

5) Pas provimit, mendo të argëtohesh në ndonjë club me muzike live, duke pirë dhe nja dy gota alkool, që të ç’kontraktosh mendjen dhe te argëtohesh psiko-fizikisht, duke marrë emocione pozitive, të cilat largojnë dhe eliminojnë ato negativet, si ankthin dhe stresin. Mbi të gjitha, duhet bërë  ndarja e situatave,  që të mos amplifikohen emocionet në çdo lloj situate. Çdo simulim dhe amplifikim emocional, kthehet në dëmtues të fortë për kontrollin dhe menaxhimin e situatës.

Autosugjestionimi mund ta zbehë dhe ta limitojë emocionin. Po u kontrollua emocioni, edhe probabiliteti për të dhënë përgjigje koncize e te sakta, rritet ndjeshëm. Në të kundërt, edhe nëse është mësuar mire lënda, përgjigjet ne test, do jenë të hallakatura dhe të mjegullta. Këshillë kjo, nga një student në vit të fundit të Masterit Shkencor.

Alban: Këtë sezon kemi 4 provime, jo shumë. Nga 18 shkurti deri 1 mars. Nëse mëson, të vështira nuk janë aspak!!!!

Ledio: 5 Provime që s’më bëjnë fare përshtypje J.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama