Shkurtimet 33 punonjes largohen nga Ministria e Ekonomise

Shkurtimet, 33 punonjes largohen nga Ministria e Ekonomise

Ministria e Zhvillimit Ekonomik, e cila drejtohet nga ministri Arben Ahmetaj, po vijon shkurtimin e stafit të saj me 30 për qind të punonjësve. Burimet bëjnë të ditur se kjo ministri ka ndërmarrë dje numrin më të madh të shkurtimeve dhe nxjerrjes së punonjësve në listë pritje. Ministria, e përbërë prej rreth 110 punonjësish, është në procesin e shkurtimit të 33 punonjësve të cilët do të dalin në një listë pritje. Në këtë listë janë të përfshirë drejtorë, shefa sektorësh, por dhe specialistë.

 

Burimet bëjnë të ditur se shkarkimet janë argumentuar me ndryshimet strukturore që kjo ministri do të bëjë në kuadër të përfshirjes së saj të mëparshme në atë që quhej Ministria e Ekonomisë dhe Energjetikës dhe që tani është ndarë në dy struktura të veçanta. Por duket se Ministria e Zhvillimit Ekonomik po ndjek udhëzimin e përgjithshëm të shkurtimeve me rreth 30 për qind të stafit të çdo ministrie dhe të agjencive qeveritare. Sipas vendimeve të fundit të Këshillit të Ministrave, ministria e drejtuar nga Ahmetaj do të ketë si detyrë ndërtimin e modelit të ri ekonomik në vend.

 

Në vendimin e qeverisë, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka si fushë përgjegjësie ndërmarrjen e politikave dhe strategjive për të mundësuar rritjen ekonomike, po ashtu dhe përmirësimin e klimës ndaj biznesit dhe sipërmarrjeve. “Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes ushtron veprimtarinë e saj në: Hartimin dhe zbatimin e strategjive dhe politikave për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të vendit nëpërmjet bashkëpunimit ekonomik, programimit strategjik dhe monitorimit të investimeve publike për të gjitha institucionet qendrore në vend”, thuhet në vendimin e qeverisë të marrë pak javë më parë. Kjo ministri ka kompetencë nënshkrimin e marrëveshjes me vendet e huaja.

Godina

Ministria e Zhvillimit Ekonomik aktualisht vijon të strehohet në të njëjtën godinë me Ministrinë e Energjetikës. Në muajt në vijim pritet dhe lëvizja e stafit të kësaj ministrie në një tjetër destinacion.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama