Shkurtimet per karburantin deputetet bashkohen kunder qeverise

Shkurtimet per karburantin, deputetet bashkohen kunder qeverise

Deputetë të mazhorancës dhe të opozitës nuk pajtohen me nismën e qeverisë për kufizimin e shpërblimit për transportin për nëpunësit civilë dhe funksionarët e lartë, ku përfshihen dhe ata vetë. Për më shumë se 2 orë, komisioni i Ligjeve është përfshirë në një debat, në thelb të të cilit përveç të tjerave ishte shkurtimi me 5 mijë lekë të tjera i bonusit që përfitojnë deputetët për kryerjen e detyrës së tyre funksionale në zonat zgjedhore. Deputetë të të dy krahëve kanë shprehur rezerva për listën e funksionarëve dhe masën e shpërblimit që propozohet të përfitojnë me projektligjin e qeverisë, ku natyrisht nuk ka munguar edhe propozimi i ardhur nga përfaqësuesit e LSI-së për ta detyruar qeverinë që ta tërheqë këtë nismë, të cilën e kanë cilësuar si qesharake, pavarësisht se në fund janë detyruar ta votojnë.

Komisioni

Pasi kaloi një ditë më parë në komisionin e Ekonomisë, dje projektligji i qeverisë “Për rregullimin e shërbimit të transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë” është diskutuar në komisionin e Ligjeve. Nisma në fjalë e cila synon të heqë bonusin për një pjesë të mirë të zyrtarëve të lartë dhe reduktimin e masës së tij për një kategori tjetër dhe që në total sjell një përfitim prej afro 1 milion dollarësh në vit, është bërë objekt debatesh, ku deputetët nuk kanë nguruar të shprehin rezerva edhe për shkurtimin e bonusit që ata vetë përfitojnë, duke deklaruar se kjo e bën të pamundur funksionalitetin e tyre si të zgjedhur të popullit. I pari që ka kritikuar projektin e qeverisë ka qenë relatori Bashkim Fino, i cili nuk është pajtuar me trajtimin e privilegjuar që u bëhet gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, dhe diskriminimit që iu bëhet nga ana tjetër kryetarëve të bashkive, të cilëve u hiqet fare bonusi. “Pse është vepruar nga ministria me dy standarde, aq më shumë që krerët e bashkive janë zgjedhur direkt nga populli?” – tha Fino. Ndërkohë që drejtoresha e Buxhetit në Ministrinë e Financave, Mimoza Dhëmbi ka sqaruar se pretendimi për diskriminim nuk qëndron, pasi zyrtarët që do u hiqet bonusi do mund të përdorin makinat e institucionit, megjithëse ka siguruar se për këto institucione nuk do ketë asnjë buxhet shtesë për përballimin e këtyre shpenzimeve. “Nuk ka asnjë diskriminim. Nëse bonusi bëhet zero, do të thotë që kryetari i bashkisë do i kryejë detyrat me mjetin e institucionit”, – tha Dhembi. Deputetë të ndryshëm si nga mazhoranca ashtu edhe nga opozita kanë ngritur më së shumti edhe problemin e uljes së bonusit që përfitojnë deputetët, duke theksuar se kufizimi i tij sjell së pari ulje të figurës së deputetit dhe së dyti, po e bën detyrën e tij jofunksionale. “Ka rënë gjë çmimi i naftës, janë shkurtuar gjë km e zonës së deputetit, kanë rënë çmimet e gomave apo servisit që deputetit i shkurtohet bonusi? Çfarë kriteri keni zgjedhur, dhe pse nuk keni mbajtur të njëjtin standard edhe për deputetin, edhe për ministrin?” – tha deputeti demokrat, Gent Strazimiri.

Mazhoranca

Të njëjtin shqetësim kanë ngritur edhe deputetët e PS-së dhe ata të LSI-së, të cilët kanë sjellë si rast të papranueshëm atë të heqjes së bonusit për prokurorët apo edhe figura të tjera si kryetari i Akademisë së Shkencave. “Gjeja që më tërheq vëmendjen në tabelat përmbledhëse është që i hiqet bonusi drejtuesit të prokurorisë, që e ka absolutisht të domosdoshëm automjetin sepse duhet të shkojë në vendngjarje, dhe u lihet një sërë funksionarësh të tjerë”, tha Felaj, e cila ka theksuar se makinat që kanë prokuroritë nuk funksionojnë. Ndërsa deputeti i LSI-së, Spartak Braho ka qenë edhe më i ashpër, duke deklaruar se është e turpshme që masa e bonusit për kreun e Akademisë së Shkencave është zero, ndërsa prokurorët duhet të shkojnë në vendngjarje në këmbë. “Kemi dy orë këtu që merremi me 1 milion dollarë, turp e faqe e zezë, ju që e kërkoni dhe ne që merremi me këtë punë. Në këtë kuadër, a ka mundësi ta tërhiqni mbrapsht dhe ta rregulloni?”, – tha Braho. Në kuadër të të gjitha shqetësimeve por edhe të masës së vogël të përfitimit që ka buxheti i shtetit nga kjo nismë, relatori Bashkim Fino ka propozuar jo pa ironi që bonusi të hiqet fare, por kjo me kusht që për deputetët të gjendet një zgjidhje tjetër për transportin e tyre. Propozim ky që pasi është hedhur në votë ka marrë vetëm 5 vota pro, 4 nga mazhoranca dhe 1 nga opozita, mes të cilëve ishte dhe ajo e ish-kryeministrit Pandeli Majko. Pavarësisht kundërshtimeve që kishin, deputetët në fund kanë votuar draftin në parim me vetëm 3 vota abstenim të deputetëve të opozitës, ndërsa votimi në tërësi ka qenë i pamundur të dallohet, për shkak se një pjesë e deputetëve ishin ngritur në atë kohë në këmbë për t’u larguar.

 

Debati te Ligjet, Braho: Prokurorët venë në vendngjarje me makinat e kriminelëve

 

Mimoza Dhembi: Ne mendojmë se çdo përfitim në buxhet është i nevojshëm. 1.5 miliard lekë është e barabartë me ndihmën ekonomike që marrin 3 mijë familje në vit.

Bashkim Fino: Pse disave nga krerët e institucioneve u ulet bonusi dhe krerëve të bashkive u bëhet zero? Mund t’u ulej dhe atyre, jo t’u hiqej. Pse është vepruar nga ministria me dy standarde, aq më shumë që krerët e bashkive janë zgjedhur direkt nga populli?

Dhembi: Nuk ka asnjë diskriminim. Nëse bonusi bëhet zero, do të thotë që kryetari i bashkisë do i kryejë detyrat me mjetin e institucionit. Ndërsa ai që merr bonusin dhe përdor makinën e institucionit, ai shkarkohet nga detyra, kështu e thotë ligji.

Gent Strazimiri: Sot që ju sillni një ndryshim të tillë për deputetët, ky është një disfunksion për Parlamentin. Ka rënë gjë çmimi i naftës, janë shkurtuar gjë km e zonës së deputetit, kanë rënë çmimet e gomave apo servisit që deputetit i shkurtohet bonusi? Çfarë kriteri keni zgjedhur, dhe pse nuk keni mbajtur të njëjtin standard edhe për deputetin, edhe për ministrin?

Dhembi: Për deputetët kufizimi është më minimal. Te deputetët është nga 45 mijë lekë mesatarja, është bërë 40 mijë lekë tavani. Kjo nuk e prek funksionimin e deputetit.

Petrit Vasili: Duke i lënë këta njerëz të mbërthyer pas zyrave se s’kanë me çfarë të lëvizin, do të thotë se do na iki situata në teren. Në gjithë nivelin e ekzekutivit ne kemi bonus vetëm për pozicionin e zëvendësministrit, i kemi dhënë 80 litra karburant në muaj, dy litra në ditë. Unë kam një sugjerim: më mirë ia bëjmë zero dhe këtë, se kjo është fare qesharake që t’i japësh bonus dy litra karburant në ditë një zëvendësministri. Hajde më mirë t’i ruajmë vetes dhe një lloj sëre.

Ermonela Felaj: Ju thoni që këtyre që do iu hiqet bonusi do u lihet të përdorin automjetet e institucionit, por duke njohur prokurorinë, e di që nuk kanë makina. Dhe një nga gjërat që pse vuajmë sot që kemi hetime të mangëta është dhe fakti se prokurorët s’kanë me se të shkojnë në vendngjarje, sepse s’mund të shkojnë me lekë xhepi.

Spartak Braho: Kam përshtypjen që këtë listën e keni të pastudiuar. Kemi dy orë këtu që merremi me 1 milion dollarë, turp e faqe e zezë, ju që e kërkoni dhe ne që merremi me këtë punë. Unë nuk mund të pranoj që kryetari i Akademisë së Shkencave, personalitet, të ketë zero lekë. Prokurori të rrijë në këmbë dhe unë e di si shëtisin prokurorët sot, shëtisin me makinat e kriminelëve, detyrohen, s’kanë ç’të bëjnë. Ose shkojnë marrin borxh nëpër karburante që të nesërmen venë i penalizojnë. Nëse është e mundur, a ka mundësi të rregullohet kjo listë, që unë të mendoj si ta votoj këtë nismë? Në këtë kuadër, ka mundësi ta tërhiqni mbrapsht dhe ta rregulloni?

Dhembi: Kryetari i Akademisë së Shkencave nuk ka nevojë ekzekutive dhe s’ka ku të lëvizë.

Halimi: Është e drejtë e deputetëve që të gjithë të thonë që pse mos të kemi dhe ne një zyrë siç ka dhe zoti Rama në Vlorë, zyrë të madhe, me punonjës aty, të lyer e të zbukuruar, a i dalin Ramës 400 mijë lekë të vjetra?

Pirro Lutaj: Po ti ke Berishën që ka marrë zyrë këtu afër.

Fino: Dhe Jozefinës i kemi dhënë zyrë këtu në parlament.

Halimi: Pse mos të kemi ne kaq njerëz sa paguan ai? Ministrat në kohën tuaj merrnin makina që i mbante vetëm djali i Gedafit. Pse, me këtë pseudoreformë ju po kurseni 1 milion dollarë, por nga ana tjetër po harxhoni 10 milionë dollarë për makinat që do u duhen këtyre zyrtarëve.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama