Gjyqtarët - Gjyqtarët e të gjitha niveleve nuk do të marrin më të ardhura financiare për të kompensuar lëvizjen e tyre me makina që nuk i përkasin punës.
Prokurorët - Edhe prokurorët, si dhe oficerët e policisë gjyqësore tashmë do të jenë të detyruar të përdorin vetëm makinat e punës, pasi do të jenë pa bonus financiar.
Policia - Zyrtarët e Policisë së Shtetit gjithashtu nuk do të kenë më mundësinë të marrin të ardhura shtesë si pasojë e çështjeve të transportit në pagën e tyre.
Ushtria - Drafti i Ministrisë së Financave thekson se dhe përfaqësuesit e Forcave të Armatosura nuk do të kenë më të drejtën e bonusit financiar për transportin.
Tatimet - Efektet kufizuese të nismës ligjore të miratuar nga qeveria shkojnë deri te Tatimet. Zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve tani do të kufizohen në udhëtime.
Doganat -Tashmë pritet të që dhe zyrtarët e lartë të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave mos të kenë më të drejtën e bonusit financiar për transportin e tyre.
Projektligji
Ulet bonusi i karburantit për krerët e institucioneve, deputetëve dhe zv.ministrat. Kategoritë që preken
“Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, këta zyrtarë, në rastin më të mirë do të marrin një bonus prej 20 mijë lekësh në muaj nga 35 mijë që marrin aktualisht”
Qeveria përgatit shkurtime drastike të shpenzimeve buxhetore, të cilat i ka përjetësuar me një projektligj që do të shkojë shumë shpejt në Parlament për t’u miratuar. Drafti i paraqitur nga Ministria e Financave vendos disiplinë të fortë financiare në përdorimin e karburantit nga zyrtarët e lartë, të mesëm, si dhe administrata publike në Shqipëri, duke përjashtuar 437 zyrtarë nga bounsi i karburantit falas nga shteti. Vetëm një javë më parë, kreu i qeverisë shqiptare, deklaroi se nga auditivi që i është bërë sipërfaqësisht qeverisë së shkuar ka pasur një shpenzim pa kriter të karburantit duke rrezikuar financat e shtetit. Rama përmendi ministrin e Mbrojtjes si autorin e harxhimit të shifrës prej 1 milion tonësh karburant gjatë fushatës elektorale. Ndërkaq, projektligji i ri parashikon ulje të shpenzimeve të karburantit, duke u vendosur një kufi të përcaktuar të gjithë zyrtarëve që lëvizin me mjetet e institucioneve. Ky është shkurtimi i dytë drastik pas atij që qeveria “Berisha” bëri në fund të vitit 2009.
Drafti
Këshilli i Ministrave vendosi ta reduktojë në mënyrë të ndjeshme numrin e funksionarëve, të cilët do të marrin bonus për transportin e tyre dhe po kështu do të ulë kuotat e përfitimit të masës së shpërblimit për deputetët dhe zyrtarët e lartë. Në draftin e paraqitur nga Ministria e Financave dhe që mori aprovimin e Këshillit të Ministrave në datën 4 tetor, nga bonusi financiar për transport do të përfitojnë 14 rangje zyrtarësh nga 46 që aktualisht financohen për karburantin e harxhuar me makinat shtetërore. Ndërkaq, numri i funksionarëve që do të përfitojnë këtë bonus ulet në mënyrë drastike në 187 persona nga 624 funksionarë që përfitojnë aktualisht. Ministria e Financave e ka shoqëruar dhe me një faturë financiare këtë ndryshim në ligjin numër 10160, datë 15.10.2009 “Për rregullimin e Shërbimit të Transportit për funksionarët publikë dhe nëpunësit civilë”. Sipas draftit, ministrive u reduktohen rreth 165 milionë lekë çdo vit efekt financiar nga buxheti i shtetit. Në relacionin që shoqëron këtë projektligj theksohet se ky draft u hartua si pasojë e mangësive që ka ligji aktual për transportin e zyrtarëve, i cili u lejonte titullarëve të ndryshëm që të përdornin dhe mjetet e punës krahas përfitimit të bonusit financiar për transportin, duke e rënduar situatën financiare në buxhetin e shtetit. Ndërkaq, këto masa duket se janë marrë dhe si pasojë e vështirësive financiare me të cilat po përballet në fillim të mandatit qeveria e re.
Transporti i deputetëve dhe zyrtarëve
Në draftin e miratuar pak ditë më parë nga qeveria theksohet se niveli maksimal i bonusit financiar për transportin që një deputet do të marrë në muaj është 40 mijë lekë, nga 45 mijë që është aktualisht. “Është reduktuar edhe masa e bonusit për deputetin në nivelin maksimal prej 40 000 lekë/muaj, krahasuar me përcaktimin e ligjit aktual sipas së cilit përfitimi individual i deputetit është mesatarisht 45 000 lekë/muaj”, theksohet në draftin e miratuar nga Këshilli i Ministrave të premten e kaluar. Një reduktim i madh i është bërë dhe bonusit për transportet e zyrtarëve të lartë në vend. Këtu përfshihen kryetarët e disa institucioneve dhe enteve të rëndësishme në vend. Me hyrjen në fuqi të ndryshimeve ligjore, këta zyrtare, në rastin më të mirë do të marrin një bonus prej 20 mijë lekësh në muaj nga 35 mijë që marrin aktualisht. “Një propozim tjetër që vjen në kuadrin e masave shtrënguese buxhetore, është ulja e masës së bonusit të transportit për funksionarët e lartë duke vendosur një kufi maksimal të bonusit në masën deri në 20 000 lekë/muaj nga 35 000 lekë/muaj që përcakton ligji aktual”, theksohet në draftin e hartuar nga Ministria e Financave. Masa maksimale e bonusit për zëvendësministrat do të jetë 15 mijë lekë në muaj.
Heqja e bonusit
Vendimi i qeverisë ka vendosur të eliminojë të drejtën e përfitimit të bonusit të shërbimit të transportit për disa kategori. Kështu nga ky bonus financiar që ekziston aktualisht nuk do të përfitojnë më funksionarët e sistemit gjyqësor dhe të sistemit të prokurorisë. Nga marrja e këtij bonusi përjashtohen dhe funksionarët e sistemit ushtarak dhe policor, pasi për shkak të detyrave të tyre specifike, lëvizja e tyre bëhet me mjete të posaçme ushtarake dhe policore dhe jo me mjete civile apo nëpërmjet shërbimit taksi. Edhe të zgjedhurit e pushtetit vendor e humbin me këtë draft të drejtën e bonusit.
“Për këta drejtues është e pamundur që të lëvizin në të gjithë territorin e rajonit apo bashkisë, me automjetin personal, sepse funksionari i pushtetit vendor shoqërohet përgjithësisht me specialistë të fushës për të ndjekur apo gjykuar problemet, specialistë, të cilët lëvizin me mjetin e institucionit dhe nuk merr kuptim detyrimi i përcaktuar në këtë ligj, që ky funksionar të mos përdorë automjetin shtetëror, por të trajtohet me bonus”, argumentohet në draft heqja e kësaj të drejte. Po kështu nga e drejta për të marrë bonus financiar zhvishen dhe institucione të tjera si Drejtoria e Përgjithshme të Tatimeve, ajo Doganave, ISSH dhe ISKSH. “Bonusi hiqet për funksionin drejtues të disa institucioneve qendrore, që kanë shpërndarje të gjerë territoriale (siç është rasti i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, Doganave, ISSH dhe ISKSH), pasi këto institucione kanë mjete transporti në dispozicion, nëpërmjet të cilave duhet të realizohet shërbimi i transportit”, theksohet në draftin që mori miratimin e Këshillit të Ministrave dhe tani pritet të kalojë në Parlament.
Argumentimi
Qeveria: Drafti, si pasojë e abuzimeve
Drafti për rregullimin e mënyrës së funksionimit të transportit të zyrtarëve të lartë ka ardhur si pasojë e abuzimeve të shumta që janë bërë gjatë tetë viteve të qeverisjes së Berishës. Në draft theksohet në mënyrë të qartë se shkaku kryesor për hartimin e tij ka ardhur si pasojë e nevojës për reduktimin e kostove financiare të shtuara së tepërmi në buxhet si pasojë e abuzimeve në këtë fushë. “Nëpërmjet këtij propozimi, synohet ofrimi i shërbimit të transportit për funksionarët publikë për të cilët ky shërbim është një domosdoshmëri, duke shfrytëzuar mjete në dispozicion të institucioneve, si dhe reduktimi i kostos financiare që mbart zbatimi i ligjit aktual në fuqi”, theksohet në draftin e Ministrisë së Financave në lidhje me këtë akt. Ndërkaq, në javët në vijim pritet të merren të tjera nisma të tjera shtrënguese nga ministria e Financave në kushtet kur situata financiare në vend konsiderohet si tepër e rëndë.