Ja tek përsëritet sërish! Mesa duket ësh të një ves i ekipeve të mëdha, ose FIFA ka vendosur që t'i hyjë seriozisht kësaj pune. Fakt është se pasi u goditën tre gjigantët spanjollë, Barcelona, Reali dhe Atletiko e Madridit, tashmë Komisioni Disiplinor i FIFA-s mund të sanksionojë me të njëjtën monedhë edhe Mançester Sitin, superfuqinë ekonomike të Anglisë: t'i bllokojë merkaton. Maltezi
Motivi është i njëjti: transferim i parregullt i një minoreni. Në këtë rast, Majles Birmen, i datëlindjes 1999, talent i madh nga Malta, i transferuar zyrtarisht te Mançester Siti në qershor 2014, sapo kishte mbushur 15 vjeç. Por Disiplina e FIFA-s, e cila po e heton këtë rast prej më shumë se një viti dhe në ditët e ardhshme do të arrijë edhe në konkluzionin e saj, dyshon se djaloshi është transferuar në Angli disa sezone më parë, kur ishte vetëm 13 vjeç dhe nuk mund të largohej nga Floriana Fc.
Dhe për të hedhur dritë mbi këtë histori, gjatë këtyre ditëve FIFA i ka kërkuar zyrtarisht klubit maltez dhe federatës së këtij vendi, që të mbledhin të gjitha provat e pjesëmarrjes së Birmenit në aktivitetet e Florianas mes viteve 2012-2014. Nëse nuk do t'i dorëzohen prova të mjaftueshme, përveç dënimit të Mançester Sitit për dhunim të nenit 19 (të rregullores së FIFA-s lidhur me transferimet e futbollistëve), edhe klubi maltez dhe federata e tij rrezikojnë një sanksion. Por Mançester Siti rrezikon shumë më tepër, madje duke nisur që nga muaji korrik.
Për shkak të moshës së futbollistit, rasti konsiderohet urgjent dhe shumë i rëndë, prandaj sanksionet mund të mos ndryshojnë shumë nga ato që iu vendosën Barcelonës (bllokim për dy merkato dhe një gjobë prej 500 mijë frangash zvicerane). Dhe kjo nuk do ishte mënyra më e mirë për të mirëpritur trajnerin e ri Pep Guardiola. Përveç faktit se të dielën klubi mund t'i bëjë edhe një surprizë të hidhur, duke mbetur jashtë Ligës së Kampioneve (në rast se humbet me Suonsin), kjo e bllokimit të merkatos do ishte e tepërt dhe katalanasi do mbërrinte në "Etihad Stadium" më i penduar se kurrë që vendosi të largohet nga Bajerni.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO