Shoping non stop ulje sezonale

Shoping, non stop ulje sezonale

Treqind metra mjaftojnë për të mbushur një ditë të zakonshme shopingu në metropol, teksa sodit vitrinat shumëngjyrëshe të rrugës “Myslym Shyri”. Është sezon ofertash me ulje marramendëse sezonale. Rrugnaja të duket e pafundme, para joshjes që të ngulitet në tru teksa gjithfarë veshjet të ekspozuara hijshëm, marka të njohura të njohura të shtëpive të modës, disa krejt të panjohura, por edhe me etiketa të zakonshme, të zgjasin për t’i rrëmbyer që të gjitha. Askush nuk mund t’i rezistojë ofertave : Merr dy, paguaj një, të tjera ulje çmimesh 30 deri 50 për qind.

Marketingu i vitrinave të mbushura me banderola gjigante, është pothuajse arma më e fortë për të nxjerrë sa më parë nga dyqani, atë ç’ka gjendet ndër rafte. Rruga e Durrësit, “Myslym Shyri”, Pallatet “Agimi”, në brendësi të ish-Bllokut dhe së fundmi në qendrat tregtare duket se paniku i “heqjes” së mallit ka nisur. Pothuajse të gjithë preferojnë të vendosin banderola me ngjyra të forta dhe numra që mend të dalin nga vitrinat. Kjo është një strategji e zgjuar tregtare, pasi edhe efekti tek blerësi është po kaq pozitiv. Por, duket se jo të gjithë zgjedhin të njëjtën strategji për të fituar “zemrën” e klientëve, shumë të tjera përdorin marifete nga ato më tradicionalet deri tek ato më të sofistikuarat, për të tërhequr blerësit në këtë sezon të çmendur okazionesh. Gjithsesi, pavarësisht blerjeve okazionale që janë kthyer tashmë në traditë të gjithë përfitojnë nga to për të pasur në gardërobë atë që duan, edhe pse me dy sezone vonesë.

Uljet para apo pas festave
Kushdo që ka shkelur vendet e tjera në kohën e pushimeve të dimrit, nuk mund të ketë harruar lehtë uljet sezonale që bëhen në dyqanet e kushtueshme ose jo, veçanërisht gjatë festave. Kjo ende nuk ka ndodhur në tregun shqiptar. Tregtarët e justifikojnë këtë me faktin, se fuqia blerëse në tregun tonë është më e madhe gjatë këtij sezoni. Rikthimi i emigrantëve, që konsiderohet edhe futja e të ardhurave më të mëdha në ekonominë vendase, është një mundësi e mirë për të kapur rastin. “Shumica e veshjeve tërhiqen nga klientët gjatë festave të dhjetorit, pasi ka shumë blerës që vijnë nga emigracioni, por edhe fundmuaji që merren pagat. Ne sivjet po ulim çmimet me 20 për qind pas datës 14 janar, pasi do të bëjmë edhe furnizim të ri”-tregon Shkëlqimi, një prej shitëseve të butiqeve në Europian Trande Center. Por ndryshe nga dyqanet e rrugëve, në qendrat tregtare, të cilat tashmë janë pozicionuar më së miri në treg përdoren metoda të tjera për të reklamuar uljet e çmimeve. Me anë të një qendre zëri, sipas kohës së blerë nga subjektet, ata mund të anonçojnë uljet e çmimeve me anë të spoteve të shkurtra publicitare me efekt zanor. Dhe efekti, nuk është i vogël. Qoftë edhe ata që janë kalimthi në qendrat tregtare apo duke gjerbur kafe, tërhiqen për të lundruar mes ofertave që ofrojnë dyqanet e shumta.

Përtej asaj që  duket ne vitrinë
Përballë ofertave që tregu reklamon bujshëm këto dite, duket se një pjesë e tyre mbeten thjesht oferta, por kurrsesi ajo që të gjithë e quajnë “Okazion”. Ulja e çmimeve në shumicën e rasteve nuk është reale, ose krahasuar me atë që shfaqet në vitrina është disa herë më e vogël. Shumë këtë e quajnë edhe manipulim, që edhe blerësit e kanë kuptuar. “Ndodh që ka edhe ulje çmimesh që nuk janë reale. Nëse një xhup kushton 30 mijë lekë me uljet e çmimeve blerësi përfiton 20 për qind. Shitësit në vend që të ulin realisht çmimin ndryshojnë etiketat e çmimeve eksiztuese. Shpesh uljet nga 20 për qind që mund të jenë realisht janë 5 për qind, por ka edhe raste që duke rritur çmimin, ulja që gjoja bëhet është thjesht reklamë”-tregon Xhimi Poro, një pronar dyqani veshjesh sportive në kryeqytet. Por, përballë marifeteve të vogla që bëjnë tregtarët për të joshur klientët me shitje të mëdha, efekti që kanë reklamat tipit “Okazion” ose “Likuidim Total”, janë një grackë e zgjuar për ata që realisht zbarisin raftet me veshjet e stinës që po lëmë pas.

Reklama e ofertave paraqitet me veshje të ngjitura pas manekinëve për të tërhequr blerësit, por kur ata hyjnë në dyqan, ajo që duket në vitrinë nuk ka pësuar asnjë ulje. Klientët të joshur nga ofertat zhvendosin mallin e shtrenjtë në krye të rafteve, ndërsa atë që realisht ka ulje në cep të dyqanit, duke treguar se në fakt çmime të cunguara ka vetëm për një pjesë të veshjeve dhe jo për atë që mund të jetë e reklamuar nëpër vitrina. Sipas Poros në shumicën e rasteve sezonet e uljet të çmimeve në vendin tonë, krahasuar me ato të vendeve fqinje zgjasin më shumë. Periudha e okazioneve skadon vetëm atëherë kur dyqanet fusin në treg mallrat e reja, që i përgjigjen edhe kërkesave të tregut. Megjithë këtë, specialistët e tregut tregojnë se realisht kjo ndodh edhe për faktin se ndaj bizneseve nuk bëhet asnjë kontroll për të verifikuar nëse uljet që bëjnë dyqanet janë reale, kjo edhe për të llogaritur më pas nëse abuzohet apo jo me blerësit, të cilëve u rëndon në xhep, e gjithë kjo katrahurë “okazionesh” të pabesa.

Okazion për shkak të stinës së dimrit
Në këtë sezon kur askush nuk mund të mendojë për dhurata të shtrenjta për miqtë apo të afërmit, përballë asaj ç’ka ofron trego, gjithsecili kthjellohet që përballë ofertave t’i bëjë edhe vetes një dhuratë. Madje jo një, për disa nga zgjedhjet e shumta që ofron pafundësisht ky treg i çmendur metropolitan. Me ofertat e stinës do të mjaftonte plot një muaj për të boshatisur totalisht raftet e një dyqani në kryeqytet. Kjo ndodh më shumë për faj të dimrit.

Po, vërtet për faj të kësaj stine që siç shprehen tregtarët shpesh rrezikon bllokimin e mallit në magazina deri në sezonin e ardhshëm. Veshjet dimërore ata që i tregtojnë i quajnë ndryshe edhe “artileria e rëndë”, jo vetëm për volumin e që veshjet kanë, por edhe për faktin se janë shumë të shtrenjta, krahasuar me ato të dy stinëve pasardhëse. “Xhupat, bluzat, çizmet, dorezat apo shallet, janë mallra që as në vjeshtë nuk mund t’i shesësh, kjo edhe për faktin se janë mallra që nuk vishen në çdo kohë. Shpesh për to nuk kërkohet me çdo kusht që ato të jenë të modës së fundit, siç ndodh me fustanet apo sandalet”-pranon Afrim Xhuleku, tregtar i rrugës së Durrësit. Madje dimri është sezoni, kur edhe tregtarët mund të bëjnë kompromise me secilin për uljet e çmimeve, gjë që ndodh rrallë në stinët e tjera. Në rastin e qendrave tregtare, shumica e bizneseve rakordojnë reklamat me ulje standarde çmimesh, më qëllim për të shitur mallin. Një luhatje tejet e dukshme e uljeve sezonale ndodh në dyqanet e rrugëve, të cilat bëjnë konto deri në 60 apo 80 për qind, pa iu referuar konkurrencës së tregut. Të tjera manovra janë ato të shitjes së një malli me vlerën sa dyfishi i tij, duke dhuruar një tjetër produkt, që në të vërtetë kostoja e të dyjave bashkë është sa vlera e tyre reale.

Por duket se joshja në këtë rast përballë klientëve është përfitimi i një malli dhuratë sesa ulja e çmimit të tij real. Kjo taktike ndiqet për vit nga të gjitha dyqanet në kryeqytet, të dorës së parë apo të fundit qofshin ato me justifikimin se likuidimet totale të mallrave bëhen për efekt të ndryshimit të garderobës së sezonit. Ata që nuk mund të përfitojnë nga momenti, për të blerë veshje apo aksesorë, mund të mos kenë asnjë mot për shkak se çmimet në krye të sezoni duket se arrijnë yjet. Si në çdo fillim sezoni, çmimet janë me të vërtetë shumë të larta dhe të papërballueshme për një pjesë të madhe të shqiptarëve, sepse te ardhurat e tyre nuk janë aq të majme sa te blejnë një veshje të modës.

Në garë me mallin turk dhe kinez
Prej vitesh në tregun shqiptar ndihet dukshëm sasia e madhe e mallrave dhe sidomos veshmbathjeve që vijnë nga Kina apo Turqia. Çmimi i tyre i ulët duket se është mjaft i favorshëm për një pjesë të mirë të popullsisë me të ardhura të ulëta, por edhe një konkurrent i fuqishëm para pjesës tjetër të tregut. Në rrugë mund të shohësh gjithfarë ofertash nga dyqane që nuk e fshehin se tregtojnë tekstile turke apo kineze me oferta gati marramendëse si “Malli likuidohet. Të gjitha 1500 lekë”, por realisht kur vë këmbën në dyqan, çmimet variojnë nga secila veshje. “Këto ulje bëjmë për çdo vit me veshjet e dimrit.

Të gjitha bluzat në raftin sipër kushtojnë 15 mijë lekë të vjetra, ndërsa pantallonat nga 29 mijë lekë. Janë mall turk, por i cilësisë së lartë dhe këtë nuk mund të fshehim siç bëjnë të tjerë që ndryshojnë etiketat, duke pretenduar se malli i tyre është italian dhe jo turk apo kinez”-tregon një shitëse pranë pallateve Agimi, duke pohuar se oferta e reklamuar në vitrinë është e pjesshme. Pavarësisht cilësisë që ofron malli turk dhe ai kinez në treg, ai aktualisht konsiderohet një boom i vërtetë shitjesh përballë asaj ç’ka tregtojnë dyqanet që tregtojnë mall italian apo grek. Ritmet e larta të shitjeve që ka aktualisht tregu që ofron mallrat kineze dhe ato turke, pavarësisht cilësisë së tyre, vjen jo vetëm për faktin se i përgjigjen në shumicën e rasteve xhepave të shqiptarëve, por edhe prej gamës së gjerë të produkteve që varion nga më të voglat deri tek më të sofistikuarat.

Alta Moda
Ndodh që një pjesë e konsiderueshme dyqanesh që konsiderohen të kushtueshme dhe kanë edhe mall cilësor, përpos stinëve nuk lëshojnë pè në uljen e çmimeve. Dyqanet që tregtojnë veshje Alta Moda në kryeqytet, mund të numërohen me gishtat e një dore, dhe uljet që ata bëjnë janë të papërfillshme. Kështu, një pale pantallona xhins firmato të markave të njohura në butik kushtojnë me uljet e çmimeve nga 6 deri 9 mijë lekë të reja, pantallonat e stofit apo të kadifes, arrijnë në 7 mijë lekë të reja.
Një bluzë po firmato kushton 70 euro, një xhup deri në 180 mijë lekë, shalli 40 mijë lekë dhe sa gjysma e tyre dorezat. Porsa i takon kostumeve klasike çmimet variojnë nga 150 euro deri 2000. Këpucët e lëkurës në dyqanet e modës mund t’i gjeni nga 7200 deri 15000 lekë të reja, ndërsa ato sportive dhe atletet nga 5500 lekë deri 14.000 lekë të reja. Shumica e uljeve janë të vogla dhe të pandjeshme për xhepat e konsumatorëve, por ata që zgjedhin të blejnë në dyqanet e shtrenjta nuk kursehen për të pasur atë ç’ka duan.

Olsi Kolami - Revista Mapo


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama