Shoqata
Këtë herë drejtuesit e Shoqatës kërcënojnë se do të mbyllin biznesin e linjave të transportit urban, nëse nuk rritet bileta. Ata argumentojnë se rritja e çmimit të naftës dhe blerja e autobusëve të rinj ka rritur kostot dhe po i çon ata drejt falimentimit. Nga ana e saj Bashkia konfirmon se propozimi ka mbërritur në dyert e saj, porse ende nuk është shqyrtuar dhe nuk është marr asnjë vendim. Nëse ajo e mbështet rritjen e çmimit do të jetë Këshilli i Ministrave ai që do të vendosë rritjen. Shoqata është shprehur se nëse nuk pranohet propozimi i saj do të mbyllin fare biznesin, pasi për ta është falimentim.
Opozita
Ndërkohë kërkesa e Shoqatës së Transportit Publik drejtuar Bashkisë së Tiranës për rritje të çmimit të biletës nga 30 në 50 lekë, ka shkaktuar edhe reagimin e opozitës. “Nga kjo gjë preken të gjithë qytetarët dhe për më tepër studentët. Nëse bëjmë një llogaritje, një të riu sot do t’i duhet vetëm për ndjekur leksionet dhe të rikthehet në shtëpi 100 lekë. Kjo është thjesht e papërballueshme. Gjatë gjithë fushatës ne kemi dëgjuar kryebashkiakun që premtonte mrekulli nga më të ndryshmet për studentët. Ai premtoi kartën e studentit, shpërndau disa të tilla, por ne ende sot e shikojmë të parealizuar”, thotë Jozela Koka, nënkryetare e FRESSH.
Këshilltarët e majtë
Nga ana tjetër edhe këshilltarët socialistë në bashki i bëjnë thirrje drejtuesve të bashkisë të tregojnë kujdes pasi rritja e çmimit të biletës do të rëndojë xhepat e qytetarëve, aq më tepër kur po përballen me krizën ekonomike. “Një rritje e çmimit të biletave është e papërballueshme dhe do të ndikonte në vështirësi edhe më të mëdha, në jetesën e përditshme të qytetarëve të thjeshtë e të kategorive që sot janë në gjendjen e varfërisë së skajshme. Ne si këshilltarë të opozitës kërkojmë që Bashkia e Tiranës të shprehet në lidhje me këtë tentativë që do të rëndojë drejtpërdrejt në xhepat e qytetarëve. Çdo veprim që bie ndesh me interesin qytetar do të marrë si përgjigje kundërshtimin tonë të plotë dhe mospranimin e nismave që janë në dëm të komunitetit të kryeqytetit.
E themi këtë sepse Bashkia e Tiranës është kthyer në një institucion të mbyllur, jo transparent që vetëm hesht, pavarësisht disa skandaleve të njëpasnjëshme që i kanë paguar qytetarët e thjeshtë”, tha kreu i këshilltarëve të opozitës në Bashki, Aldrin Dalipi. Ndërkohë Dalipi ka përmendur edhe rastet e denoncimit për rritjen e taksave vendore për tregtarët, futjen e taksës së pastrimit në faturën e ujësjellësit, dëmtimin e Parkut Kombëtar apo dhe tenderin për sistemin GIS që ishte blerë nga administrata e mëparshme për të cilën bashkia nuk ka dhënë asnjë përgjigje.