Shoqata e transportit urban në Tiranë i ka dërguar një shkresë zyrtare bashkisë së kryeqytetit, ministrisë së Transporteve dhe kryministrit Edi Rama, ku kërkojnë, që duke filluar që nga 1 janari, bileta autobusit të bëhet 70 lekë të reja.
Shoqata e transportit urban në Tiranë kërkon me këmbëngulje rritjen e çmimit të biletës. Ervin Shijaku, përfaqësues i kësaj shoqate në kryeqytetet thotë se u bënë tre javë, që ata i kanë dërguar kërkesën për rritjen e çmimit të biletës, nga 30 lekë në 70 lekë, kryetarit të bashkisë së Tiranës, ministrit të Transportve dhe Këshillit të Ministrave, si institucioni që ka të drejtë të miratojë ndryshimin e çmimit të biletës, kërkesën për tarifën e re të biletës. “Ne kërkojmë që të rritet çmimi i biletës.
Nga 30 lekë, duke filluar që nga janari i këtij viti që vjen, ajo të bëhet 70 lekë të reja. Edhe në këtë rast bileta do të jetë një përdorimshme. Sigurisht rritje çmimi do të ketë edhe aboneja, por ajo do të përcaktohet në varësi të linjave. Ne u bënë tre javë që propozimin konkret ia kemi dërguar bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Transportve dhe Këshillit të Ministrave. Propozimin ua kemi dërguar, pasi në korrik të këtij viti përfundoi raporti i monitorimit të situatës në të cilën operon transporti urban në Tiranë, raport i cili është përgatitur nga specialistët e ministrisë së Transportve”, - na thotë Ervin Shijaku, përfaqësues i shoqatës së transporteve.
Ai shton se deri më tani ata nuk kanë zhvilluar ndonjë takim me përfaqësuesit e qeverisë së re, por pohojnë se janë të palëkundër në kërkesat e tyre dhe se çmimi i biletës është i përballueshëm. “Në Kosovë, bileta e urbanit është 50 cent, dhe po aq është edhe në Mal të Zi e Maqedoni, vende të cilat nuk kanë ndonjë standard jetese më të lartë se ne. Ndaj ne mendojmë se çmimi që propozojmë është mëse i përballueshëm”, - shton më tej Shijaku.
Ndërkohë që i ftuar në emisionin televiziv të A1Report “Urbanika”, Shijaku ka deklaruar se nëse nuk merret parasysh propozimi i tyre për rritjen e çmimit të biletës, ata do të bojkotojnë transportin publik në kryeqytet.
“Operatorët e shërbimit urban në Tiranë kanë shumë shpenzime, çmimi i benzinës është dyfishuar, ndërkohë që nuk rimbursohen për pensionistët të cilët nuk janë pak por plot 500 mijë, invalidët rreth 12 mijë, etj. Nëse nuk merret parasysh propozimi ynë për rritje të çmimit atëherë ne do të bojkotojmë transportin publik”, - ka deklaruar, Ervin Shijaku, nga studio e “Urbanika” përfaqësuesi i shoqatës së transportit urban në Tiranë. Edhe një vit më parë, në fillim të 2012-ës, shoqata kërkoi rritje të çmimit të biletës, por nuk pranoi bashkia e Tiranës. Hera e fundit që bileta e tranportit urban pësoi rritje ka qenë viti 2009-ë, ku bileta nga 20 lekë të reja u bë 30 lekë të reja.
Studimi
Sipas një studimi të bërë nga Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorit, në vitin 2008-ë, në vit janë plot 82 milionë pasagjerë, ku përfshihen vetëm ata me biletë dhe abone, të cilët përdorin transportin urban. Sipas ZMK-së, janë plot 200 mijë pasagjerë me biletë dhe rreth 20 mijë pasagjerë me abone, të cilët udhëtojnë çdo ditë me transportin urban, në total 225 mijë pasagjerë në ditë. Si pasojë e numrit të lartë të pasagjerëve, llogaritet që kompanitë të kenë një normë fitimi prej 7 milionë dollarë në vit, shifër nga e cila janë hequr të gjitha kostot dhe shpenzimet.
Studimi
Studimi i bërë në vitin 2008, ku bileta ishte vetëm 20 lekë, tregoi se transporti urban siguronte një xhiro vjetore prej mbi 40 milionë dollarësh. Nga kjo shifër është zbritur paga e punonjësve, (faturino dhe shoferë), mirëmbajtja e urbanëve, shpenzimet për karburant, blerje automjetesh të reja dhe pagat e administratës, dhe sipas studimit të ZMK, fitimi rezulton të jetë 7 mln dollarë në vit
Pyetje përgjigje
Çfarë kërkon shoqata?
Shoqata e transportit urban kërkon rritje me rreth 2.5 herë më shumë të çmimit të një bilete të transportit publik urban. Nga 30 lekë të reja që është aktualisht, ata propozojnë që një biletë të kushtojë 70 lekë të reja
Pse kanë kërkuar rritje të çmimit?
Sipas tyre, ata kanë një kosto të madhe, të cilën bileta aktuale nuk e justifikon. Një prej tyre është edhe rritja drastike e çmimit të karburantit.
Kujt ia ka propozuar rritjen e çmimit?
Shoqata e transportit ia ka dorëzuar propozimin bashkisë së Tiranës, ministrisë së Transporteve dhe këshillit të Ministrave
A është marrë vendim për këtë propozim?
Ende jo, por sipas shoqatës shumë shpejt do të kenë një përgjigje për kërkesën e tyre.