Shoqeria civile Te anulohet Plani Urbanistik zhduk trashegimine kulturore

Shoqeria civile: Te anulohet Plani Urbanistik, zhduk trashegimine kulturore
Shoqëria civile ka dalë kundër Planit të Ri Rregullues të Tiranës. Gjatë një tryeze të organizuar ditën e djeshme, përfaqësues të shoqatave në mbrojtje të mjedisit janë shprehur se Plani i Ri Urbanistik ka 3 probleme kryesore; gënjen për numrin e popullsisë; zhduk zonat e gjelbra të kryeqytetit, dhe planifikon të ndërtojë pallate mbi lagjet karakteristike të Tiranës.

Shoqëria civile

“Asnjë institucion ndërkombëtar nuk do të jap miratimin për një plan që dyfishon numrin e popullsisë së banorëve në kryeqytet, zhduk zonat e gjelbëruara dhe zhduk atë pak trashëgimi kulturore që i ka mbetur Tiranës pasi Plani i parasheh si zona ndërtimi pallatesh të gjitha lagjet karakteristike të kryeqytetit,” janë shprehur dje për median përfaqësues të shoqërisë civile. Po sipas tyre Tirana shquhet për një intensitet ndërtimesh, që mbytin hapësirat e gjelbra dhe parqet çlodhëse duke mos respektuar normat e BE-së. Fëmijët nuk kanë ku të luajnë dhe ku ti kalojnë orët e pushimit, pasi edhe oborret e shkollave janë reduktuar.

Arkitektët

“Gjithçka është betonizuar. Vetëm tarracat e pallateve kanë mbetur të lira. Plani i ri po i zhduk parqet, ose i transferon ato në Dajt apo në Paskuqan, në hapësira të cilat ndodhen me dhjetëra kilometra larg qytetit. Do të kërkojmë një oponencë ndërkombëtare nga institucione të specializuara ndërkombëtare sepse në Shqipëri institucionet janë shkatërruar, por Qeveria mjafton të gjejë një institucion të besueshëm ndërkombëtar, i cili do të bëjë oponencën e këtij plani. Besoj që do të venë duart në kokë edhe të huajt kur të marrin vesh se çfarë kemi rezervuar për publikun kryeqytetas”, tha arkitekti Artan Shkreli.

Anulimi

Sot Tirana konsiderohet një qytet i mbipopulluar me një dendësi prej 4 mijë banorë për kilometra katror. “Parashikohet me këtë plan që të shkojë rreth 25 mijë banorë për kilometër katrorë që është numër një në botë. Të ngjeshësh Tiranën më tej është vërtetë kriminale, prandaj ne mendojmë se Këshilli Kombëtar i Territorit do ta marrë në konsideratë edhe këtë reagim qytetar dhe do të anulojë çdo miratim të këtij plani, i cili duhet të rikthehet dhe të diskutohet mes ekspertëve, e para, por pa dyshim edhe me publikun, gjë që ka munguar”, thotë ambientalisti Lavdosh Ferrunaj.

Këshilli bashkiak

Plani Rregullues i Tiranës u miratua pak ditë më parë nga Këshilli Bashkiak i kryeqytetit pas një debati të ashpër mes anëtarëve. Opozita e kundërshtoi si shkelje flagrante të ligjit pasi nuk u zhvilluan dëgjesa publike me ekspertë dhe qytetarët u mbajtën jashtë aksesit në shqyrtimin e tij. Plani pritet të kalojë për shqyrtim dhe miratim edhe në Këshillin e Rregullimit të Territorit.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama