Forumi Civil ka zhvilluar sot një tryezë për çështjen e armëve kimike në të cilën i ka kërkuar kryeministrit të shprehet kundër sjelljes së tyre në Shqipëri. Ambientalistët në një zë janë shprehur kundër shkatërrimit të armëve kimike në vendin tonë duke theksuar se sa më shpejt të thotë jo kryeministri aq më shpejt do të stabilizohet vendi.
“Sot dihet që kryeministri do të japë atë përgjgije të madhe që ne besojmë që me reagimin e të gjithëve ai të thotë jo pa ekuvok, pa prapashtesa pasi i bie që ne të përballemi me një energji negative. Në përfundim të kësaj tryeze të dalim me një rezolutë të cilën t`ia dërgojmë në mesditë kryeministrit” u shpreh ambjentalisti Sazan Guri.
Ndërsa Blendi Kajsia i ka krahasur protestat qytetare kundër armëve kimike si ato të pranverës arabe.
“Shqiptarët e thanë jo-në brenda dhe jashtë Shqipërisë. Në këto kushte ku shqiptarët kurrë më parë thanë jo është e qartë që i vetmi opsion është që kryeministri të firmosë këtë jo. Sa më shpejt të thotë jo kryeministri aq më shpejt ne do ta garantojmë pranverën shqiptare pasi ajo që kemi përjetuar ne sot është një pranverë shqiptare e rilindjes së frymës popullore të protestës dhe të demokracisë. Që kjo pranverë të ms kthehet në një dimër të ftohtë kryeministri duhet t`i thotë jo të prerë dhe të qartë” theksoi Kajsia.