Komunizmi (i pronarëve të proletariatit) dhe kapitalizmi (i pronarëve të kapitalit), për Débord-in, ishin veç dy forma regjimi politik. Vjen në shqip nga Astrit Cani, Botimet Gaid Margot. Ka shkruar: "Në kthimin nga një sipërmarrje, të ngelet më pak zemër se në nisje". Kështu Guy Ernest Débord - pak foto, asnjë intervistë, miq të rrallë, vetëm një dashuri, dy libra diturie zemërake - pasi ka zbuluar jetët tona të reja të gëlltitura nga spektakli, ka fshirë të vetën. E ka bërë një natë nëntori të 1994-s, në moshën gjashtëdhjetë e dy vjeçare, me një të shtënë pushke që ka shkrepur në shtëpinë e tij në Champot, fshat i Loira-s së Epërme, në periferinë e të gjitha llafeve dhe të gjitha shpërfilljeve pariziene.
Iku pa lënë lamtumira. Lakonik si në këto rreshta të debutimit. "Kam lindur në 1931 në Paris. Të mirat e familjes sime u minuan nga pasojat e krizës ekonomike botërore. Prandaj kam lindur virtualisht i rrënuar."Jetim nga i ati në moshën katër vjeç. Shkollat në Kanë. Adoleshenca "pa asnjë sens karriere". I nismuar "me ngadalësi, por pashmangshëm drejt një jete aventure me sy hapur".
Prapë në Paris një tetëmbëdhjetë vjeçar. Zbulimi i surrealizmit. Takimi me poetin Isidore Isou dhe miqtë e tij të letërsisë Zjarret e avangardave të fundit: ai shpërfillës ndaj çdo paqeje, skizmatik i përhershëm, pasionant, para së gjithash, për artin, arkitekturën, poezinë, kinemanë. Përçmon surrealizmin. Do t'i neverisë letristët. Do të ratifikojë vdekjen e cilësdo avangarde. Do të shkruajë dhe do të drejtojë filma, duke u nisur nga "Hurlements en faveur de Sade" që një mbrëmje të 1952-shit, në Paris, do të prezantojë kështu: "Nuk ka më filma. Kinemaja ka vdekur. Po të doni, kalojmë direkt te debati."
Udhëtues i madh en place. "Kam jetuar kudo përpos që mes intelektualëve të kësaj epoke" - është Parisi që i rrotullohet së paku për tre dhjetëvjeçarë të plotë - De Gaulle-i triumfues dhe borgjezia e vogël e Francës së Madhe - kur mbërrin në libraritë e lagjes latine numri i parë i IS, Internacionales Situacioniste ("Situacionist", ka shkruar, "është një fjalë pa kuptim"), semestrale e bërë me fjalë e shenja të buta si brisk. Me ironi përbuzëse.Dhe marketing i hareshëm rekrutimi. "Të rinj, të reja, çfarëdo prirjeje, për kotninë dhe lojën. Pa dije të veçanta. Nëse jeni inteligjentë dhe të bukur, ju mund të hyni brenda kuptimit të Historisë.
Me situacionistët. Telefononi menjëherë. Paraqituni."
Internacionalja Situacioniste ka lindur një vit përpara, në qershorin 1957, në Corsio d'Arroscia, fshat i thellë i Ligurias, të pranishëm Guy Débord, Gianfranco Sanguinetti, Melanotte, piktori Pinot-Gallizio, artistë të grupit Cobra (Kopenhaghen, Bruksel, Amsterdam), të Lëvizjes për një Bauhaus Imagjiniste, të Komitetit Psiko-gjeografik të Londrës.
Qysh atëherë: një dashuri e përhershme e Débord-it për Italinë, që e vizitoi shpesh, sidomos në vitet e nxehta të terrorizmit (që e kundërshtoi me forcë) deri në përjashtimin e dekretuar në 1977 (qeveria Andreotti, ministër i brendshëm Cossiga), i akuzuar se nxit klimën kryengritëse në vend.
Shkroi: "Italia përmbledh kushtet sociale të tërë botës, dhe orvatet, në mënyrën që dihet, të amalgamojë në një vend të vetëm Aleancën e Shenjtë represive të pushtetit të klasës borgjeze dhe burokratiko-totalitare."Fotot e atëhershme, jo më shumë se tri ose katër të botuara, e portretizojnë pranë Alisias (dhe ajo do jetë deri në fund).
Ai në pulovër, xhup lëkure, syze. Ajo në pulovër, xhup lëkure, një buzëqeshje të vogël. Po ajo fytyrë vezake. Ai sheh atë. Në mes kanë një tavolinë bistroje, taketuken, gotat dhe verën.Do të tregojë piktori Merri Jolivet: "U frekuentuam për një vit. Ndërronim vazhdimisht kafe, sipas cilësisë së ndryshme të verës. Vërdallë pinim verëra modeste fshati, pa pretendime.
Por në shtëpinë e tij, ai hapte vetëm shishe me cilësi të shkëlqyer. Dhe i kontrollonte për mrekulli efektet e verës." Guy Débord: "Ajo që di të bëj më mirë, është të pi." Kështu tridhjetë vjeç e kështu vitet më pas."Do më dukej po aq vulgare të bëhesha një autoritet në kontestimin e shoqërisë sakur të bëhesha në po këtë shoqëri vetë". I vetmuar. narcizist deri sa kënaqet për padukshmërinë e tij maniakale që i vlejti titullin e "mendimtarit më të mistershëm të epokës".
Kurrë s'ka pasur televizor, kurrë s'ka pasur telefon. Miqve të pakët u shkruante, duke përdorur ndonjë copë letër çfarëdo. Asnjë rit boje. Shëtitje të gjata nokturne. Asnjë mondanitet. Asnjë kongres, debat, prezantim libri. Polemika gjithmonë, por vetëm me shkrim, kundër trashjes së Partisë Komuniste Franceze, kundër Lucien Goldmann, Henri Lefebvre, Edgar Morin.Kundër Sartrit, "të pacilësueshmit", Martin Heideggerit, "nazistit të gjorë", François Lyotard-it "mbledhës dromcash me rimorkio".
Për veten: "Doktor në asgjë". Por edhe: "Mik i Arthur Cravan-it dhe i Lautréamont-it". Në bibliotekën e tij: Tuqiditi, Sun Cu, Omar Kajam, Makiaveli, Hegel, Tokvil, Marks, Karl Kraus, Lukaç, von Klauzevic, Xh. Oruell, Baltazar Gracian.
Dhe natyrisht, dy tekstet e tjerë themelorë të situacionizmit: Për mjerimin e mjedisit studentor të Mustafa Kajatit (Manifesti i Famshëm i Universitetit të Strasburgut) dhe Manuali i dijes për të jetuar në përdorim të brezave të rij të Raoul Vaneigem. Të dy të botuar në 1967, viti kur del "Shoqëria e Spektaklit".
Libër më fort i cituar se i lexuar, i përfunduar mbi muret e Majit Francez, së bashku me fragmentet të filmave të tij dhe të artikujve të tij. Citime të inkurajuara nga vetë Débord-i që ka refuzuar gjithmonë të drejtat dhe copyright-in e çdo vepre: "Idetë përmirësohen. Kuptimi i fjalëve merr pjesë te kjo. Plagjiatura është e domosdoshme.
Progresi e implikon. Ai shtrëngon nga afër frazën e një autori, përdor shprehjet e tij, përball një ideje të rreme, e zëvendëson me idenë e drejtë." Shumë i ngadaltë në krijim, Débord do e mbyllë rrethin e analizës së vet njëzet e një vjet më vonë me "Komentaret, tridhjetë e tri theza mbi «spektakolaren e integruar», modalitet i ri i pushtetit që realizon falsifikimin perfekt dhe përfundimtar të botës.
Aristokrat në stil dhe maniera e ka mbajtur gjithmonë të lehtë dritën mbi jetën e vet, i gatshëm amà, me një flakërimë, të rivendikojë për vete ndriçimin teorik të analizave të tij subversive: "Unë nuk kam ndryshuar, si gjithë të tjerët, ide një apo shumë herë me kalimin e kohës.
Janë më fort kohët që kanë ndryshuar sipas ideve të mia".
Ka shkruar: "E vetmja sipërmarrje interesante është çlirimi i jetës së përditshme."
"Janë interpretuar mjaftueshëm pasionet. Duhen gjetur të reja."
"Formulën për të përmbysur botën nuk e kemi gjetur në libra, por duke u endur."
Botën e tij, Guy Débord, ka për ta humbur në vetminë e mbrame. Ikën nga Parisi në 1991.
Do kujtojë Jolivet: "Mora vesh për nisjen e tij kur mu kthye ftesa për një ekspozitë që i kisha dërguar. Zarfi thoshte: "Është nisur pa lënë adresë".
Adresa e Débord-it është në librat e tij.
Gazeta Shekulli