Duket se shoqëria shqiptare prej kohësh është zhytur në krizë të thellë. Vetëm në 14 ditët e para të vitit 2014, pranë gjykatës së rrethit Gjyqësor Tiranë, janë paraqitur 419 kërkesa për zgjidhje martesore. Arsyet që çiftet paraqesin në gjykatë janë nga më të ndryshmet, ku dominojnë arsyet ekonomike, tradhëtia, dhuna e ushtruar prej një prej bashkëshortëve dhe mos përputhja e karaktereve. Në pjesën më të madhe janë çifte të reja të cilat nuk kanë më shumë se 10 vitë martesë, dhe ato që e bëjnë më shpesh kërkesën për divorc, janë femrat. Të dhënat e marra nga Gjykata e Tiranës, bëhen më tronditëse kur nga zyrat e Gjendjes Civile, tregohen se numri i martesave në këtë përiudhë ka qënë shumë i ulët. Jo në pak raste çiftet zgjedhin opsionin e bashkëjetesës dhe nuk lidhen ligjërisht.
Problematika
Zgjidha e martesave zgjat përgjithsisht nga 2-6 muaj. Pavarësisht se çifteve u jepet mundësia për tu përfshirë në seanca ndërmjetësimi, të gjithë e refuzojnë këtë mundësi dhe duan ti shkojnë deri në fund proçeseve. Një prej objekteve të seancave gjyqësore janë edhe fëmijët, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve, kalojnë në kujdestarinë e nënave. Fëmijët janë edhe më të prekurit nga ky fenomen shoqërorr, pasi në shumë prej rasteve fëmijët që vijnë nga familje të divorcuara janë të prirur drejt fenomeneve sociale, për shkak të ngarkesës psikologjike që ata mbartin.
Në shumë prej familjeve të divorcuara, fëmijët kanë qënë dëshmimtar të akteve të dhunës që njëri prind ka shfaqur ndaj tjetrit. Duke ju referuar një prej arsyeve kryesore të divorcit ndërmjet çifteve “mospërputhje karakteresh”, shfaqet dukshëm një mungesë e njohjes së çifteve para se ata të lidhen ligjërisht me njëri-tjetrin. “Edhe pse është një fenomen i vjetëruar, martesat me shkuesi vazhdojnë të praktikohen në vendin tonë. Duke qënë se proçesi i njohjes dhe i martesës konsumohet shpejt, edhe inisiativa për tu divorcuar pasi vërejnë ndryshime të theksuara mes tyre vjen shumë shpejt”, shprehet specialistja për çështjet civile në Gjykatën e Tiranës.
Rasti
Ashtu siç përmëndëm edhe më sipër arsyet që çiftet paraqesin në gjykatë janë nga më të ndryshmet. Zhvillimi i shoqërisë dhe rritja e rolit të gruas në shoqëri, ka bërë që zgjidhja më e shpejtë e zgjedhur prej tyre të jetë divorci. “Nuk mund të vazhdoj të dhunohem dhe të jem nën tutelën e burrit tim gjithë jetën”, shprehet S.K 26 vjeç. Vajza ka paraqitur kërkesën e saj për divorc 6 muaj më parë dhe tani është në pritje të përfundimit të proçesit. Përveç prishjes së martesës, S.K i ka kërkuar gjykatëses së çeshtjes edhe një prej apartamenteve që janë në pronësi të dy bashkëshortëve, si dhe një shumë prej 50.000 çdo muaj nga ish-bashkëshorti.
Punonjësi: Numri i martesave ka rënë ndjeshëm
Një prej nënpunësve të gjëndjes civile, tregon se numri i martesave këto muaj ka rënë ndjeshëm. “Duke e krahasuar këtë periudhë me atë të një viti më parë, mund të themi se martesat kanë rënë me 30 %”, shprehet punonjësi. Sipas tij, kohët e fundit vihet re një trend i të rinjve që parapëlqejnë bashkëjetesën dhe shmangin zyrtarizimin e lidhjes së tyre në martesë. Periudha e fundvitit është një prej periudhave në cilat kryen më shumë martesa, pas asaj të muajve të verës, si pasojë e kthimit të emigrantëve nga vendet e tyre.