Autoriteti Rrugor Shqiptar vijon punën për rehabilitime dhe ndërtime të segmenteve të reja, ku spikat një punë publike, për të cilën tenderi rezulton që është zhvilluar dhe fituesi është shpallur pa bujë. Kompania italiane “SPEA INGEGNERIA EUROPEA S.P.A” ka fituar të drejtën për të zhvilluar studim–projektim zgjerimi të Superstradës Tiranë–Durrës. Fondi limit: 252.052.500 lekë, pa TVSH, ose 1.7 milionë euro dhe kohëzgjatja e kontratës, 13 muaj.
Pra, del se është vendosur që kjo autostradë të zgjerohet, gjë që ka dalë si nevojë nga të gjithë ata që kalojnë në këtë segment, sidomos gjatë muajve të verës. Por, një gjë e tillë do të nënkuptonte që palmat e vendosura anash saj janë diçka e përkohshme, ose do të spostohen për më tej. Autoritetet e rrugëve sapo kanë nisur të largojnë këtej edhe disa “topa” betoni, që s’përputheshin me kërkesat e sigurisë rrugore. Sidoqoftë, prokurimi në fjalë nënkupton që vetëm studimi të kërkojë 13 muaj, për të hapur rrugën e ristrukturimit të autostradës, pra do të dorëzohej vitin e ardhshëm.
Në vëmendje të autoritetit të rrugëve janë edhe segmente të tjera. Kështu, ai ka shpallur prokurim për studim-projektim-rehabilitim të aksit rrugor nga Berati në Çorovodë, me fondin limit 47 milionë lekë, rrugë kjo e lënë pas dore për vite me radhë. Vijon tenderi për studim-projektim-rehabilitim të rrugës së Divjakës, megjithëse kjo është bërë njëherë, duke nënkuptuar se mund të ndryshojë gjurma. Fondi limit: 18.9 milionë lekë. Ndërkohë, studim-projektimi i masave inxhinierike në rrugën Elbasan-Gjinar, me fond limit 20.1 milionë lekë, është një shpenzim i dytë në një rrugë rurale që u deklarua e përfunduar, por që ka rrëshqitje të konsiderueshme.
Studimet e tjera përfshijnë një By-Pass që të kalojë Tepelenën pa hyrë në qytet, rrugën nga Selenica, në Kuç e Qeparo dhe aksin e ri nga Përmeti në Skrapar.