Shpella e Benjes nje arkiv i kultures 5500-vjecare

Shpella e Benjes, nje 'arkiv' i kultures 5500-vjecare

Format karstike provojnë më së miri vijimësinë kulturore dhe etnike të bartësve të shpellës, nga epoka e bakrit në atë të bronzit të hershëm. Langarica, një ndër degët kryesore të rrjedhjes së sipërme të lumit të Vjosës, në afërsi të fshatit Bënjë, pasi çan terrenin shkëmbor, formon një kanion me bukuri të rrallë. Në faqet e thikta të kanionit vargëzohen disa shpella karstike, midis të cilave ajo e Pëllumbave dhe e Katiut, të cilat kanë qenë për një kohë të gjatë vendbanime prehistorike.

Në këtë histori të kërkimeve në Bënjë, pengesë për të gjithë arkeologët kanë qenë kushtet e papërshtatshme për të hyrë në shpellë e për të punuar në ambientet e brendshme të saj. Kanioni shumë i ngushtë i Langaricës, i cili në zonën e shpellës mund të kalohet vetëm në këmbë, domosdoshmëria e ngritjes së një kulle-shkallë 10 m të lartë për të hyrë në shpellë, vendosja e instalimeve elektrike për ndriçim, lagështira e madhe në ambientet e brendshme dhe kalimet e ngushta nga një ambient në tjetrin, ishin vështirësi jo të vogla që u desh të përballoheshin për të nxjerrë atë lëndë të pasur arkeologjike që kemi sot nga shpella e Bënjës.

Hyrja për në shpellë nuk ishte e lehtë. Pas 10 m ngjitjeje vertikale zhvillohej shpella në formën e një korridori të gjatë, rreth 160 m, me disa mjedise e degëzime anësore mjaft të përshtatshme për banim. Materiali arkeologjik që u nxor nga gërmimi i shtresave kulturore ishte mjaft i pasur dhe i qartë në pikëpamje kulturore e kronologjike.

Shtresa më e hershme kulturore që është e lidhur me fillimin e banimit të shpellës i takon epokës së bakrit rreth 5500 vjet më parë. Ajo ndiqet nga shtresa kulturore e bronzit të hershëm dhe në vijimësi të pandërprerë vijnë shtresa kulturore e bronzit të mesëm, bronzit të vonë dhe hekurit të hershëm. Siç tregojnë gjetjet e shkëputura, shpella ka qenë shfrytëzuar për banim edhe gjatë antikitetit të vonë e Mesjetës së hershme.

Lënda arkeologjike e shpellës së Bënjës, e të gjitha periudhave, ka tipare të njëjta me kulturat bashkëkohëse të pellgut të Korçës, po nuk mungojnë edhe veçoritë lokale që e dallojnë atë si një lloj më vete. Karakteristikë për kulturën më të hershme, atë të epokës së bakrit, është qeramika e zezë me lustër që dallon për format e pasura dhe zbukurimet me pikturim ngjyrë gri, si dhe për ornamentet në reliev. Në të gjithë treguesit e saj kjo qeramikë është e njëllojtë me kulturën eneolitike, të Maliqit me atë të zbuluar në shpellën e Nezirit në Mat dhe me atë të Gradecit në Rrethin e Dibrës. Bartësit e kulturës eneolitike të vendit tonë janë banorët e tejlashtë të vendit tonë.

Me interes të veçantë është lënda arkeologjike e bronzit të hershëm të Bënjës, e cila duke pasur tipare të qarta dalluese, mbart me vete edhe tipare po kaq të qarta të qeramikës paraardhëse të epokës së bakrit. Në shumicën e enëve të cilat riprodhojnë forma me përmasa të ndryshme si kupa, tasa, broka, tava etj., bashkëjetojnë të dy teknikat.

Ky fakt shumë i qartë e shprehës, provon më së miri vijimësinë kulturore dhe etnike të bartësve të shpellës, nga epoka e bakrit në atë të bronzit të hershëm. Ndaj Bënja me këtë veçanti përbën një shfaqje të re kulturore, është një nyje e fuqishme lidhëse midis epokës së bakrit e asaj të bronzit – d.m.th midis banorëve të tejlashtë eneolitikë me banorët e epokës së bronzit.

Shtresa kulturore që i takon periudhës së bronzit të vonë me qeramikë të pikturuar të stilit devollit, shquhet për nivelin e lartë të punimit dhe zbukurimet e pasura me motive gjeometrike. Ajo vazhdoi të prodhohet edhe të qarkullojë me të njëjtën dendësi edhe gjatë epokës së hekurit të hershëm, së bashku me kategoritë e tjera të qeramikës. Ato përbëjnë të dhëna me vlerë për të njohur tiparet e kulturës ilire në territorin e luginës së sipërme të Vjosës, e cila ka qenë banuar në epokën historike nga fisi ilir i Parauejve.

Janë këto vlera arkeologjike historike që ruhen në “arkivin” (në shtresat kulturore të shpellës së Bënjës prej të cilit është gërmuar vetëm 10-15% e saj), që “thërrasin” të mos përmbyten, pas 56 shekuj ekzistence, nga hidrocentralet çibanë të shekullit XXI.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama