Të gjesh një vend parkimi në kryeqytet është thuajse një mision i pamundur, pasi parkingjet publike janë shumë të kufizuar në numër, krahasuar me numrin shumë të madh të popullsisë të fokusuar në kryeqytet. Por, si të mos mjaftonte mungesa e vendeve të përcaktuara nga bashkia, edhe në ato rrugë ku parkimi është i lejuar, ato përdoren si biznese private. Që të pish një kafe në zonën më VIP të kryeqytetit, përveç faturës së pijes duhet të mendosh edhe për pagesën e parkimit, e cila nuk është fort e lirë. Megjithëse parkimi në këtë zonë është publik, në të dyja anët e rrugës shikon të vendosura mjete rrethanore si arka, kartonë, bidonë që bëjnë “pronar” të hapësirës publike personin që i ka vendosur. Sapo një makinë shfaqet në fillim të rrugës të krijohet përshtypja sikur kjo rrugë “pushtohet” nga njerëz që sillen si policë rrugorë dhe secili për hesap të vet të orienton të parkosh në vendin e zënë prej tyre. Për lirimin e këtyre hapësirave ata kërkojnë një shumë, e cila sipas rastit varion nga 30 deri në 100 lek. Në rast se refuzon të paguash, ata jo vetëm që nuk e lirojnë hapësirën e parkimit, por edhe të kërcënojnë duke të thënë që makina jote mund të dëmtohet kur ju të largoheni.
Raste të tilla kanë ndodhur jo rrallëherë në këtë zonë. Kur pronarët e makinave kanë debatuar me këta persona abuzivë që shumicën e rasteve kanë qenë minoren, mjeteve të tyre u janë vjedhur pasqyrat, ose janë gërvishtur me dashakeqësi. Ndodhur përballë kësaj situate duket se drejtuesit e mjeteve i janë bindur këtij rregulli të pashkruar: Të paguash edhe në parkim publik. Të pyetur nga “Shekulli” se përse e tolerojnë një abuzim të tillë ata u përgjigjen: “Kështu bëjnë të gjithë. Më mirë të paguaj 30 lek sesa një dëm 3000 lek ”. Personat që dalin “pronarë” të parkimit publik zënë tre ose katër vend parkime .Ata e dinë që ky aktivitet është i paligjshëm, por megjithatë e ushtrojnë pa asnjë frikë në mes të ditës në zemër të Tiranës, duke mos u shqetësuar nga askush. Ndodh që në këto rrugë të kalojnë edhe policë bashkiakë, por çuditërisht atyre nuk u bën përshtypje ky fenomen absurd që “vjedh” hapësirën publike. “Ne paguhemi për ndihmën që iu japim për të parkuar dhe për t’i ruajtur mjetet, jo për parkimin”, justifikohen ata. Si të ishte krejt normale, këta persona, pa kurrfarë përgatitje dhe çka është më serioze të mitur, janë bërë administratorë të këtyre parkingjeve. Ky fenomen është më serioz sesa duket pasi bëhet fjalë për disa shkelje. Zënia e hapësirave publike është pjesa më e dukshme, mirëpo pas saj fshihen probleme të mëdha sociale. Mund të përmendim punësimin e fëmijëve dhe shfrytëzimin e tyre.
Sheh fëmijë të moshës 10-12 vjeç të enden rrugëve nga mëngjesi deri natën vonë me arka në duar. Kush i shtyn ata të dalin të punojnë? Pse nuk janë këta fëmijë në shkollë? Këto janë pyetjet të cilat duhet të shqetësojnë këdo, madje edhe ata policë bashkiakë që kalojnë në rrugë dhe nuk e shohin këtë fenomen. Në të njëjtën situatë ndodhen edhe rrugët “Muhamet Gjollesha” pranë “21 dhjetorit”, “Hoxha Tahsini” dhe shumë rrugë në Tiranë edhe në qytete të tjera të Shqipërisë. Ndërkohë që, Bashkia e Tiranës bën një sy qorr e një vesh shurdh i mbetet Policisë së Shtetit të vërë dorë në përmirësimin e kësaj situate. Situata shumë shqetësuese në lidhje me hapësirat e parkimit publik në shumë qytete në Shqipëri nxiti reagimin e Ministrisë së Brendshme. Ministri Saimir Tahiri u kërkoi më 29 prill kryetarëve të bashkive kryesore në vend, të marrin masa të menjëhershme për lirimin e hapësirave publike që janë shndërruar në pikë-shitje për automjete. Megjithëse kanë kaluar 20 ditë duket se Bashkia e Tiranës nuk është vënë në lëvizje dhe situata mbetet e njëjtë.