Shperndahen ftesat Dasma e Rames ne 24 tetor

Shperndahen ftesat: Dasma e Rames, ne 24 tetor
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zyrtarizuar përfundimisht ditën e dasmës duke caktuar të dielën e 24 tetorit për të kurorëzuar lidhjen me Lindita Bashën. Pas konfirmimit të lajmit nga vetë kryesocialisti, kjo javë do të jetë tepër e veçantë për të, siç edhe e ka bërë publike në media. Burime nga Partia Socialiste bëjnë të ditur se tashmë miqtë dhe deputetët e kryesocialistit po marrin ftesat të cilat lajmërojnë dasmën e Edi Ramës.

Në këtë festë kryetari i Partisë Socialiste ka ftuar të gjithë deputetët që të jenë të pranishëm në ndarjen e gëzimit të tij. Për këtë ceremoni, vetë Rama është shprehur se s'do të jetë asgjë e pazakontë, thjesht një mundësi për ta ndarë këtë moment kaq të veçantë njerëzor me miq e dashamirës që dëshirojnë të trokasin një gotë me të sapomartuarit. Ndonëse ai thotë se dasma do të jetë e zakonshme, interesi për të është shumë i madh, sidomos i opinionit publik dhe miqve të tij. Prej disa ditësh, në media po qarkullojnë detaje për dasmën më të përfolur të kësaj jave. Pas kësaj martese që pritet të mbahet në ditët e fundit të javës, të sapomartuarit do të jetojnë në Tiranë.

Aktualisht kryetari i Partisë Socialiste jeton në Pezë, ndërsa zonja Lindita Basha jeton në Tiranë. Nusja e ardhshme e kryesocialistit është e njohur në qarqet akademike, por jo në skenën politike. Ajo nuk ka pasur asnjë aktivitet politik dhe fusha e interesit të saj është shoqëria civile. Kryetari i PS dhe bashkëshortja e tij e ardhshme janë parë shpeshherë në ambiente publike në kryeqytet dhe shumë pak njerëz ishin në dijeni të një martese të afërt.

Rama: Me Lindën kuptohem mrekullisht

Megjithëse Rama dhe bashkëshortja e tij e ardhshme ishin parë shpesh në ambiente publike në Tiranë, shumë pak njerëz ishin në dijeni të një martese të afërt. Lajmi për martesën ka qenë disi i papritur edhe për vetë miqtë e kryetarit të PS-së. Në fakt, vetë Rama kishte planifikuar një deklarim publik, të cilin lajmet e djeshme në disa gazeta, ndoshta e kanë shpejtuar disi.

Në një komunikim telefonik me drejtorin e gazetës "Shekulli", Adrian Thano, Rama tha se ky është një moment shumë i veçantë i jetës së tij dhe se ceremonia do të jetë "thjesht një mundësi për ta ndarë këtë moment kaq të veçantë njerëzor me miq e dashamirës që dëshirojnë të trokasin një gotë me ne".


Urime zoti Rama dhe qoftë e lumtur martesa juaj me zonjën Basha...!

Faleminderit për urimin, është një moment shumë i veçantë i jetës sime.

A mund t'ju pyesim diçka më shumë për lexuesit? Si erdhi ky moment?

Natyrshëm, e duam dhe kuptojmë njeri-tjetrin mrekullisht.

Ky është një qytet ku asgjë nuk kalon pa u marrë vesh, megjithatë bashkëjetesa juaj me zonjën Basha është lajm i orëve të fundit?

Në fakt, ne s'kemi bashkëjetuar, Linda ka jetuar në Tiranë unë dihet, në fshat, në Pezë.

Po pas ceremonisë, ku do të jetoni?

Në Tiranë, sigurisht.

Do të jetë një ceremoni martese tradicionale apo moderne?

Asgjë e pazakonshme, thjesht një mundësi për ta ndarë këtë moment kaq të veçantë njerëzor me miq e dashamirës që dëshirojnë të trokasin një gotë me ne.

TË DY NGA 46 VJEÇ

Bashkëshortja e ardhshme e kreut të PS-së është 46 vjeç. Veç faktit që të dy kanë kaluar nga një divorc, ata kanë të përbashkët edhe moshën. Ajo dhe Edi Rama kanë vetëm disa muaj diferencë moshe njëri me tjetrin. Rama ka lindur në korrik 1964, kurse zonja e ardhshme Rama ka lindur në 30 dhjetor 1964.

PRINDËRIT E LINDËS

Bashkëshortja e ardhshme e kreut të PS-së ka lindur në një familje tradicionale tiranase. Prindërit e saj quhen Sulejman dhe Haxhire Basha. Ajo ka një vëlla dhe një motër. Siç shprehej dje me shaka një mjek i njohur i kryeqytetit, me siguri temperamentit të zjarrtë të Ramës, do t'i bëjë mirë butësia tipike e tiranasve.

DIVORCI

Lindita Basha është prezantuar më shumë me mbiemrin Xhillari. Ajo ka qenë e martuar me Thanas Xhillarin, pedagog matematike në Fakultetin Ekonomik. Nga kjo martesë ka lindur një vajzë, Rea Xhillari, e datëlindjes 18 shkurt 1990. Rea është sot studente për Arkitekturë.

Edi Rama shpall martesën

"Dëshiroj të konfirmoj vërtetësinë e lajmit për lidhjen time në martesë me Lindën. Është një moment i veçantë në jetën time që dëshiroj ta ndaj me të afërmit e miqtë në fund të javës së ardhshme."- ky ka qenë reagimi i kreut të PS-së Edi Rama pas publikimit të lajmit mbi martesën e tij me Lindën.


Kush është bashkëshortja e ardhshme e Edi Ramës

"Linda ka lindur në një familje tradicionale tiranase. Për të, vëllain dhe motrën e saj dy prindërit pensioniste janë modeli i adhurueshëm i punës, kujdesit dhe dashurisë qe mes plot vështirësish e sakrificash ndërtuan një familje të mrekullueshme. Linda ka një vajzë, Rean, që studion arkitekturë.

Vetë Linda ka studiuar ekonomi në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1993 ka kryer studimet Master për Ekonomi në Universitetin e Neë York-ut dhe Universitetin e Europës Qëndrore në Pragë. Prej vitit 1996 mban titullin Doktore e Shkencave Ekonomike.

Ajo ka punuar në detyra të ndryshme të administratës publike. Puna e saj e parë ka qenë në departamentin ekonomik të Kombinatit të Tekstilit në Tiranë dhe më pas në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit pranë Këshillit të Ministrave, ku ka qenë edhe në funksionin e Drejtores së Përgjithshme deri në vitin 1998. Më pas është përfshirë në aktivitetin e shoqërisë civile si drejtore ekzekutive e Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor për dhjetë vite. Aktualisht Linda mbulon kërkimin dhe zhvillimin shkencor në këtë qendër që sot drejtohet nga Ylli Cabiri, të cilin Presidenti Obama e emëroi së fundmi si të vetmin shqiptar në bordin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Linda ka një pervojë të gjatë akademike si lektore e Financave Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe Politikave Publike e Riskut Publik në Universitetin Europian të Tiranës. Është studiuese e fushave që lidhen me zhvillimin ekonomik e social. Për llogari të institucioneve ndërkombëtare ajo ka drejtuar punën e bashkëpunuar për studime mbi reformat për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe biznesit, zbutjen e varfërisë, reformimin e sektorit të arsimit, zhvillimin njerëzor, qeverisjen e mirë, zhvillimin vendor, decentralizimin në Shqipëri e në rajon. Linda është gjithashtu autore e një sërë publikimesh brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrëse e ftuar vijimësisht në konferenca ndërkombëtare për këto fusha studimore.

Linda nuk ka pasur aktivitet politik dhe fusha e interesit të saj publik ka qenë e mbetet shoqëria civile shqiptare ku ajo është angazhuar vijimësisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të fëmijeve, grave dhe minoriteteve. Për këto kontribute të saj ajo është zgjedhur edhe anëtare prej disa vitesh në bordin e Fondacionit Soros për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri, te cilin e drejton prej dy vjetësh."

Ndërkaq, kryeministri Sali Berisha, gjatë një vizite në Panairin e Punës, shfrytëzoi rastin për të uruar kreun e Opozitës për martesën.

Uroj Edi Ramën për martesën dhe urimet më të mira çiftit, tha Berisha

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama