Shperndahen ne gjimnaze pyetjet e Matures Shteterore 2010

Shpërndahen në gjimnaze pyetjet e Maturës Shtetërore 2010
Ka pak ndryshime në përmbajtjen tematike dhe krijimtarinë e autorëve

Programet me pyetjet e provimeve të Maturës Shtetërore 2010 kanë mbërritur nëpër të gjitha shkollat e mesme të vendit. Tashmë të rinjtë e interesuar për të ndjekur studimet e larta por edhe për të përfunduar me sukses katër vitet e shkollës së mesme kanë nisur përgatitjet.
Qëllimi

Këto programe sipas përfaqësuesve të Ministrisë së Arsimit orientojnë studimin e të rinjve për një përgatitje dhe arritjen e rezultateve sa më të mira në testimin e fundit për Maturën Shtetërore 2010. Një gjë e tillë sipas tyre bëhet që nxnësit të dinë se ku t’I fokusojnë përpjekjet për një studim më të thelluar dhe për të mos shpenzuar kohë me pyetje që nuk janë pjesë e këtij programi. Megjithatë programi i pyetjeve të maturës sipas vetë mësuesve të shkollave të mesme është mjaft i gjerë dhe kërkon një përgatitje të vazhdueshme ndër vite të nxënësve. Ata pohojnë se është e vështirë për një nxënës që nuk ka qenë sistematik në mënsime për të katër vitet e gjimnazit që të përtypë të gjithë programin e pyetjeve në një kohë të shkurtër, të barabartë me një semestër.

Agjencia e Vlerësimit të Arritjeve të nxënësve (AVA), pasi ka marrë në dorëzim nga Instituti i kurrikulave programet me pyetjet e provimit të Matematikës, të Letërsisë dhe të të gjitha lëndëve me zgjedhje ka bërë menjëherë shpërndarjen e tyre në drejtoritë arsimore dhe këto të fundit në gjimnaze e shkolla të mesme profesionale.
Ndryshimet

Këtë vit në programin e pyetjeve të maturës nuk kanë munguar edhe ndryshimet, ndonëse jo të shumta. Më tepër ato i përkasin përmbajtjes së detajuar të veprave të autorëve të veçantë. Si p.sh në krijimtarinë letrare të Migjenit nuk janë përzgjedhur ato vepra, si një vit më parë, por është caktuar pjesa “Recital Malësori”. Për këtë nxënësit shprehen se nuk e kanë studiuar gjatë orëve të mësimit, ndërsa zhvillonin orët e caktuara për këtë autor. Por mësueset shprehen se ata kanë mundësi që të fillojnë t’i konsultojnë tani ndryshimet në literaturën e fundit të seleksionuar nga Instituti i Kurrikulës dhe Teksteve.

Ndërsa një tjetrë ndryshim I pritshëm e që duket se do të kënaq së tepërmi maturantët e këtij viti është edhe ulja e peshës së pikëve që ka eseja në vlerësim. Po kështu, mendohet që përgjigjet e pyetjeve që do të kenë tezat, këtë vit të jenë objektive dhe të mos i lihen subjektivitetit. Në këtë mënyrë do të zgjidhet edhe një nga pakënaqësitë që kanë shprehur të rinjtë e viteve të tjera sidomos për provimin e lëndës së Letërsisë.

Nga ana tjetër, mësohet se Ministria e Arsimit është duke planifikuar që provimet e maturës të kryhen në ambientet e shkollave ku studiojnë nxënësit dhe jot ë ndryshojnë vend. Kjo në mënyrë të veçantë për shkollat private. Nxënësit e këtyre të fundit çdo vit që është zhvilluar matura shtetërore kanë qenë të detyruar që të shkojnë për të dhënë provimet në gjimnazet publike.

Vetë të rinjtë maturantë pohojnë se do të ishte shumë mirë që edhe mesatarja e katër viteve të gjimnazit të mos kishte peshën me të cilën vlerësohet aktualisht. Por ajo të kishte më pak pikë. Këtë ata e argumentojnë me faktin se jo në të gjitha lëndët janë prirjet njëlloj, ndaj mesatarja nuk është tregues I domosdoshëm për degën ku dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta. Lidhur me këtë, përfaqësuesit e MASH-it sqarojnë se tashmë nëpër të gjitha shkollat e mesme në vendin tonë aplikohen lëndët me zgjedhje dhe në mënyrë të veçantë profile shoqëror dhe ai shkencor, që i ndan nxnënësit sipas prirjeve të tyre. Në përputhje me profilin bëhet edhe ndarja e ngarkesës mësimore, sipas përzgjedhjes së gjithsecilit.

Këtë vit programet me pyetjet e maturës shtetërore kanë mbërritur më herët në shkolla. Po kështu pritet që në mesin e muajit shkurt të hetë gati dhe të shpërndahet edhe Formulari A1, për të gjithë të rinjtë kandidatë për në universitete. A.Rr.

Nga : Gazeta Shqip

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama