Komenti i bërë në rrjetin social "Facebook", nga ish-kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, që kritikonte rreshtimin e lojtarëve në fushë në sfidën ndaj Vllaznisë, nuk ka kaluar pa kundërpërgjigje nga administratori Sinan Idrizi.Ky i fundit në një prononcim për "Panorama Sport" është shprehur se Gjika fillimisht duhet të kërkojë falje për penalizimin e ekipit me pikë nga FIFA dhe, më pas, të bëjë rolin e analistit të futbollit.
"Unë po të isha në vend të ish-kryetarit të Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, do të kërkoja ndjesë për borxhet dhe situatën jo të mirë të klubit si pasojë e tyre, për tri pikët që na janë hequr dhe për kambanat që pritet të bihen sërish.
Gjika i ka dhënë shumë Flamurtarit dhe kjo dihet. Po ashtu dihet që ai është specialist futbolli dhe opinionist dhe këtë nuk ja mohon njeri. Por nuk e di nëse e di Gjika që Flamurtarit i janë hequr tri pikë? E ftoj ishkryetarin e bashkisë që të shikojë tabelën, t'i hedhë një sy dhe të shikojë se ka një yll aty dhe ku thuhet se Flamurtarit i janë hequr tri pikë.
A mund të na thotë Shpëtim Gjika se përse Flamurtarit i janë hequr tri pikë?! A mund të na thotë Gjika se përse është ai ylli poshtë tabelës. E pra, përpara se të bëjë analistin sportiv, që e bën shumë mirë, le të na përgjigjet për tri pikët e hequra", tha fillimisht Idrizi.
Borxhet - Sipas Sinan Idrizit, të tjera kambana pritet të bihen për borxhet e Flamurtarit. Administratori thotë se, nëse deri më 5 maj nuk paguhet Rajoviç, klubit pritet t'i hiqen tri pikë të tjera, por thekson se tashmë vendimi për ta shlyer këtë borxh është marrë.
"E di Shpëtim Gjika që ne presim një kambanë tjetër tani?! E di ish-kryetari i bashkisë se do të na hiqen edhe tri pikë të tjera. Ne rrezikojmë për Rajoviçin, të cilit klubi i ka borxhe në kohën kur drejtohej nga Gjika.
Le t'i paguajë Gjika paratë Rajoviçit dhe, më pas, le të bëjë opinionistin, nëse i dhimbset Flamurtari. Por unë nuk lejoj që të na heqin tri pikë. Afati i fundit i vendosur nga FIFA për të shlyer Rajoviçin është 5 maj.
Nëse më 5 maj ne nuk i paguajmë detyrimet ndaj tij, atëherë do të na hiqen tri pikë të tjera. Por unë nuk e lë Flamurtarin në baltë. Ne e kemi miratuar kalimin e detyrimeve ndaj Rajoviçit, edhe pse nuk na përket ne si borxh. Brenda këtyre dy ditëve do t'i hedhim paratë në llogarinë e lojtarit", ka përfunduar Idrizi.