Plagosja - Sasia e konsiderueshme e eksplozivit ka plagosur rëndë pronarin e godinës Armand Cekën, 33 vjeç, Artur Sharrën, 46 vjeç dhe Julian Çelën, 23 vjeç
Gjendja - Çela ka humbur të dyja këmbët dhe nuk ka dalë ende nga rreziku për jetën. Ceka ka humbur njërën këmbë dhe ka dëmtime në kokë. Sharra, në gjendje më të mirë
Tiranë
Policia: Autorët përdorën 500 gramë lëndë plasëse
MEKANIZMI
Policia - Janë kryer veprimet e para hetimore, nga ku dyshohet se lënda plasëse është e fuqisë normale plastike, me një peshë prej rreth 500 gramësh
Eksplozivi - Ishte vënë në derën e godinës, që shërbente si lokal dhe hotel, por që prej një muaji ishte mbyllur, për shkak të rikonstruksioneve
Shpërthimi - Në momentin që 33-vjeçari ka shkuar në ndërtesë së bashku me dy personat e tjerë, autorët e krimit kanë kryer shpërthimin nga distanca
Ndjekja - Atentatorët kanë ndjekur me vëmendje çdo lëvizje të biznesmenit të ndërtimit, për të kryer me sukses planin e ekzekutimit
Tre të plagosur rëndë është bilanci i shkaktuar si pasojë e një shpërthimi të fuqishëm me lëndë plasëse. Ngjarja ka ndodhur rreth në orën 10:20, të së mërkurës, në rrugën “Pjetër Budi” në Tiranë, jashtë ambienteve të një godine dykatëshe. Persona ende të paidentifikuar mësohet se kanë vendosur në këtë objekt, i cili më parë funksiononte si lokal dhe hotel, rreth 500 gramë tritol të telekomanduar. Godina ishte në pronësinë e biznesmenit të ndërtimit Armand Ceka, i cili është plagosur rëndë nga shpërthimi. Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës thanë se janë kryer veprimet e para hetimore, nga ku dyshohet se lënda plasëse është e fuqisë normale plastike, me një peshë prej rreth 500 gramë.
Të plagosurit
Sasia e konsiderueshme e eksplozivit ka plagosur rëndë pronarin e godinës, Armand Ceka, 33 vjeç; Artur Sharrën, 46 vjeç dhe Julian Çelën, 23 vjeç, të cilët janë shtruar në Spitalin Ushtarak. Mekanizmi i ngjarjes ka qenë fare i thjeshtë. Burimet policore thanë se ka dyshime se autorët kanë shkuar në lokalin e Armand Cekës, i cili që prej disa javësh nuk funksiononte dhe pas derës së tij, kanë vënë lëndën eksplozive. Në momentin që 33-vjeçari ka shkuar në ndërtesë së bashku me dy personat e tjerë, Julian Çelën dhe Artur Sharrën, autorët e krimit kanë kryer shpërthimin nga distanca. Nga të dhënat paraprake dyshohet se atentatorët kanë ndjekur me vëmendje çdo lëvizje të biznesmenit të ndërtimit, për të kryer me sukses planin e ekzekutimit. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm, Ceka dhe dy shoqëruesit e tij, kanë mbetur të plagosur. Burimet zyrtare të policisë thonë se më e rëndë gjendja shëndetësore paraqitet për Julian Çelën, i cili ka pësuar plagë të rënda në pjesë të ndryshme të trupit. I riu ka humbur të dyja këmbët dhe mjekët thonë se ai nuk ka dalë nga rreziku për jetën. Serioze paraqitet situata edhe për Armand Cekën, i cili ka humbur këmbën e djathtë. Mjekët thonë se operacioni ndaj 33-vjeçarit doli me sukses, por ka gjasa që ai t’i nënshtrohet një ndërhyrje të dytë kirurgjikale. Dëmtime ka marrë edhe në pjesën e kokës. Prej shpërthimit të fuqishëm, Armand Cekës i janë thyer dy brinjë dhe gjithashtu ka probleme tek pjesa e legenit. Ai është i shtruar në reanimacion dhe mjekët po e mbajnë nën vëzhgim intensiv. Artur Sharra është personi që ka pësuar më pak dëmtime. Sipas specialistëve, gjendja e tij paraqitet disi e stabilizuar, por ende nuk mund të thuhet se ka dalë nga rreziku për jetën. Plagët në trup nuk i ka të thella, por ka disa çarje në pjesë të ndryshme të trupit. Mjekët i kanë pastruar plagët nga ciflat dhe copëzat që i kishin ngelur në trup. Plagë ka edhe në pjesën e kokës. Të dëmtuarit janë dërguar drejt Spitalit Ushtarak nga kalimtarë të rastit.
Dëmtimet
Shpërthimi i fuqishëm ka shkaktuar panik edhe te banorët e zonës. Ata thonë se janë tmerruar kur kanë parë trupat e tre të plagosurve, të shtrirë për tokë, të cilët prej disa minutash kërkonin ndihmë pa pushim. Eksplozivi ka shkaktuar dëmtime të dyqaneve aty pranë dhe apartamenteve të pallatit që ndodhej përballë godinës trekatëshe. Shitësja e dyqanit vetëm 4-5 metra larg lokalit është e terrorizuar. Ajo shet këpucë dhe fatmirësisht nuk ka pësuar dëmtime prej tritolit. Shpërthimi i lëndës plasëse i ka thyer xhamat e derës dhe vitrinës së dyqanit. Nuk ka dëshirë që të flasë, sepse ndihet shumë e frikësuar. Nuk i shqitet nga sytë skena kur të dëmtuarit ishin të shtrirë për tokë dhe kërkonin ndihmë pa pushim. Janë të pakta fjalët që thotë. “Jam e tmerruar. Nuk mund të flas dot. Mirë që na shpëtoi Zoti”, janë të vetmet fjalë që thotë.
Shitësja ka nisur që të pastrojë xhamat e thyer dhe pluhurin që ka mbuluar zonën përreth. Ciflat e xhamit i janë futur brenda tek këpucët që shet. Një tjetër grua që tregton rroba të përdoruara thotë që i vjen keq për Armandin. Sipas saj, 33-vjeçari ishte një person shumë i sjellshëm dhe ndihet keq kur mendon për atë që i ka ndodhur. Ndihet me fat që nuk ishte aty në momentin kur ndodhi shpërthimi. “Armandi është djalë shumë i mirë. Sa herë që ne takoheshim, përshëndeteshim në rrugë. Ishte djalë shumë i qeshur. Nuk arrij ta besoj atë që ka ndodhur. Nga njëra anë, ndihem me fat që nuk isha aty në momentin kur ndodhi ngjarja. Unë e hap dyqanin me vonesë se rroba të përdoruara shes”. thotë tregtarja. Prej shpërthimit janë thyer edhe xhamat e pallatit përballë lokal “Grifon”.
Një banore thotë se një nga të plagosurit kërkoi ndihmë në telefon
“Ishin të mbuluar me gjak dhe pa gjymtyrë”
Një dëshmitare okulare ka rrëfyer për gazetën “Shqip” momentet kur tre të dëmtuarit kanë qenë të shtrirë për tokë dhe kërkonin ndihmë. Zonja është rreth të 60-ave dhe kur tregon ngjarjen, sytë i mbushen me lot. Ajo thotë që shpërthimi ka qenë shumë i fuqishëm dhe kur dëgjoi zhurmën, zemra nisi t’i rrahë fort. “Isha duke ndenjur në shtëpi dhe papritmas u dëgjua një zhurmë e fuqishme. Dola nga përpara pallatit, për të parë se çfarë kishte ndodhur, por sytë nuk më panë gjë. Pyeta komshinjtë nëse kishin dëgjuar zhurmën e fuqishme apo jo. Ata ma pohuan, por nuk e dinin se çfarë ishte saktësisht. Atëherë dola në dhomën që bie për nga rruga. Ajo ishte mbushur me pluhur. Xhamat nuk ishin thyer se dritarja ishte hapur. E kisha lënë vetë ashtu, që të ajrosej shtëpia. Dola në dritare dhe shoh tmerr me sy”. Kështu e nis rrëfimin e ngjarjes e moshuara. Ajo nuk e ka kaluar tronditjen, dridhet e tëra dhe kërkon të tregojë gjithçka sipas kronologjisë që ka parë dhe përjetuar. “Kur dal te dritarja shoh shumë njerëz të grumbulluar rreth vendit ku kishte ndodhur shpërthimi. Ata vetëm sa shikonin. Nuk bënin asnjë veprim. Dukej sikur ishin duke parë teatër. Përpiqem të kuptoj se çfarë kishte ndodhur në të vërtetë dhe sytë më kapin tre persona të lyer me gjak. Njëri prej tyre (Armand Ceka), ishte i shtrirë përtokë tek shkallët e lokalit. Njëra këmbë i ishte varur. Pranë tij ndodhej një tjetër trup (Julian Çela).
Ai nuk bënte asnjë lëvizje. Ndërsa personi i tretë, (Artur Sharra) doli nga lokali. Ai eci disa metra në këmbë dhe më pas u rrëzua. Si duket kishte shembje të brendshme. Atë moment humbi ndjenjat”, thotë dëshmitarja okulare. E moshuara thotë se të dëmtuarit kërkonin ndihmë pa pushim dhe se kjo ka zgjatur për disa minuta, “Ai djali që eci disa metra në këmbë, bëri një telefonatë. Kërkonte ndihmë. Bërtiste me të madhe por pastaj i ranë fuqitë dhe u rrëzua. Humbi ndjenjat i shkreti. Çfarë më kanë parë sytë sot (dje). Nuk më del nga mendja ajo skenë e tmerrshme. Ndihmë kërkonte pa pushim edhe ai djali që ishte shtrirë te shkallët dhe që i ishte varur këmba”, tregon gruaja. Ajo ndihet e zëmëruar me qytetarët, të cilët nuk i jepnin ndihmë. “Sa keq që më ka ardhur, teksa i kam dëgjuar ata djemtë që bërtisnin për ndihmë. Ata ulërinin me të madhe, por askush nuk i afrohej. Njerëzit vetëm shikonin. E tmerruar ashtu siç isha, shkova të merrja në telefon policinë, por më dilte i bllokuar. Nuk e di se çfarë po ndodhte. Pastaj pashë një makinë ngjyrë të bardhë që i mori dhe i largoi për në spital. Është gjynah. Të shkretët! Kanë qëndruar ashtu për disa minuta dhe kur i shihje që kërkonin ndihmë, të dhembte shpirti”, e mbyll rrëfimin e moshuara, duke thënë se nuk ka parë asgjë të dyshimtë përpara se të ndodhte shpërthimi.