Prej pak kohësh, në Itali ka dalë në qarkullim libri i titulluar "Non aprire mai", ("Mos e hap kurrë") i autores Francesca Borri. Është pikërisht ajo, vajza që niset drejt ambasadës italiane për të punuar por mbi të gjitha për të prekur dhe parë nga afër situatën e një vendi e një populli. Dhe nuk gjeti atë që kërkonte, një shtet në ndërtim, por diçka tjetër. Gjeti Kosovën, një shtet-jo-shtet, dhe si në një lojë puzzle, ajo ngrihet mbi të dhe arrin të shikojë pjesët e vendosura gabim sikur të ishin pjesëza të ndryshme mozaiku dhe kupton se po kërkojnë t‘i ngecin, me forcë, por keq dhe asaj i duket vetja e vetme dhe e pafuqishme për të ndryshuar, apo vënë në pah gjendjen, sepse është vetëm një funksionare e nivelit të dytë në një ambasadë, që përfaqëson një shtet që në një farë mënyre është dhe nuk është pjesë e rrugës së ngritjes së këtij shtetit të ri. Francesca me ndërgjegje të plotë ka bërë një zgjedhje të çuditshme. Ka sjellë një roman, sepse i tillë është ky libër në kuptimin e ngushtë të fjalës, edhe pse nuk e paraqet si të tillë. Më shumë se gjithçka "Non aprire mai" është një shpërthim mendimesh më shumë se sa dialogësh, ndjenjash që marrin vendin e historisë, është një libër që ka një ndërgjegje të mirëpërcaktuar. Nëpërmjet tij autorja parapëlqen të rrëfejë shumë histori, jo një të vetme dhe mes atyre historive të rrëfyera është edhe historia e një manastiri, por edhe e një emigranti klandestin, historia e ambasadës që është ajo italiane që ka pak rëndësi në atë vend, sepse në fund të fundit Kosova është e tillë dhe këtë e kuptoi edhe ajo. Gjithçka gërshetohet me të gjitha dhe gjithçka është realisht ashtu, por edhe nuk është gjithçka, ekziston dhe nuk ekziston deri në një provë që dëshmon të kundërtën.
Është Kosova por edhe Serbia, por edhe Shqipëria, Turqia, por edhe OKB, SHBA, Italia, gjen mirëqenien, por edhe varfërinë, madje mizerien dhe sa herë që mendon se e ke kuptuar situatën në të cilën ndodhesh, aq herë edhe kthehesh mbrapa, gjithçka rrotullohet sërish në një vajtje-ardhje pa fund. Francesca Borri ka zgjedhur të rrëfejë gjithçka në mënyrën e vet. Të duket sikur e ka marrë vendin dhe e ka vendosur mbi një letër, duke i shtuar më pas jetën dhe dyshimet e saj. E ka shkruar ashtu siç ndodh vërtet aty, sa i pastër aq edhe i çorientuar. Ajo e lë veten të lirë dhe nuk ndjek një vijë logjike apo kronologjike të ngjarjeve, nuk i frenon idetë dhe dyshimet e saj e madje as nuk tenton t‘i organizojë sipas kritereve të narratives moderne. Ajo është një përkthyese besnike e vetes së vet, e frikës së saj, ka me vete miqtë e saj, miqtë të cilëve nuk do t‘u çojë foto të cilat i ka bërë krah fëmijëve të kequshqyer... Por ajo nuk e tradhton veten e nuk tradhton as shpresat e Kosovës, sepse qëndron besnike dhe e sinqertë që nga fjala e parë deri tek e fundit. he në çdo fletë të romanit të saj, në çdo frazë gjen nga një histori dhe nëse arrin në fund dhe puzzle formohet dhe prishet sërish, ndodh kështu sepse në këtë mënyrë është e thënë që ngjarjet të shkojnë. Por e rëndësime mbetet që ajo ka luftuar, ka parë, ka dyshuar, ka thënë dhe ka transmetuar. Dhe pak rëndësi ka kur dhe nuk ka më rëndësi as si, ajo që ka rëndësi është se gjithçka ka ndodhur dhe ajo, autorja, ka kryer rolin e dëshmitarit.
Nga : Gazeta Shqip