Shperthimet e gazit 60 familje braktisin shtepite

Shperthimet e gazit, 60 familje braktisin shtepite

Dy shpërthime të fuqishme, të regjistruara mëngjesin e djeshëm pranë zonës së banuar të Marinzës në Fier, kanë bërë që banorët e kësaj zone të përjetojnë çaste tmerri. Shpërthimi i ujërave nëntokësore në oborret e banesave dhe çlirimi i gazrave bëri që banorët aty pranë të largoheshin me shpejtësi, ndërkohë që autoritetet përgjegjëse mundësuan evakuimin e 60 familjeve.

Si rezultat, edhe mësimi në shkollën e zonës është ndërprerë. Menjëherë pas kësaj situate, Inspektorati i Mjedisit pezulloi aktivitetin e kompanisë “Bankers Petroleum”, ndërkohë që Ministri Damian Gjiknuri shkoi në zonë për të monitoruar situatën dhe reagoi ashpër për kompaninë, e cila prej disa vitesh operon në këtë zonë. Ai tha se “Bankers” duhet të japë llogari për rrezikun që ka krijuar te banorët e zonës. Specialistët e BP-së thanë se aksidenti ndodhi për shkak të një rrjedhjeje natyrore të gazit gjatë punës për shpimin e pusit.

Evakuimi

Banorët e zonës, edhe më herët kanë protestuar për rrezikun që u është kanosur, por kompania ka vijuar punën normalisht, çka ka shkaktuar në mënyrë periodike tërmete artificiale apo shpërthime, si ai i djeshmi. Por, në gjendje të traumatizuar për shpërthimin e gazit dhe depërtimit të ujërave tokësorë në një perimetër që i kaloi 200 metrat, janë larguar, duke kërkuar ndihmë nga autoritetet për zgjidhje. Sipas ekspertëve, metoda me të cilën punohet, nëpërmjet pompimit dhe injektimit me ujë, përveçse rrit depozitimin e naftës shkakton edhe impakte mjedisore.

Pezullimi

Inspektorati Kombëtar i Mjedisit ka dalë me urdhrin për pezullimin e aktivitetit të kompanisë kanadeze “Bankers Petroleum”. Kreu i këtij Institucioni, Ergys Agasi, nëpërmjet një deklarate urdhëroi pezullimin e aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve.

“Arsyet e shpërthimit mund të jenë të lidhura me konstatimet e bëra nga ISHMP gjatë javëve të kaluara, masat administrative të marra ndaj kompanisë Bankers dhe rekomandimet e pazbatuara nga kjo kompani, të bera nga ana e ISHMP-së. Në datën 24.09.2014 grupi i punës i ngritur nga Ministri i Mjedisit, filloi inspektimin në aktivitetet e kompanisë Bankers Petrolium, ku një nga çështjet kryesore për ndotjen në mjedis është situata e gropave ekologjike, në të cilat janë depozituar mbetjet e dala nga procesi i shpimit dhe i prodhimit të naftës bruto, të cilat përbëjnë mbetje të rrezikshme.

Me Urdhër të Ministrit të Mjedisit, z. Lefter Koka i është kërkuar kompanisë Bankers Petroleum Albania, me qëllim parandalimin e aksidenteve të mundshme dhe ndotjes potenciale të mjedisit, që kjo kompani të zbatojë këto masa dhe detyra. Pezullimi i aktiviteteve të kompanisë deri në paraqitjen e planit të menaxhimit të mbetjeve”- tha ndër të tjera Agasi. Helmimi Nga frika për pasoja të rënda që mund vinte nga “shatërvanët” e gazit, si helmimet apo pasojat në organizëm, shumë banorë të zonës përreth kanë vrapuar për t’ju larguar zonës, por pas ekspertizës së kryer, Perfekti i Qarkut të Fierit, Xhevit Bushi, tha se gazi nuk është helmues.

“Gazi nuk është çliruar nga hidrokarburet. Po bëhen analizat e nëntokës dhe ambientit për të përcaktuar nivelin e ndotjes, nëse është helm apo jo. Situata është drejt normalizimit me masat teknike që janë marrë, por ende ka gurgullime nga toka, se dhe fenomeni nuk është i ditur. Ka ndodhur një shpim në një pus, ka filluar gurgullimi i daljes në sipërfaqe të inerteve, llava balte, e cila vjen për shkak të shpërthimit që ka ndodhur rreth 1400 metra thellësi që ishte duke u shpuar pusi. Janë duke u marrë masat teknike dhe po sigurohemi që banorët të evakuohen 500 metra larg zonës së pusit”, - tha Bushi.

Shkresa

Aksidenti i djeshëm mund të ishte evituar, nëse kërkuesit e naftës do të zbatonin urdhrin e Ministrisë së Mjedisit, të lëshuar një muaj më parë. Një shkresë e datës 27 shkurt, e firmosur nga ministri Lefter Koka, për shkak të mosrespektimit të lejes së mjedisit, tashmë e vendos në hetim kompaninë, për shkelje të urdhrit. Në shkresë përshkruhen, ndër të tjera, koordinatat e pezullimit të aktivitetit. Më herët, Ministria e Mjedisit kishte paralajmëruar kompaninë “Bankers”, me anë të një gjobë me vlerë 5 milionë lekë, për të njëjtën arsye, mosrespektimin e lejes mjedisore.


Artikujt e fundit


Reklama

Reklama