Shpetim CuckaGjuhen letrare po e bejne nje shqipe vulgare

Shpetim Cucka,Gjuhen letrare, po e bejne nje shqipe vulgare
Shpëtim Çuçka është shprehur në një shkrim se  gjuha shqipe është futur në një tunel të zi  dhe e vetmja dalje  është  gremina.

“Ka mbi njëzet vjet  që ajo është lënë pa mbrojtje  dhe pa kujdes .  Secili e shkruan si t’i dojë qejfi, pa kurrfarë rregulli, pa kurrfarë nderimi për punën e jashtëzakonshme të atyre që e mbrujtën shkencërisht dhe me një ndjenjë të lartë shoqërore e përparimtare, pas një procesi të gjatë dhe të mundimshëm historik, ku dhanë ndihmesë figurat më të mira të historisë sonë. Në të vërtetë pjesën më të madhe të rilindësve dhe formuesve të gjuhës letrare shqipe shoqëria e sotme praktikisht i ka harruar, siç harrohen varret e të parëve, siç harrohet historia, ndërsa ndonjërin prej tyre e sheh me një shpërfillje, prapa së cilës qëndron armiqësia.”- shkruan ai.

Sipas tij ky është një qëndrim  mjeran shoqëror dhe  ç’ndërgjegjie e ulët shkencore, teksa analizon si më poshtë :

Së pari, Kongresi për bazë të parimit fonetik të shqiptimit mori jo thjesht shqiptimin e përdoruesit pa shkollë e pa kujdes të gjuhës dhe as shqiptimin thjesht praktik (është mashtrim përveç që e pamundur të pretendosh se mund të vilet niveli masiv i shqiptimit – a ekziston ai? – duke e shtrirë vëzhgimin në tërë masën e folësve të një gjuhe; gjithmonë do të ketë një përzgjedhje), por shqiptimin libror, (Kongresi pohonte:”…Nuk mund të vëmë në një plan drejtshkrimin e drejtshqiptimin… …drejtshkrimi është një shkallë më e lartë përgjithësimi sesa shqiptimi dhe mbështetet jo te të gjitha stilet e shqiptimit por kryesisht te stili libror i tij, i cili lidhet drejtpërdrejt me gjuhën e shkruar dhe është stili më i plotë, më i shkoqitur, më i qartë. Drejtshkrimi mund…të ndikojë që ruajtja në shkrim të kthehet edhe në ruajtje në shqiptim”) domethënë shqiptimin e njeriut të arsimuar në çastin kur lexon me zë (dikur thonin “këndon” dhe “librit të leximit” i thonin “këndim”, “libër këndimi”) dhe, rrjedhimisht, kur shkruan. Këtë nuk e përmendin rrënuesit e sistemit të gjuhës letrare, fakt ky që flet për qëllimin e tyre.

Së dyti, parimit fonetik të drejtshkrimit Kongresi i vuri rreptësisht pranë dhe si mbështetje metodike, shkencore, parimin morfologjik, pra, përcaktoi se nuk mund të flitet për rregulla drejtshkrimi pa marrë parasysh kategoritë themelore të sistemit gjuhësor, trajtat dhe përbërësit kategorikë të gramatikës. As këtë nuk e përmendin rrënuesit. Edhe kjo zbulon qëllimin e tyre.

Së treti, Kongresi në vendimet e tij, përpara se të vinte te mbyllja, domethënë te pika e parashikimit të ndryshimeve të mundshme në të ardhmen, porosiste në mënyrë të veçantë e në një varg paragrafësh institucionet e ndryshme të vendit, të arsimit dhe shtypit në mënyrë të veçantë, që të bënin çdo përpjekje për përvetësimin, zbatimin dhe përhapjen e normave të drejtshkrimit. Dhe kjo ishte e vetëkuptueshme: Kongresi nuk u mblodh për të sanksionuar lirinë e ndryshimeve të ardhme, por për të shpallur njësimin e rregullave të drejtshkrimit dhe nevojën e mbështetjes së këtyre rregullave nga të gjithë pa përjashtim. Edhe kur foli për zgjidhjen e problemeve të veçanta të drejtshkrimit, Kongresi në rezolutën e tij porositi vështrimin e gjërave në sistem dhe me vijueshmëri duke mos u përqendruar jo më në raste të veçanta por as edhe vetëm brenda një nënsistemi të gjuhës. Të gjitha këto qëndrime dhe porosi të Kongresit rrënuesit e ndërtesës së gjuhës letrare i kanë “harruar”. Kjo gjithashtu flet për qëllimin e tyre në thelb kundërshkencor.

Së katërti, vendimet e Kongresit të Drejtshkrimit u morën nga një numër i konsiderueshëm pjesëmarrësish pas një diskutimi mbarëshoqëror pesëvjeçar. Grupi i sotëm i gjuhëtarëve reformues është numerikisht mikroskopik. Si mundet një pakicë e tillë të rrëzojë vendimet e një shumice?

Së pesti, Kongresi i Drejtshkrimit ishte një akt publik. Ai u mblodh për disa ditë radhazi dhe u përcoll nga mjetet informuese të kohës. Ai mbetet ngjarja shkencore më e madhe në historinë e Shqipërisë. Nuk po ndodh sot kështu me rrënimin e sistemit drejtshkrimor të gjuhës letrare. Ky proces po kryhet në heshtje, gjoja në heshtjen e punës shkencore. Edhe kjo flet për karakterin kundërshoqëror të këtij veprimi.

Dhe, së fundi: Kongresi sot mbetet një akt i mohuar. Asnjëra nga instancat zyrtare nuk u kujtua për 40-vjetorin e tij. Ndërkohë rrënuesit e ngrehinës drejtshkrimore të gjuhës letrare e përligjin veten për atë që po bëjnë fshehurazi duke përmendur këtë apo atë pikë të vendimeve të Kongresit duke shpërfillur, përbuzur, mëritur Këngresin në tërësi, të gjitha gërmat dhe të gjithë frymën e tij. Ç’mjerim i ndërgjegjes qytetare dhe shkencore!

Ai nënvizon se Kongresi Sot mbetet  një akt  mohuar . Asnjëra nga instancat  zyrtare nuk është kujtuar për  40 vjetorin  e tij, ndërkohë që rrënuesit e ngrehinës drejtshkrimore të gjuhës letrare e përligjin veten për atë që po bëjnë fshehurazi duke përmendur këtë apo atë pikë të vendimeve të Kongresit duke shpërfillur, përbuzur, mëritur Këngresin në tërësi, të gjitha gërmat dhe të gjithë frymën e tij.

Çuçka shprehet se rrënimi qëndron në luftën kundër tingullit “ë”.

 “Ç’përbën tingulli “ë” në gjuhën shqipe? Ai jo vetëm është një ndër shtatë zanoret e shqipes letrare (e kanë të qartë rrënuesit vlerën e veçantë të zanoreve brenda sistemit tingullor të një gjuhe?), por edhe ndër tingujt më të përdorur të saj (krahas tingullit “e”). Tingulli “ë” është gjithashtu ndër tingujt më të rëndësishëm fjalë- dhe kategoriformues të gjuhës shqipe. Ai ndodhet në trup fjalësh (“kodër”, “ëndërr”, “qëndroj”, “kërcej”, “i errët”, “i ëmbël”, “unë”), në parashtesa (për shembull parashtesa “për-”) e prapashtesa (për shembull, “-shëm”), është mbaresë trajte të pashquar (në emra të gjinisë femërore dhe mashkullore, pronorë), mbaresë shumësi (në shumë emra dhe mbiemra mashkullorë), mbaresë rase (për emra e përemra), mbaresë foljore (për krijimin e vetës së tretë njëjës të lidhores së tanishme), mbaresë e një vargu të gjatë mbiemrash të nyjshëm dhe ndajfoljesh mënyre, përbërës i nyjeve rasore të emrave, nyjeve të mbiemrave, shprehjeve ndajfoljore, lidhëzave të përbëra e të thjeshta (“që” – kjo edhe për të mos u ngatërruar me ndonjë folje!), është pasthirrmë (si mund të jepet qarja e dikujt pa tingullin e përsëritur “ë”?) etj.etj.”- shkruan ndër të tjera Çuçka.

Sipas tij zgjidhja më e  thjeshtë dhe  më “demokratike” është  të shpallet shkodranishtja (e Buzukut a e Camajt, kjo ka pak rëndësi) gjuhë letrare dhe të hapet në Shkodër instituti i vetëm kombëtar për përgatitjen e të gjitha kategorive të arsimtarëve të gjuhës. Të tjerat do të ecin si në vaj, teksa ironizon më tej se mund të shpallin të drejtën e gjithkujt për ta shkruar shqipen ashtu si i pëlqen, duke qenë absolutisht i lirë nga çdolloj rregulli e çdolloj norme, sikurse po kërkon prej kohe me patos dikush, që nesër mund të na bëhet edhe ministër arsimi. “

“Dhe le të triumfojë më në fund shqipja vulgare mbi shqipen letrare. Amin!”- shkruan ai në “GSH”.

Artikujt e fundit


Reklama

Reklama